Eko Higjiena

Pazaret e Thaçit dhe kryeneçësia e Haradinajt goditën rëndë raportet me Amerikën

/ 17 minuta lexim
Mobi Casa

Analistët politikë, zyrtarët e partive politike në opozitë, por edhe qytetarët, po e shohin me shqetësim të madh trendin e zhvillimeve politike në vend, pikërisht tani në 20-vjetorin e çlirimit, për faktin se shumë zhvillime të papritura po tregojnë që politikanët e papërgjegjshëm po rrezikojnë edhe me degradimin e marrëdhënieve SHBA-Kosovë, duke i quar ato deri në pikën më të ulët, pra pikërisht tash në prag të 20-vjetorit të çlirimit të vendit.

Hoti: Le ta ketë të qartë presidenti dhe të gjithë lobuesit rreth tij, brenda dhe jashtë vendit, se korrigjim të kufijve nuk do të ketë

“Nuk kaluan as tre muaj të plotë nga ardhja e ambasadorit amerikan, z. Philip Kosnett,që marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, siç pati deklaruar ai atëherë, nga pafundësisht të mira dhe të pakrahasueshme në botë, të degradojnë në pikën më të ulët në prag të 20-vjetorit të çlirimit të vendit. Kjo gjendje vjen si produkt i matrapazllëqeve të Hashim Thaçit.

Madje, pas tradhtive dhe gënjeshtrave të pareshtura të Hashim Thaçit, Ramush Haradinaj nga protagonist i taksës po kthehet në protagonist të përkeqësimit të raporteve me aleatin kryesor, SHBA-në, gjë që nëse ai dhe qeveritarët aktualë nuk reflektojnë, pasi taksa e ka dhënë efektin e vet, kryeneçësia e pajustifikueshme qeveritare, personalizimi dhe keqpërdorimi i saj, për interesa të ngushta politike, do të sjellë pasoja të pariparueshme për vendin dhe fut Kosovën në një rrugë të pakrye”, thotë analisti Gani Qarri për “Kosova Sot”

Analistët politikë, zyrtarët e partive politike në opozitë, por edhe qytetarët, po e shohin me shqetësim të madh trendin e zhvillimeve politike në vend, pikërisht tani në 20-vjetorin e çlirimit, për faktin se shumë zhvillime të papritura po tregojnë që politikanët e papërgjegjshëm po rrezikojnë edhe me degradimin e marrëdhënieve SHBA-Kosovë, duke i quar ato deri në pikën më të ulët, pra pikërisht tash në prag të 20-vjetorit të çlirimit të vendit.

Të gjithë e dinë dhe e kanë thënë vazhdimisht se Kosova nuk do ishte çliruar kurrë po të mos ishte në mbështetje të popullit të Kosovës administrate amerikane, që urdhëroi bombardimin e Serbisë para dy dekadash. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avullah Hoti, tha të premten se vërtet është shqetësues fakti për pozitën në të cilën po e çojnë këta njerëz udhëheqës të papërgjegjshëm vendin, tash në këtë përvjetor të 11-të të shpalljes së Pavarësisë, duke përkeqësuar marrëdhëniet edhe me amerikanët. “Në 11 vjet shtet asnjëherë Kosova nuk ka qenë në pozitë më të dobët. Kosova po përjeton degradim institucional për shkak të lidershipit shtetëror që është jolojal ndaj shtetit të Kosovës. Sot është vënë në pikëpyetje përkrahja e partnerit tonë kryesor, SHBA-së, ndaj shtetit të Kosovë. Kryeministrit të Republikës së Kosovës, të shtetit më pro amerikan dhe pro evropian, i ndalohet udhëtimi në SHBA. Anulohen 10 programe në qendrën ‘Marshall’.

Në anën tjetër, presidenti lobon fuqishëm korrigjim të kufijve. Sikur presidenti të lobonte kaq fuqishëm për njohje të reja, nuk do të kishim tërheqje të njohjeve. Dialogu është në rrugë pa krye. Ekipi dialogues është jo kushtetues. Ky format i ekipit na ka kthyer në kohën e institucioneve të përkohshme”, ka theksuar Hoti.

Hoti: Korrigjohen liderët e jo kufijtë

“Kosova duhet të dialogojë. Kosova ka dialoguar në Rambuje dhe në Vjenë pa frikë, sepse i ka besuar lidershipit të vet dhe partnerëve ndërkombëtarë. Por, sot ekziston frika tek qytetarët nga procesi i dialogut. Jo frikë nga partnerët ndërkombëtarë, sepse ata e kanë bërë të qartë se Kosova vendos vetë se çfarë marrëveshje do të nënshkruajë. Por, frika e qytetarëve vjen nga mungesa e besimit në lidershipin e Kosovës, në veçanti në presidentin dhe ekipin dialogues.

Po e përsëris edhe një herë qëndrimin e LDK-së lidhur me dialogun. Platformë për dialog është vetëm Kushtetuta e Kosovës. Ekip dialogues është Qeveria legjitime, që e udhëheq dialogun bazuar në një platformë orientuese, që miratohet në Kuvendin e Kosovës vetëm me 2/3 e votave. Le ta ketë të qartë presidenti dhe të gjithë lobuesit rreth tij brenda dhe jashtë vendit, se korrigjim të kufijve nuk do të ketë. Qytetarët e Kosovës do të korrigjojnë lidershipin e tyre.

Në zgjedhje të lira, qytetarët e Kosovës do të zgjedhin një lidership lojal ndaj tyre dhe Republikës së Kosovës”, tha Abdullah Hoti nga LDK-ja, duke akuzuar presidentin që duke lobuar për ndryshim të kufijve po ndikon edhe në humbjen e njohjeve të fituara, në vend që shteti i Kosovës të marrë njohje të reja dhe ta fuqizojë subjektivitetin e vetë ndërkombëtar.

Ekipi qesharak negociator

Sipas analistëve, po të kishim një kryeministër inteligjent, nuk do të binte fare në kurthin e presidentit Thaçi, por ai do ta pezullonte përkohësisht tarifën ndaj Serbisë, madje edhe për ta marrë timonin e dialogut vetë dhe jo që atë të ia lë presidentit.

Është momenti që Kosovës i duhet kryeministër që do të udhëheqë dialogun, duke rishikuare dhe ligjin, edhe platformën për dialogun me Serbinë, si dhe duke formuluar kërkesat e qarta kundruall Serbisë, e jo të shkojë me duar në xhepa, apo të mos shkojë fare si tani Haradinaj, i cili sapo mori detyrën e kryeministrit, me të dyja duart ia dorëzoi Hashim Thaçit këtë përgjegjësi. Madje sipas njohësve të kësaj fushe Kosovës nuk i duhet një ekip i tillë negociator, me bashkëkryesues pazarexhinj e figura qesharake joreprezentative dhe pa elektorat, si Shpend Jahti i PSD-së dhe Fatmir Limaj, sepse tani po del pikërisht mungesa e unitetit në qëndrime që po e shkatërron të ardhmen e Kosovës. Kulmi i kësaj të keqe po del të jetë Hashim Thaçi, i cili e mashtroi dhe po vazhdon ta mashtrojë opinionin dhe SHBA-në. Hashim Thaçi me idenë e tij për ndryshim kufirit, për të cilën gënjen se ka mbështetjen e shumicës së popullit të Kosovës. Edhe deputeti Ilir Deda ka thënë se takimi me zyrtarët amerikanë ka zbuluar se Thaçi ka gënjyer.

Tani zgjidhja shihet se vetëm duke ia marrë presidentit nga duart udhëheqjen e bisedimeve, shmanget rreziku që i kanoset territorit, se vetëm në këtë mënyrë nga njëra anë përmirësohen raportet me amerikanët e nga ana tjetër i pamundësohet Hashim Thaçit loja me kufijtë.
Sipas analistit Florim Zeqa, as pesimistët më të mëdhenj nuk e kanë pritur që në prag të 20-vjetorit të çlirimit, Kosova do t’i përkeqësojë kaq shumë marrëdhëniet me SHBA-në, mikun dhe aleatin më të fuqishëm të shtetit të Kosovës.“Sikur kryeministri Haradinaj të ishte treguar vetëm pak inteligjent e largpamës, pas rekomandimit të parë të administratës amerikane, ai do duhej ta pezullonte menjëherë (përkohësisht) tarifën ndaj Serbisë, për t’ia marrë timonin e dialogut Hashim Thaçit.

Kryeministri Haradinaj si udhëheqës i dialogut duke u bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e vendit, me një platformë të përgatitur mirë si dhe duke formuluar kërkesat e qarta kundruall Serbisë, më lehtë se me taksë do ta gjunjëzonte dhe kushtëzonte Serbinë në dialogun e Brukselit. Mendoj që panevojshëm dhe padrejtësisht kryeministri Haradinaj u bë protagonist dhe e mori tagrin e Demarkacionit me Malin e Zi dhe atë të përkeqësimit të marrëdhënieve me SHBA-në. Si në rastin e parë, ashtu edhe në rastin e dytë, janë të tjerët që e futën Ramush Haradinajn në grackën e tyre. Jam thellësisht i bindur që do të vijë dita kur kryeministri Haradinaj do të rrëfehet për këto gjëra, duke e sqaruar situatën e demarkacionit dhe të taksës “100 %” ndaj Serbisë.

Kosovës nuk i duhet një ekip i tillë negociator me bashkëkryesues pazarxhinj e figura qesharake joreprezentative dhe pa elektorat, si Shpend Jahti i PSD-së dhe Fatmir Limaj i NISMA-s pa strategji shtetërore. Mbase, për hir të përgjegjësisë politike dhe llogaridhënies, ekipi negociator i bisedimeve të Brukselit duhet të kryesohet nga një person i vetëm”, theksoi Zeqa.

Qarri: Degradimi rekord tremujor

Analisti politik Gani Qarri tha për “Kosova Sot” se, fatkeqësisht nuk kaluan as tre muaj të plotë nga ardhja e ambasadorit amerikan, z. Philip Kosnett,që marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, siç pati deklaruar ai atëherë, nga pafundësisht të mira dhe të pakrahasueshme në botë, të degradojnë në pikën më të ulët në prag të 20-vjetorit të çlirimit të vendit. Kjo gjendje sipas tij vjen si produkt i matrapazllëqeve të Hashim Thaçit.

Uji Dea

“Madje pas tradhtive dhe gënjeshtrave të pareshtura të Hashim Thaçit, Ramush Haradinaj nga protagonist i taksës po kthehet në protagonist të përkeqësimit të raporteve me aleatin kryesor, SHBA-në, gjë që nëse ai dhe qeveritarët aktualë nuk reflektojnë, pasi taksa e ka dhënë efektin e vet, kryeneçësia e pajustifikueshme qeveritare, personalizimi dhe keqpërdorimi i saj, për interesa të ngushta politike, do të sjellë pasoja të pariparueshme për vendin dhe fut Kosovën në një rrugë të pakrye. Tanimë bllokimi i këtij procesi vetëm sa e zvarrit zgjidhjen dhe nuk prodhon kurrfarë dobie ndaj një kryeministër inteligjent, përveçse do ta pezullonte menjëherë tarifën ndaj Serbisë, do t`ia hiqte urgjentisht të gjitha kompetencat presidentit kuisling e gënjeshtar Hashim Thaçit dhe merrte vetë timonin e dialogut, sepse në këto momente Kosovës i duhet një kryeministër që di dhe do të udhëheqë jo vetëm vendin, por dhe dialogun.

Haradinaj dhe Qeveria e Kosovës duhet rishikuar ligjin dhe platformën për dialogun me Serbinë, duke shkarkuar pikë së pari Hashim Thaçin nga pozita e presidentit dhe hequr atij autorizimin për dialogun, riformuluar kërkesat e qarta kundruall Serbisë dhe marrë vetë në dorë bisedimet me Serbinë”, tha Qarri për “Kosova Sot”.

Burjani: Përgjegjësia kryesore bie mbi PDK-në

Sipas analistit politik Blerim Burjani, përgjegjësinë për krijimin e kësaj situatë e ka në rëndë të parë vetë PDK-ja. “PDK-ja i ka të gjitha përgjegjësitë që në Kosovë po ndodh diçka tepër e çuditshme , politika kosovare ka parimet e saj në politikat perëndimore, por kjo gjendje kështu e krijuar nga PAN-i dhe ky hezitim se çfarë duhet bërë është i pakuptueshëm dhe tepër absurd.

Dihet mirëfilli që Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli tërë ditën flasin për SHBA-në e asnjë veprim nuk e ndërmarrin që raportet me miqtë të ruhen. Pra, është plotësisht e pakuptimtë kjo gjendje anarkike. Mua po më duket që kjo gjendje vjen nga fakti i frikës që po më duket si parandjenjë, sikur Gjykata Speciale do të marrë krerët e Kosovës dhe tani janë bërë bashkë si krahu i luftës që t’u rezistojnë të gjithëve, madje edhe në heqjen e taksës që kërkojnë SHBA-të. Më e çuditshmja është sjellja e PDK-së, e cila e ka udhëhequr politikën perëndimore në PAN. Është diçka tepër e pazakontë që po ndodh këtu. Këta as nuk po e çojnë shtetin në zgjedhje e as nuk po e riformulojnë qeverisjen.

Ramushi thotë s’ka territor për të shkëmbyer kurse PDK-ja thotë se Kosova duhet të ruajë miqësinë me SHBA-në. Shtrohet pyetja nëse është ky një krijim i një gjendje anarkie të çuditshme apo është paniku politik. Kosova qëmoti është dashur të shkarkojë kryeministrin”, theksoi Burjani për “Kosova Sot”.

Koalicioni, de fakto i prishur

Sipas Hysni Aliut, populli është lodhur me këtë situatë konfuze të krijuar nga politika, sepse e vërteta po fshihet diku dhe nuk ka transparencë as më minimale, por vetëm akuza të ndërsjella mes liderëve – krerëve politikë. “Largimi i taksës është i domosdoshëm dhe vendosja e reciprocitetit në vend të saj. Krahas me heqjen e taksës duhet të fillojë procesi i largimit të presidentit Thaçi nga pozita e tij, kurse në Shqipëri i kryeministrit Rama.

Është e qartë se një shtet nuk mund të ecën në dy drejtime në të njëjtën kohë. Neve shqiptarëve na duhen udhëheqës largpamës, mirë të edukuar dhe që nuk janë të ndërlidhur me krimin. Amerika dhe BE-ja duhet të përkrahin, formimin e qeverive me duar të pastra në të dy shtetet shqiptare, nëse duan që këto shtete të shkojnë drejt integrimit euroatlantik”, vlerësoi Aliu për “Kosova Sot”.

Sipas politologut Albinot Maloku, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, konstatimi mund të nxirret se kryeministri Haradinaj ka rënë pre e tradhtisë së partnerit kryesor politik, PDK-së dhe Hashim Thaçit. “Vullnetin e qytetarëve të Kosovës për marrëdhënie e raporte speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund ta ulë askush në asnjë pikë. Ndërsa, se kemi pasur momente, viteve të fundit kur politikat e mbrapshta të lidershipit të Kosovës kanë ditur, siç ka pas thënë ish-ambasadorja Jacobson, ‘të dh…punën’, kjo padyshim se është për gjykim. Raportin aktual mes Kosovës e SHBA-së nuk mund ta konsiderojë si të degraduar, por ndoshta si momente shprese që edhe SHBA-të do të jenë më të kujdesshme se me cilët nga klasa politike e Kosovës do të krijojnë partneritet.

Partnerët politikë të SHBA-së në Kosovë kanë ditur ta irritojnë shumë popullin dhe për pasojë të njëjtit raportin me SHBA-në e kanë keqpërdorur për politika të tyre”, u shpreh ai.“Kryeministri Ramush Haradinaj thënë shkurt u ‘la në lloç’ nga partnerët e koalicionit, me theks të veçantë nga presidenti Hashim Thaçi, i cili ka ditur të jetë shumë më i padëgjueshëm në raport me këshillat amerikane. Që të gjithë e mbështetën taksën, ndërsa kur filluan presionet nga qarqe të caktuara ndërkombëtare, atëherë u provua të krijohet situatë sikur është kryeministri Haradinaj protagonisti i përkeqësimit të raporteve me aleatin kryesor. Është mendësi e ulët politike përdorimi i presioneve të caktuara ndërkombëtare nga ana e presidentit Thaçi ndaj kryeministrit Haradinaj, për ta nxjerrë atë si njeri që nuk po i dëgjon këshillat amerikane. Gjithmonë ka sjell pasoja të rënda për vendin malverzimi i klasës politike me rrethanat në të cilat ka kaluar Kosova”, tha Maloku për “Kosova Sot”.

Qytetarët e quajnë presidentin dallaveraxhi kufijsh

Qytetarët e anketuar nga gazeta mendojnë se raportet me miqtë amerikanë nuk do të shkojnë deri në atë masë të ftohjes dhe të prishjes, sikur që po thuhet nga disa përfaqësues të partive politike, e të cilët, sipas mendimit qytetar, janë nën ndikimin e mashtrimeve të Hashim Thaçit. Qytetari Zenel Gashi mendon se kërkesa e kryeministrit që Amerika të jetë garantues i finales së marrëveshjes, e cila duhet të përmbyllet me njohje nga Serbia është e drejtë dhe duhet të mbështetet. “Kryeministri Ramush Haradinaj mua po më duket që është shumë i vendosur, sepse vërtet Amerika duhet të garantojë që për ta hequr taksen Serbia do ta njohë Kosovën, sepse me këtë edhe kryeministri Haradinaj nuk po kërkon gjë tjetër veç që kufijtë të mos ndryshojnë, të mos luhet lojë me kufijtë.

Pra, me rëndësi të dorës së parë është që të mos preken kufijtë, edhe nëse Serbia nuk na njeh, por le të normalizohen marrëdhëniet dhe të ketë një lloj normaliteti pa cenim të kufijve ekzistues. Çështja e njohjes edhe mund të mbetet çështje e inversit dhe vullnetit të bashkëpunimit të ndërsjellë, nuk kemi nevojë ta lusim edhe aq shumë, por me rëndësi është të mos preken kufijtë e shtetit të Kosovës, brenda të cilëve na kanë njohur më shumë se 100 shtete në mesin e të cilave, ndër të parët Amerika. Tekefundit, vetëm nëse garanton Amerika që në këto bisedime nuk do të luajnë kufijtë ekzistues besoj që me këtë garanci të pranuar edhe kryeministri dhe qeveria do të vendosnin për heqjen e taksës”, u shpreh ai.

“Sa i përket Hashim Thaçit, unë kam thënë edhe më herët se ai i ka bërë disa hapa të mirë gjatë luftës, por së fundi po më duket se po del dallaveraxhi. Nëse del me këto kërkesa për ndryshim kufijsh, nëse del ashtu po del tradhtar, e që Edi Rama po thotë se kush i thotë tradhtar është gomar, sepse as ai nuk është njeri i mirë”, vijoi më tej Gashi.
Qytetari Sabit Salihi tha se tani edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, disa nga të mirë informuarit, po nxjerrin në shesh mashtrimet dhe gënjeshtrat që po i bën Hashim Thaçi në emër të Amerikës dhe presidentit Tramp.

“Në presidentin amerikan Tramp kam qenë shumë i ftohtë deri dje, kur doli deputeti Ilir Deda me një deklaratë, që unë i besoj shumë, sepse nuk është rrenc dhe i tha disa gjëra që tregoi se çka ka gënjyer Hashim Thaçi. Ai ka shkuar atje dhe është munduar që edhe amerikanët t’i bindë se kinse shumica e popullit të Kosovës është për shkëmbim të territorit, që nuk është ajo fare e vërtetë, sepse nuk ka mbështetje as në 10% të popullatës së Kosovës. Ai nuk ka as vota, as legjitimitet qytetar nuk ka dhe po të kishte pak mendje dhe moral do të ishte dashur tash të japë dorëheqje menjëherë.

Mendoj që taksa ndaj Serbisë është dashur të vendoset qysh në vitin 1999, sepse izraelitët që prej vitit 1947 kanë vendosur dhe nuk marrin fare mallra nga Gjermania, e pse të mos ia bëjmë edhe ne bllok Serbisë që ka bërë gjenocid këtu”, u shpreh ai. “Çfarëdo që propozon Hashim Thaçi, asgjë nuk duhet të pranohet, sepse janë në pyetje vetëm interes e tij personal, sikur që ishte lajmi i rrejshëm për kinse kërcënimin e tërheqjes së Amerikës nga Bondstilli, një lajm i fabrikuar nga spiuni i UDB-së, Baton Haxhiu, në marrëveshje me Hashim Thaçin, vetëm e vetëm që të krijojnë frikë dhe huti në opinionin e gjerë te qytetarët e Kosovës”, potencoi Salihi.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.