Politikanët e papërgjegjshëm ua bënë ferr jetën qytetarëve
Nëse shikohen me një sy shumë kritik angazhimet e të gjitha partive politike në vend, para dhe pas shpalljes së pavarësisë, del një konstatim i plotë se realisht, deri më tani, asnjëra parti politike në Kosovë nuk e ka pasur as nuk e ka në fokus përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe mirëqenien e tyre, por vetëm etjen e madhe për pushtet e përfitime. Qëllimi i tyre është të zënë pozita, nga ku mund të abuzohet me ligjet dhe për t’i keqpërdorur me pastaj të njëjtat.
KJO SKENË POLITIKE MENDOI VETËM PËR ZHVATJE DHE JO PËR INTERESA TË QYTETARËVE
Mulliqi: Liderët partiakë bashkë me strukturat në krye janë ngritur mbi interesat e shtetit
“Kjo klasë politike është e lidhur me nëntokën kriminale e që kushdo që vjen në pushtet vepron në saje të lidhjeve me ‘nëntokën’, e cila në fakt e kontrollon dhe sundon shtetin dhe mbahet në pushtet nga vetë qytetarët, me votën e tyre. Partitë politike kanë etjen e tyre për pushtet e kjo po dëshmohet edhe 18 vjet pas lufte, kur kjo politikë është e dhënë pas përfitimeve marramendëse, luksit përmes abuzimeve me ligjin, pa i dhënë llogari askujt. Këso sallamadie gjen vetëm në Kosovë”, është shprehur analisti Ragip Guraziu
Nëse shikohen me një sy shumë kritik angazhimet e të gjitha partive politike në vend, para dhe pas shpalljes së pavarësisë, del një konstatim i plotë se realisht, deri më tani, asnjëra parti politike në Kosovë nuk e ka pasur as nuk e ka në fokus përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe mirëqenien e tyre, por vetëm etjen e madhe për pushtet e përfitime. Qëllimi i tyre është të zënë pozita, nga ku mund të abuzohet me ligjet dhe për t’i keqpërdorur me pastaj të njëjtat.
Për më keq, sipas njohësve të kësaj skene politike, për pasojë të mbylljes së partive politike në interesat e tyre të ngushta kriminale, po vazhdon të shtohet çdo ditë apatia e qytetarëve, e cila u vërejt dukshëm edhe në zgjedhjet e qershorit, por që do të reflektojë edhe më shumë në zgjedhjet e tetorit. Tanimë situata bëhet edhe më e pashpresë nga fakti se qytetarët nuk po kanë zgjidhje se për kë të votojnë, pasi që të gjitha partitë pa dallim janë bërë gati të të njëjta, të korruptuara, të inkriminuara dhe të provuara me pushtet abuziv e kriminal, në të dyja nivelet e pushtetit, sepse kushdo që vjen në pushtet vepron në saje të lidhjeve me “nëntokën”, e cila në fakt e kontrollon dhe sundon shtetin.
Kuqi: Kosova u bë një shtet jofunksional
Politologu Gurakuq Kuqi pohon se Kosova ka një krizë politike dhe krizë për politikanë, e cila po dëshmohet në jetën publike e institucionale që nga paslufta e deri më sot.”Kjo krizë politike nuk po arrin të zgjidhet as sot, siç po dëshmohet, dhe jo për shkak të ndasive dhe mospajtimeve për parime politike, mënyrën e qeverisjes, etj., por e gjitha për shkak të ndarjes së kulaçit të pushtetit dhe eliminimit të palës tjetër në pjesëmarrjen në kulaç. Pra, ne asnjëherë nuk jemi gjendur në kriza politike dhe institucionale, për shkak të mospërputhjeve politike, por kundërshtimi çdoherë ka qenë se kush me kë do ta ndajë kulaçin dhe debatet fatkeqësisht janë përqendruar tek matematikat e tilla dhe jo tek ato të programeve qeverisëse. Ky është problemi i mendësisë politike dhe mediatike që i shtyn përpara debatet që realisht nuk janë në interes të qytetarit se kush patjetër e bën qeverinë, por se kush çka punon në të mirë të qytetarit”, është shprehur Kuqi. Sipas tij, partitë politike janë faktori kryesor për një mendësi të tillë politike në Kosovë, sepse asnjë nga to nuk buron nga populli dhe nuk punon për interesa të popullit, por vetëm sa dëshiron që të gjejë mënyra të manipulojë popullin për vota dhe të bëjë matematika dhe kurthe për ta fituar dhe ruajtur pushtetin oligarkik, duke shfrytëzuar demokracinë e brishtë në Kosovë. “Partitë politike, duke menduar vetëm për interesat e tyre, kanë arritur që Kosovën ta bëjnë shtet jofunksional, bartje të pushtetit jo koheziv, kriza politike dhe institucionale të vazhdueshme dhe shumë veprime që studiuesit e shkencave sociale kanë filluar nga 2014 e tutje ta fusin shtetin e Kosovës në grupin e shteteve të dështuara pa potencial dhe aftësi për funksionalitet. Megjithatë, Kosova ka potencial dhe njerëz që janë shtetarë, por mundësia e tyre për dalje në skenë është inekzistente, pasi oligarkia e tanishme nuk lejon gjëra të tilla që ua rrezikon pushtetin”, theksoi analisti Gurakuq Kuqi.
Shteti, i kapur nga oligarkët politiko-financiarë
Analisti Skënder Mulliqi konstaton se një situatë e tillë vjen pasi partitë politike në Kosovë janë lideriste dhe ato mbeten të okupuara e mbikontrolluara nga liderët e tyre pa alternativa të tjera ideore e programore.”Duket se ata të cilët janë në krye të partive politike e kanë përzier shumë konceptin liderist me konceptin e autokracizmit, që është instaluar në partitë politike. Liderët partiakë bashkë me strukturat në krye janë ngritur mbi interesat partiake dhe mbi interesat e shtetit. Shumë pak deri më sot janë realizuar interesat e elektoratit dhe interesat e përgjithshme të qytetarëve. Partitë nuk po iu përmbahen as programeve të veta që është absurditet i llojit të vet. Të gjitha këto të meta kanë bërë që këto parti mos ta kenë në fokus përmirësimin e jetës së qytetarëve, të cilët po rrezikohen ekonomikisht dhe po jetojnë në frikë për të nesërmen e tyre. Po jetojnë në frikë së i gjithë aparati shtetëror është vënë në funksion të grupeve të fuqishme partiake dhe shtetërore”, është shprehur Mulliqi. Kjo strukturë politike në pushtetet e pas luftës, sipas tij, kanë bërë që shoqëria jonë gjithnjë e më shumë të kriminalizohet.”Shtrohet pyetja tani se çfarë shteti mund të kemi kur njerëzit e fuqishëm të partive politike, të pushtetit dhe njerëzit e fuqishëm të biznesit janë të paprekshëm nga ligji? Sigurisht se këtu bëhet fjalë për kapje të shtetit nga oligarkët politiko-financiarë”, ka theksuar Mulliqi.
Sipas tij, nëse krimi dhe korrupsioni nuk bien në suaza të normalitetit, rruga jonë prosperuese është e mbyllur. “Njeriut të Kosovës i duhet jeta më e mirë dhe shumë më e begatshme. Mos të jetohet në frikë permanente, siç e kemi situatën aktualisht në vend”, theksoi Skënder Mulliqi./kosova sot/


