Papërgjegjësia e zyrtarëve komunal i ka tejkaluar të gjithë kufijtë, të aktivizohet Prokuroria
Gjilan – Banorët që jetojnë përgjatë parkut të qytetit janë të tmerruar me papërgjegjësinë e zyrtarëve komunal. Ramadan Maliqi banor në pjesën e parkut thotë edhe çka duhet të ndodhë që Luta t`i hap sytë dhe ta kuptojë se parku i qytetit është zemra e Gjilanit, edhe çka duhet të ndodhë që të aktivizohet Jetish Maloku e të hetojë këtë papërgjegjësi totale të institucioneve komunale.
Parku i qytetit çdo ditë e më shumë po vdes. I tërë ky kaos mjedisor po shkaktohet nga neglizhenca e drejtorisë së shërbimeve publike. E banorët që jetojnë në pjesën e parkut janë të indinjuar dhe të revoltuar me atë që po ndodhë para syve të tyre.
Ramadan Maliqi banor në pjesën e parkut thotë se dikur parku ishte vendi më i frekuentuar për të gjitha moshat. “Tani jemi në hall nga erërat e rëndë dhe kundërmuese. Jeta na është bërë e padurueshme nga bërllogu dhe papastërtia” shprehet Maliqi.
Maliqi thotë se Lutfi Haziri duhet ta kuptojë se ka përgjegjësi institucionale për hapësirat publike. “Edhe çka duhet të ndodhë në këtë park që Luta të zgjohet nga gjumi. Edhe çka duhet të ndodhë në këtë park që Luta të ndërmarrë masa ndaj zyrtarëve të shërbimeve publike të cilët asnjëherë nuk e vizitojnë parkun, tashmë të shkatërruar. Edhe çka duhet të ndodhë që Jetish Maloku të aktivizohet e të marrë në pyetje për papërgjegjësi e keqpërdorim të detyrës zyrtare këta zyrtar komunal injorant e të padijshëm” shprehet Maliqi.
Maliqi thotë se një ditë banorët ndoshta edhe do ta bllokojnë çdo lëvizje të qytetarëve. “Më mirë të shiritohet parku sesa të ecin qytetarët nëpër atë pisllëk. Unë ende shpresoj që dikush duhet ta kuptojë se po ndodhë një krim i rëndë mjedisor dhe po ndodhë një krim i madh ndaj qytetarëve” tha Ramadan Maliqi./rajonipress/


