Mustafa nuk takohet me liderët e shtetit, flet me O’Connell dhe Apostolovën. Zbardhen pak detaje
Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, sot është takuar me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë Ruairí O’Connell dhe shefen e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova. Në këto dy takime të ndara u tha se u diskutua për ngjarjet e fundit politike në vend, konkretisht për dialogun me Serbinë, shkruan Gazeta Express.
Në njoftimet dërguar mediave, LDK tha se Mustafa ka diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi, mirëpo nuk ka cekur nëse partia e tij do të përfshihet në bisedime.
“Duke e falënderuar për mbështetjen e pazëvendësueshme të Britanisë për Kosovën, kryetari Mustafa shprehu përkushtimin e LDK-së dhe të qytetarëve të vendit për të thelluar bashkëpunimin edhe më tutje”, tha njoftimi për takimin e ambasadori O’Connell me Mustafën
Po ashtu, Mustafa gjatë ditës së sotme është takuar me Përfaqësuesen e Posaçme të BE-së dhe Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.
“Gjatë takimit u diskutua për situatën aktuale politike në vend. znj. Apostolova falënderoi kryetarin Mustafa për mikpritjen dhe inkurajoi LDK-në të vazhdojë të ketë rol konstruktiv në zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës”, tha njoftimi për media.


