Furtuna e re, më 22 tetor!
Ndonëse po afrohet data e zgjedhjeve lokale, njohësit e kësaj fushe janë skeptikë se në zgjedhjet lokale, më 22 tetor, do të ketë ndonjë befasi dukshëm më të madhe sesa ato që ndodhën në zgjedhjet nacionale, ku siç dihet me votën e popullit pati një ndëshkim të papritur të politikanëve tashmë të harxhuar, të konsumuar dhe të korruptuar, pra që u ndëshkuan me votën e elektoratit.
Ndaj ata kanë shtruar edhe çështjen se a janë partitë e inkriminuara politike në krizë të njerëzve me vlera e të painkriminuar dhe të pashantazhuar, ku për pasojë në shumë komuna ka vetëm riciklim të kandidatëve, të cilët kanë qenë kryetarë për shumë mandate, e një pjesë e madhe e tyre edhe të inkriminuar dhe të lidhur e të shantazhuar nga nëntoka kriminale. Për atë se a do të kenë zgjedhjet e sivjetshme lokale në tetor plot befasi dhe a pritet që të ketë më pak qytetarë që do të dalin në zgjedhje edhe për shkak të faktit se janë të zhgënjyer nga kjo klasë aktuale politike e korruptuar ,e dështuar dhe e tejinkriminuar, flet shkrimi në vijim. Analisti Naim Kelmendi,në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se në të vërtetë, ashtu siç po shihet nga listat e kandidatëve që partitë politike i kanë bërë publike, të nominuarit e partive për kryetarë të kuvendeve komunale në zgjedhjet e ardhshme lokale po duket se ka një riciklim të kandidatëve të këtyre partive, disa nga të cilët kanë qeverisur dhe nuk është se kanë qenë të suksesshëm në qeverisjet e tyre.
Të shantazhuar e të inkriminuar
Siç tha Kelmendi,disa kandidatë kanë qeverisur edhe nga dy e tri mandate në kuvendet komunale dhe vetëm se i kanë harxhuar mandatet. “Me këto kandidatura të partive nuk veçohet diçka në cilësi, por kanë bërë më shumë riciklim dhe kështu kjo do të ndikojë drejtpërdrejt te dalja e votuesve në zgjedhje, ngase ata më shumë presin kualitet të kandidatëve sesa në të vërtetë t’i votojnë për ata të cilët veç i kanë të njohur për keqqeverisjen dhe që nuk mund të vlerësohen gjithaq përgjatë mandateve të mëparshme”, ka shtuar ai. Tutje, Kelmendi nënvizon se thuajse shumica e kandidatëve të partive politike përmbajnë kandidatët që kanë pasur nëpër komuna një pjesë e tyre edhe të inkriminuar e të lidhur me nëntokën kriminale apo të shantazhuar dhe kështu nuk kanë denjuar që elektoratit t’i sjellin në këto zgjedhje kualitete të reja, njerëz të rinj e të painkriminuar, prandaj kështu po e irritojnë elektoratin, i cili kështu do të jetë i pakët në zgjedhje.”E tërë kjo çon në ndëshkimin e partive edhe në zgjedhjet lokale nga elektorati me votën e tyre, ngase gradualisht, por dukshëm, ka ndërruar pikëpamja e elektoratit ndaj votës, mbase nuk pranon më t’i shitet antivlera për vlerë, ku kjo u vërtetua nga po ky elektorat edhe në zgjedhjet parlamentare të qershorit, duke ndëshkuar seriozisht dy partitë më të mëdha në vend, PDK-në dhe LDK-në, dhe kështu mund të ndëshkojë me votë edhe të ricikluarit kandidatë të partive politike në zgjedhjet lokale”, u shpreh analisti Naim Kelmendi.
Populli po mbushet mend
Analisti Reshat Badallaj thotë se zgjedhjet lokale janë prapa derës dhe tashmë populli ia ka vërë gishtin kokës se nuk do të lejojë më mashtrime,rrena dhe premtime boshe. Po ashtu, sipas tij, e ka kuptuar se të gjitha bandat politike të udhëhequra nga banditët dhe kryebanditët e tyre e kanë tradhtuar elektoratin, nuk kanë bërë asgjë për të mirën e qytetarit dhe të vendit, por kanë bërë vetëm e vetëm për interesa personale, duke u pasuruar padrejtësisht, derisa siç tha këto dallavere të tyre populli i ka kuptuar tashmë dhe do t’i dënojë pamëshirshëm, por u ka hyrë edhe frika në bark këtyre bandave politike që populli i ra shuplakë në zgjedhjet kombëtare, duke mos dalë në votime,ose nuk votuan mbi 52.000, sa është kjo për një Kosovë të vogël. “Elektorati e ka kuptuar dhe është vetëdijesuar se nuk duhet votuar këta qelbësira të njëjta,që 18 vjet janë të njëjtit hajdutë, mashtrues e rrenacakë, që kanë punuar vetëm për t’u pasuruar dhe jo vetëm për veti, por edhe për dhjetë- njëzet breza. Ndaj ndëshkimi i popullit do të jetë i pamëshirshëm. Hajdutët japin dorëheqje vetëm e vetëm nga inati që nuk bëhen hise e hajnisë. Përse nuk tërhoqën dhe të mos merren më me politikë? Këtë nuk e bëjnë të pafytyrët”, u shpreh Badallaj. “Bandat politike janë futur thellë në krizë dhe tashmë nuk dinë nga shkojnë dhe nga vijnë. Zor të gjejnë kandidatë në këtë apo në atë qytet, sepse të gjithë janë me damkën e zezë të hajnisë,rrenave,mashtrimeve dhe dallavereve, se janë të vetëdijshëm se do t’ua zërë bishtin me derë populli. Në tetor do të habiten bandat politike me dënimin e qytetarëve. Nuk do të dalin as në qendër të Prishtinës dhe në qendra të qyteteve të tjera nga turpi,këtë e them për ata që kanë dy gishta fytyrë, ndërkaq dënimet do të jenë dy llojesh: e para, nuk do të dalë elektorati, se nuk u beson më këtyre hajnave të bandave politike, se është mbushur kupa me rrena,premtime,vjedhje votash,mashtrime dhe e dyta, nëse dalin do të jenë shumë të pavlefshme dhe nuk do të votojnë për hajdutët, oligarkët dhe matrapazët”, është shprehur ai.
Befasitë nuk përjashtohen
Njohësi i zhvillimeve politike në vend,Blerim Burjani, ka nënvizuar se do të ketë befasi në këto zgjedhje lokale, me siguri për shkak se këto parti aktuale që kanë mbajtur poste kryetarësh një kohë të gjatë nëpër komuna të caktuara janë bërë të stërmoduar dhe qytetarët tashmë janë prirë të bëjnë ndryshime derisa siç tha”mund të ndodhë të bëhen befasi të mëdha, një gjë e keqe është se nuk ka iniciativa të reja politike apo kandidatë të pavarur për kryetar komunash, në mënyrë që të zëvendësohen këto parti të njëjta me njerëz të njëjtë aktualë,siç janë PAN-i dhe LAA-ja e VV-ja, edhe pse secila prej tyre garon e pavarur prej koalicionit”.”Është dashur të kurajohen edhe nga vetë qytetarët iniciativat e pavarura qytetare apo edhe individë intelektualë, sepse të gjithë e kanë të qartë se me këta njerëz të njëjtë dhe me këto parti asgjë e mirë nuk do të ndodhë përveç zhvatjes së buxhetit, plotësimi i interesave lideriste, ku edhe liderët përzihen në tenderë,andaj s’ka gjë prej klasës politike aktuale, sepse kjo klasë politike bën pazare me biznese edhe pa filluar gara për kryetarë komunash”, spikati për gazetën “Kosova Sot” njohësi i zhvillimeve politike në vend, Blerim Burjani.
Partitë në shërbim të klientelës
Politologu Gurakuq Kuqi ka vlerësuar se zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 22 tetor janë zgjedhje goxha shumë të paparashikueshme për dy arsye: e para, rezultati i zgjedhjeve të fundit të përgjithshme arriti deri në një masë të përmbysë fuqinë politike dhe ndryshoi renditjen e partive politike ku nga e treta VV-ja kaloi e para dhe ky vrull i ndryshimit të votës potencialisht mund të vazhdojë edhe në zgjedhjet lokale; e dyta është se përkundër rritjes së VV-së kjo e fundit nuk ka kandidatë popullorë në nivel komunal, ku përderisa votat në nivel qendror merren më shumë nga klientelizmi, në nivel lokal merren më shumë nga nepotizmi, miqësia dhe shërbime të tjera, edhe pse dalja masive në zgjedhje duke mos lënë të votojnë vetëm klientela partiake mund të ndryshojë gjendjen.”Por në komunat si Prishtina, Peja, Istogu nuk pritet befasi, por gara do të jetë interesante në komunat e Mitrovicës, Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, etj. Mirëpo, një problem që po i ndjek edhe këto zgjedhje janë kandidatët e inkriminuar, të përfshirë në shumë afera korruptive e kriminale, kandidatë të paaftë dhe të gjitha këto janë njerëzit që partitë i mbajnë, sepse vetëm me njerëz të tillë liderët e partive mbesin në pushtet, të cilët janë të dëgjueshëm pa marrë parasysh gjykimin e veprimit për të mirë apo keq”, u shpreh ai. “Madje partive nuk u interesojnë as ato kuadro e mira dhe nuk duan që të hyjnë në radhët e tyre, por edhe pse janë në krizë për njerëz nga inteligjenca, partitë politike në Kosovë nuk e duan inteligjencën dhe as inteligjenca nuk i do ata. Sepse partitë politike tani kanë rrethin oligarkik që kandidojnë për poste dhe militantët bashkë klientelën dhe nuk duan të rinj, pasi me ta funksionojnë mjaft mirë, të cilët sa më të padijshëm që janë për partinë aq më të dobishëm janë”, deklaroi për gazetën “Kosova Sot” politologu Gurakuq Kuqi.

