Faredin Sylaj përfundimisht lirohet nga akuzat, bije poshtë ankesa e Prokurorisë
Gjilan – Gjykata e Apelit e Kosovës departamenti për krime të rënda në kolegjin e kryesuar nga gjykatësi Abdullah Ahmeti ka hedhur poshtë si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit duke e vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit për lirim nga të gjitha akuzat të inspektorit të ATK-së, Faredin Sylajn.
Gjykata Themelore e Gjilanit në aktgjykimin e saj të datës 27.04.2017 kishte liruar në mungesë të provave Faredin Sylajn për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe tri veprave penale “Marrja e ryshfetit”.
Kundër këtij aktgjykimi ishte ankuar Prokuroria Themelore e Gjilanit derisa Gjykata e Apelit e kryesuar nga Abdullah Ahmeti e ka hedhur si të pabazuar ankesën e Prokurorisë dhe e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës së Gjilanit.
Duke dhënë shpjegimin e saj Gjykata e Apelit ka konstatuar se ankesa e prokurorisë është e pa bazuar sepse gjendja faktike të cilën e ka vërtetuar Gjykata e shkallës së parë nuk vëhet në dyshim, meqë vetë dëshmitarët kanë vërtetuar se deklaratat e dhëna në polici dhe prokurori nuk janë të vërteta. “Pra, sipas Gjykatës së Apelit të Kosovës pasi që gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur që me asnjë provë të drejtpërdrejtë të vërtetojë se i akuzuari është kryes i veprave penale për të cilat është akuzuar, ka gjetur se ankesa e Prokurorisë Themelore në Gjilan, duhet refuzuar dhe është vërtetuar aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, ngase në bazë të ligjit në rast të dyshimit veprohet në favor të akuzuarit” thuhet në vendimin e Apelit.
Avokati mbrojtës Shemsedin Pira e ka mirëpritur vendimin e Apelit duke thënë se përfundimisht është konstatuar edhe teza e mbrojtjes se klienti i tij ishte atakuar padrejtësisht./rajonipress/


