Fundamenti

Taksa, kauza për vota, që po na prish me Amerikën

/ 16 minuta lexim
ARKATANA

Edhe analistët politikë, por edhe qytetarët, konsiderojnë se tani me këtë qëndrim të ngurtë të kryeministrit Haradinaj ai po i fut veten dhe Kosovën në izolim, jo vetëm nga amerikanët, por madje edhe evropianët, dhe po i sjell dëme tejet të mëdha dhe të pariparueshme shtetit të Kosovës.

Aliu: Anulimet e vizitave dhe mosardhja e figurave të larta shtetërore në Kosovë është shenjë se shtetet mike po i izolojnë pushtetarët e Kosovës

“Anulimet e vizitave dhe mosardhja e figurave të larta shtetërore amerikane në vizitë në Kosovë, siç është rasti i komandantit të Gardës Kombëtare të Iowas, gjeneralit Timothy Orr, është shenjë se shtetet mike dita-ditës po i izolojnë pushtetarët e Kosovës. Tashmë u ka dalë ngjyra kauzave të rrejshme të politikanëve të papërgjegjshëm për mbajtjen, gjegjësisht marrjen e pushtetit, të cilët janë të gatshëm në çdo kohë t’i vënë flakën vendit për realizimin e qëllimeve personale e grupore. Mbase është momenti i fundit që të vetëdijesohen politikanët kosovarë, për t’i lënë kapriçiet individuale në favor të shtetit dhe për të mirën e qytetarëve”, theksoi analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Sikur që u bë publik lajmi dhe u konfirmua edhe nga Qeveria e Kosovës, komandanti i Gardës Kombëtare të Iovas, gjeneralmajori Timothy Orr, e ka anuluar vizitën e planifikuar për në Kosovë, që është dashur të zhvillohet në ditën e djeshme, për shkak të refuzimit nga qeveria kosovare për pezullimin e taksës ndaj Serbisë. Analistët politikë, por edhe qytetarët, po e shohin këtë heqje dorë nga vizita e delegacionit ushtarak amerikan në Kosovë si kundërpërgjigje të Qeverisë amerikane ndaj mospërfilljes së kërkesës për pezullimin e taksës ndaj Serbisë nga ana e Qeverisë ‘Haradinaj’.

Edhe analistët politikë, por edhe qytetarët, konsiderojnë se tani me këtë qëndrim të ngurtë të kryeministrit Haradinaj ai po i fut veten dhe Kosovën në izolim, jo vetëm nga amerikanët, por madje edhe evropianët, dhe po i sjell dëme tejet të mëdha dhe të pariparueshme shtetit të Kosovës.

Është vlerësim i analistëve se këtë po e bën tani Haradinaj vetëm për vota, që të dalë nesër para elektoratit dhe të thotë se ai nuk heq taksën dhe nuk dëgjon askënd dhe kështu fare nuk e mendon se me Amerikën nuk shtyhen shtetet e mëdha, e jo Kosova, që është kryesisht produkt amerikan si shtet i ri. Është një porosi serioze qytetare, por edhe nga analistët që kryeministri duhet lënë kapriçiet individuale në favor të shtetit, sepse anulimet e vizitave dhe mosardhja e figurave të larta shtetërore në vizitë në Kosovë janë shenje serioze që tregojnë se shtetet mike po i izolojnë pushtetarët e Kosovës, ata pushtetarë të cilët edhe ia kanë shkatërruar deri më tani bukur shumë imazhin shtetit, aq sa edhe ndërkombëtarët me influencë nuk po dëshirojnë që të takohet me ta.

Aliu: Kosova si shtet është produkt amerikan

Pa dyshim anulimi i vizitës në Kosovë i gjeneralmajorit Timothy Orr është një shenjë e keqe për Kosovën, e cila akoma nuk po e pezullon (për një kohë) taksen në produktet serbe e boshnjake, të cilën po e kërkon shteti amerikan. Ndaj, për këtë kryeministri ynë po i fut veten dhe Kosovën në izolim, jo vetëm nga amerikanët, por edhe evropianët, ku po i sjell dëme të mëdha shtetit të Kosovës. Taksa e vendosur me plot arsye, e ka arsyetuar Kosovën si shtet dhe ka pasur jehonë të madhe politike.

Atëherë pra kryeministri ynë tani duhet të jetë më fleksibil dhe të koordinojë me të gjithë liderët politikë për ta pezulluar për një kohë (3-4 muaj) taksen me kushte dhe t’i hapë udhën e përparimit shtetit të Kosovës. Haradinaj nuk duhet kurrsesi t’i kundërvihet Amerikës, shtetit më të fuqishëm dhe më të dashur për kosovarët. Dihet mirëfilli se Kosova si shtet është produkt amerikan si shtet. Andaj, çdo kapriçie individuale duhet larguar për të mirën e shtetit të Kosovës. Pra, anulimet e vizitave dhe mosardhja e figurave të larta shtetërore në Kosovë është shenjë se shtetet mike po i izolojnë pushtetarët e Kosovës. Me këtë, politikanët tanë po e shkatërrojnë imazhin e Kosovës, saqë asnjë nuk dëshiron që të takohet me ta”, tha analisti politik Bislim Aliu për “Kosova Sot”.

Zeqa: Bunkerizimi i Kosovës

Analisti politik Florim Zeqa i ka thënë gazetës “Kosova Sot” se anulimet e vizitave dhe mosardhja e figurave të larta shtetërore amerikane në vizitë në Kosovë, siç është rasti i komandantit të Gardës Kombëtare të Iowas, gjeneralit Timothy Orr, është shenjë se shtetet mike dita-ditës po i izolojnë pushtetarët e Kosovës. “Aq shumë i kanë shkatërruar imazhin Kosovës politikanët injorantë saqë asnjë zyrtar i lartë perëndimor nuk dëshiron që të takohet me ta.

Këta politikanë të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe arrogantë ndaj ndërkombëtarëve janë duke e “bunkerizuar” Kosovën dhe izoluar edhe më tej qytetarët e vendit. Futja e Kosovës në izolim shkaku i politikanëve, jo vetëm nga amerikanët, por edhe evropianët, përveç dëmeve të pariparueshme për shtetin e Kosovës, është duke e ndihmuar agjendën serbe ndaj Kosovës”, u shpreh ai.“Tashmë u ka dalë ngjyra kauzave të rrejshme të politikanëve të papërgjegjshëm për mbajtjen, gjegjësisht marrjen e pushtetit, të cilët janë të gatshëm në çdo kohë t’i vënë flakën vendit për realizimin e qëllimeve personale e grupore. Mbase është momenti i fundit që të vetëdijesohen politikanët kosovarë, për t’i lënë kapriçiet individuale në favor të shtetit dhe për të mirën e qytetarëve”, vijoi më tej Zeqa.

“Liderët shtetërorë dhe partiakë duhet ta kenë të qartë një gjë, se me shtetet e mëdha nuk shtyhet, e aq më pak me Amerikën, për shkak se Kosova është e lirë kryesisht falë amerikanëve dhe shteti ynë është produkt puro amerikan. Kësisoj, fati ynë si komb dhe e ardhmja e shtetit të Kosovës në veçanti është e lidhur ngushtë me interesat amerikane në Ballkan”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Izolimi po thellohet

Analisti politik Ragip Guraziu tha për “Kosova Sot” se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duhet të jetë në dijeni se Kosova është kryesisht produkt amerikan si shtet, prandaj nuk ka asnjë interes që të përkeqësohen dhe acarohen raportet me SHBA-në.

“Dhe tani po duket që veç iu hakmor kryeministrit, sepse komandanti i Gardës Kombëtare të Iovas, gjeneralimajori Timothy Orr, e ka anuluar vizitën në Kosovë, duke ia bërë me dije kryeministrit Haradinajt se duhet të jetë i dëgjueshëm për amerikanët, të cilët e kanë përkrahur dhe do ta përkrahin Kosovën deri në fund të finalizimit totalisht, të ndërtimit shtetit, duke përfshirë këtu dhe ruajtjen e kufirit dhe tokës arbërore të shtetit të Kosovës. Mirëpo, kryeministri Haradinaj kështu siç ka filluar do ta futë vetë edhe Kosovën në izolim, nëse nuk merren parasysh kërkesat miqësore të miqve ndërkombëtarë, sidomos atyre amerikanë”, theksoi ai.

“Nëse nuk i ndryshon qëndrimet kjo lë të kuptohet se Haradinaj po e bën këtë vetëm për vota, që të dalë nesër para elektoratit dhe të thotë se ai nuk e heq taksën dhe nuk dëgjon askënd, por ky do të jetë pozicionim i gabueshëm, sepse Haradinaj nuk e mendon se me Amerikën nuk shtyhet, nuk shtyhet me shtetet e mëdha, e Kosova që është kryesisht produkt amerikan si shtet dhe pret shumë nga mbështetja amerikane.

Duhet t’i lërë Haradinaj kapriçiet individuale në favor të shtetit dhe interesit nacional, e jo të niset nga parimi i interesat individual. Tani, siç jemi në dijeni, janë anulimet e disa vizitave dhe mosardhja e figurave të larta shtetërore në vizitë në Kosovë, shenja që flasin se shtetet mike po i izolojnë pushtetarët e Kosovës, sepse shumë nga këta edhe kanë punuar për ta shkatërruar imazhin Kosovës, shumë nga këta politikanë që tani asnjë figurë ndërkombëtare me peshë serioze nuk dëshiron që të takohet me ta”, tha Guraziu për “Kosova Sot”.

Badallaj: Nuk duhet lidhur brirët me Amerikën, se ne karshi Amerikës bëhemi vetëm qesharakë

Mobi Casa

Analisti politik Reshat Badallaj tha për “Kosova Sot se askush nuk thotë se taksa 100 për qind nuk duhet të jetë, bile është shumë e vonuar, mirëpo një gjë duhet ditur dhe duhet pasur parasysh se Ramush Haradinaj nuk mund të bëjë politikëbërjen me dajak në krah.“Fjalën e kam, nuk duhet lidhur brirët me Amerikën se ne karshi Amerikës bëhemi vetëm qesharakë.

Amerika ditë më parë foli qartë dhe këmbëngul në kërkesat e saj. Dhe, anulimi i vizitës nga gjeneralmajori amerikan, z. Timothy Orr, duhet marrë shumë seriozisht dhe jo të na futë në sherr me miqtë më të fortë të botës që na përkrahen në momentet më të vështira.

Përpos kësaj, Amerika është duke shqyrtuar edhe masa të tjera, të rrepta, kundër Kosovës dhe mendoni se ne të vazhdojmë akoma t´i biem murit me kokë, të marrim në qafë vendin dhe fatin e Kosovës me lloj-lloj budallallëqe, ta zëmë nuk mund të vihet fati i vendit për interesa personale as të bandave që do të dalin në zgjedhje dhe e dyta, kinse ta shpëtojë fytyrën e tij që heshti për Çakorrin, Kullën dhe Zhlebin, që ishte i krisur dhe fliste përçartë me ofendime, kinse për të mbrojtur 8 mijë e ca hektarë tokë që ia falën Malit të Zi ”, tha Badallaj për “Kosova Sot”.

Mehmeti: Kosova nuk guxon të mbetet peng dhe e izoluar nga kjo klasë politike

Sipas analistit politik Faton Mehmeti “taksa më tepër është për konsum të brendshëm elektoral dhe si luftë brenda koalicionit qeverisës. Duke e ditur se ishte PDK-ja ajo që futi në kurth z. Haradinaj, ky i fundit për shkak të kësaj s’po e heq taksën, ndonëse e di se s’mund të rezistojë dhe gjatë.

Anulimi i vizitës së gjeneralit amerikan në Kosovë është mesazh i fortë nga SHBA-ja se vendi nuk guxon edhe shumë kohë të mbajë këtë taksë, përndryshe rrezikon shumë që marrëdhëniet me SHBA-të të dëmtohen shumë. Natyrisht se kjo nuk është në interes të vendit tonë, e cila si aleat kryesor ka SHBA-në, pa të cilën s’do të ishim sot ku jemi. Duhet që raportet e brendshme të koalicionit mos t’i prishin marrëdhëniet me SHBA-në, të cilat janë miku dhe aleati ynë kryesor. Kosova nuk guxon të mbetet peng dhe e izoluar nga kjo klasë politike, e cila për interesa të tyre po e dëmton vendin.

Besoj dhe dua të shpresoj se marrëdhëniet me SHBA-në nuk do të dëmtohen. Atë që e bëri presidenti Rugova duke lidhur marrëdhënie permanente me SHBA, këta që po thirren në emër të luftës po e dëmtojnë atë që është arritur me shumë mund dhe sakrificë”, theksoi Mehmeti.

Bojaj: Taksa 100% ndaj produkteve serbe është dashur të vendoset menjëherë pas shpalljes së pavarësisë

Analisti politik dhe publicisti Ramiz Bojaj vlerëson se tani Kosova është në kurth, sepse janë aventurat e papërgjegjshme të presidentit të shtetit, Hashim Thaçi, që kanë futur kryeministrin Ramush Haradinaj në kurthin e tradhtisë tij, e bashkë me këtë edhe Kosovën.“Janë më shumë se 100 vjet qe Serbia u angazhua të gjejë një toptan shqiptar në Kosovë, i cili konkretizon planin serbo-rus, për krijimin e territoreve serbe e shqiptare në Kosovë, në kontekst të të cilit vjen ndarja e vendit tonë.

Taksa 100% ndaj produkteve serbe, edhe pse është dashur të vendoset para 10 vitesh, sot u bë pengesë e bisedimeve për ndarjen e Kosovës. Kushdo që shihet si pengesë në këtë rast, futet në kurthet e eliminimit politik, ngase këtu kemi të bëjmë me një veprim pengues në realizimin e planit serb. Lobimi i pandalshëm i presidentit tonë për realizimin e planit serb për shkëmbim territoresh, me automatizëm, ka marrë mbështetjen e aleancës antishqiptare, por tashmë ka acaruar edhe raportet e Kosovës me aleatët tanë, pra edhe me SHBA-në, sepse Amerika është lodhur me aventurierët tanë, të cilët rrënuan shtetin tonë nga brenda, por edhe kredibilitetin e shtetit në kontekstin ndërkombëtar.

SHBA-ja ka parime të paluhatshme për paqe, por janë aventurierët tanë, të cilët duke lobuar për interesat e Serbisë, po e paraqesin ndarjen e Kosovës si projekt paqeje. Ky është manovrim mashtrues i liderëve të korruptuar, të cilët duhet të pezullohen e të ndalën me çdo kusht”, u shpreh ai.“Taksa 100% ndaj produkteve serbe është dashur të vendoset menjëherë pas shpalljes së pavarësisë në 2008, por edhe pse me vonesë dhe pa ndonjë studim paraprak, prapëseprapë duhet të qëndrojë, sepse ka favorizuar në masë të madhe prodhimet vendore, por edhe është bërë mur pengese në planin serb për shkëmbim kufijsh.

Anulimi i vizitës në Kosovë të komandantit të Gardës Kombëtare të Iovas, gjeneralmajorit Timothy Orr, tregon dergjen në të cilën ka rënë vendi ynë, pas avancimit të planit serb për ndarjen e vendit tonë. Kjo është pasojë e lobimit të vazhdueshëm të presidentit tonë për ndarjen e Kosovës, përkrahjes nga ana e Edi Ramës në Shqipëri dhe ‘gatishmërisë’ së Serbisë për realizimin e planit famëkeq për shkëmbim territoresh’, vlerësoi Bojaj për “Kosova Sot”. Sipas tij, Kosova është në kurth të madh, ku injorimi dhe presioni ndërkombëtar për heqjen e taksës është shtuar dhe kjo do të vazhdojë për aq kohë sa të qëndrojë në tavolinë ideja për ndarjen e Kosovës.

Qytetarët ia tërheqin vërejtjen politikës grindavece

Edhe qytetarët e anketuar nga gazeta kanë deklaruar se tanimë pos shihet qartë që Kosova po rrezikon të izolohet nga miqtë e vet më të mëdhenj ndërkombëtarë, amerikanët dhe evropianët, për shkak të kapriçieve individuale të politikanëve të Kosovës, në këtë rast të kryeministrit Haradinaj.

Sipas qytetarëve, kjo po vërehet edhe me vendimin e fundit të anulimit të vizitës në vendin tonë nga komandanti i Gardës Kombëtare të Iovas, gjeneralmajori Timothy Orr. “Unë mendoj që anulimi i vizitës nga delegacioni ushtarak amerikan në Kosovë është një paralajmërim i keq për institucionet e shtetit të Kosovës, për krerët e këtij shteti, dhe unë po ashtu konsideroj se ky anulim paraqet edhe një rrezikshmëri të izolimit të mundshme të politikanëve të papërgjegjshëm të Kosovës, por edhe të vetë shtetit të Kosovës.

Kjo nuk duhet të ndodhë kështu me Kosovën, sepse ne nuk na konvenojnë izolimi dhe prishja e raporteve, sidomos me Amerikën, sepse dihet që miku më i mirë i kombit shqiptar, e në këtë aspekt edhe i Kosovës, janë amerikanët, e që me sjelljet e papërgjegjshme të politikës, sikur këtyre miqve, po u kthehet shpina. Kjo është një sjellje e patolerueshme dhe e papranueshme nga njerëzit përgjegjës të politikës.

Ne si qytetarë nuk guxojmë t’i lejojmë politikës sonë që t’i prishë raportet me SHBA-në, por duhet që t’i themi po Amerikës me gjithë potencialin politik, intelektual e qytetar që e kemi, sepse Amerika është i vetmi shtet që i ka prirë kolonës aleate për t’i ndalur në mihmë popullit shqiptar në të gjitha kohërat më të vështira”, tha Selver Lenjani për “Kosova Sot”. Mundësinë e izolimit të Kosovës për shkak të politikës së papërgjegjshme e sheh me rrezik të madh edhe qytetari Ismail Hamiti.“Për çdo ditë e më tepër, tek qytetarët e Kosovës po mendohet që vendosja e taksës nga ana e Qeverisë së Kosovës për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina e ka arritur efektin e vet, mirëpo tani mendoj që kjo nuk duhet të vazhdohet kështu deri në pa kufi, por duhet ta ketë një përkufizim kohor, për t’i dhënë shans edhe një herë procesit të bisedimeve duke e pezulluar atë vetëm përkohësisht, për të parë çfarë sjelljesh do të ketë Serbia në raport me Kosovën.

Tani po shihet që kemi pasur në agjendë vizitën e një delegacioni të lartë ushtarak amerikan, vizita e të cilit ka qenë shumë e rëndësime që të zhvillohet në Kosovë, por ja që kjo vizitë u anulua dhe tani indikacionet janë që këtu diçka nuk është në rregull sa i përket vazhdimit të mbajtjes edhe për një kohë të barrierës së taksës”, vlerësoi Hamiti. Sipas tij, duhet të mendohet seriozisht se mos ka ardhur koha tash që të lihet pak javë a muaj anash një pezullim i përkohshëm për ta bërë test, por me mundësi që të rivendoset përsëri nëse gjërat nuk shkojnë në favor dhe në interes të shtetit të Kosovës dhe normalizimit të dëshirueshëm të raporteve me Serbinë.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.