Haradinaj: Taksa nuk hiqet kurrë nëse Serbia nuk e njeh Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar sërish se taksa e vendosur ndaj produkteve serbe nuk do të hiqet pa pasur fillimisht një marrëveshje për njohjen e Kosovës nga Serbia, raporton zeri.info.
Në një konferencë për media, të mbajtur pas mbledhjes së sotme të qeverisë, Haradinaj tha se ai vetë i ka propozuar komisionarit të BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, që ta bëjë gati një zgjidhje për kapitullin e tregtisë së lirë me Serbinë. Por sipas tij, taksa nuk hiqet pa u bërë edhe marrëveshja për njohje, pasi siç ai është shprehur, vendimi merret vetëm atëherë kur edhe kapitujt e tjerë të jenë të gatshëm.
“Ia kam propozuar edhe unë që ta bëjë gati një zgjidhje për kapitullin ekonomik, por zgjidhja e kapitullit ekonomik është e ndërlidhur. Ai e bën gati një opsion, por opsioni i tillë nuk mund të vendoset ndaras, nuk mund të zgjidhet vetëm kjo temë. Kjo temë zgjidhet kur të përgatiten edhe kapitujt e tjerë. Vendimi për këtë merret kur kemi edhe kapitujt e tjerë të gatshëm”, theksoi ai.
Rrjedhimisht, nëse në këta kapituj ka marrëveshje për njohje, Hardinaj tha se do të mund të kishte suspendim të taksës.
“Nëse shkruhen krejt kapitujt si ky i Hahnit për çështjen e tregtisë së lirë, shkruhen edhe të tjerë dhe ne besojmë që në këta kapituj ka bazë për një marrëveshje. Ne do të ishim në gjendje ta suspendonim për një konferencë, por jo për një proces pakufi. Ta suspendonim me një afat kohor, t’ia jepnim shansin një nënshkrimi të marrëveshjes, për njohje jo për tjetër. Nëse është bërë gati marrëveshja për njohje, po, ia japim shansin marrëveshjes, se nuk e kemi qëllimin ta vonojmë ose ta pengojmë marrëveshjen”, potencoi ai.
Mirëpo, nëse Serbia thotë se nuk e njeh kurrë Kosovën, atëherë taksa siç u shpreh shefi i ekzekutivit nuk do të hiqet asnjëherë.
“Nëse Serbia dëshiron që ne ta supsendojmë taksën, kjo është reciprociet. Pra nuk ka veprime ‘ne hapim’ derën e andej ka barrigada e agresivitet, nuk ka ashtu. Çdo vend normal i mbështet interesat e veta, edhe ne do të veprojmë kështu. Ne skemi urrejtje ndaj asnjë vendi në botë, por ne do ta mbrojmë veten. Nëse Vuçiqi e Daçiqi thonë ‘nuk ju njohim’ çka po presim prej neve? Që ne të themi ‘po e heqim a’? Jo, kurrë, s’e heqim kurrë”, nënvizoi kryeministri. /Zeri

