Skenën politike e pret ndëshkimi meritor më 22 tetor
Vazhdimi eventual i krizës në krijimin e institucioneve të reja deri në zgjedhjet e rregullta lokale, dhe shkuarja përnjëherë në dy palë zgjedhje më 22 tetor, sipas analistëve politikë, mund të japë ndëshkimin e fundit vdekjeprurës nga qytetarët e stërlodhur për këtë klasë politike. Sipas analistëve, një ndëshkim i tillë meritor patjetër do të duhej të vinte edhe për faktin se, nëse nuk arrihet të formohet Qeveria e re dhe shkohet përsëri në zgjedhje të reja, më së shumti do ta pësojnë përsëri qytetarët e papunë, pa viza dhe të izoluar tërësisht, të cilët duke mos parë perspektivë as mundësi mbijetese në vendin e vet, detyrohen vazhdimisht të kërkojnë shteg për të ikur sa më larg shtetit.
Burjani: Qytetarët duhet t’ua tregojnë vendin këtyre politikanëve në zgjedhjet e ardhshme
Vazhdimi eventual i krizës në krijimin e institucioneve të reja deri në zgjedhjet e rregullta lokale, dhe shkuarja përnjëherë në dy palë zgjedhje më 22 tetor, sipas analistëve politikë, mund të japë ndëshkimin e fundit vdekjeprurës nga qytetarët e stërlodhur për këtë klasë politike.
Sipas analistëve, një ndëshkim i tillë meritor patjetër do të duhej të vinte edhe për faktin se, nëse nuk arrihet të formohet Qeveria e re dhe shkohet përsëri në zgjedhje të reja, më së shumti do ta pësojnë përsëri qytetarët e papunë, pa viza dhe të izoluar tërësisht, të cilët duke mos parë perspektivë as mundësi mbijetese në vendin e vet, detyrohen vazhdimisht të kërkojnë shteg për të ikur sa më larg shtetit.
Politologu Gurakuq Kuqi konsideron se pas goditjes së parë që këto parti politike, shumica prej tyre, morën më 11 qershor, goditja tjetër e radhës nga elektorati, nëse vazhdojnë me këtë papërgjegjësi ndaj shtetit, mund të ndodhë pikërisht në zgjedhjet e 22 tetorit. “Ka një tendencë tjetër kundrejt goditjes vdekjeprurëse që pranuan koalicioni PAN dhe LAA, e veçanërisht i pari ku duhet ta specifikojmë PDK-në. Si opsion i mundshëm e shohin që ta dërgojnë vendin prapë në zgjedhje të përgjithshme së bashku me ato lokale. Mbajtja e dy palë zgjedhje përnjëherë, është e dëmshme për demokracinë, pluralizimin, partitë e vogla, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur. Sepse në këtë mënyrë arrijnë me sukses që partitë e mëdha ta njehsojnë votën e qytetarëve të nivelit lokal me atë qendror. Përveç VV-së, partitë e tjera, kandidatët për kryetarë dhe asamblistë komunalë i kanë më popullorë dhe kështu synojnë që ta rikthejnë votën dhe të fitojnë fuqinë elektorale, që kishin para zgjedhjeve të fundit të përgjithshme. Pra, me këtë hap partitë po synojnë që të luajnë një lojë manipulative dhe mashtruese për qytetarin dhe të dëmshme për Kosovën”, është shprehur Kuqi.
Ai shton se kjo është një lojë shumë e rrezikshme, sepse, sipas tij, dëshpërimi dhe frustrimi i qytetarëve është në rritje. “Madje obstruksionet e fundit në Kuvend, veçse e kanë rritur dëshpërimin dhe frustrimin. Gjë që e rrit mundësinë për një ndëshkim edhe më të madh sesa në zgjedhjet e fundit. Shpresoj dhe besoj se qytetarët tashmë kanë fituar pjekurinë e mjaftueshme të aktivizimit politik dhe do e vazhdojnë ndëshkimin, duke kërkuar dhe votuar njerëz më të përgjegjshëm dhe figura të reja siç ndodhi me votimin e disa kandidatëve të LDK-së dhe VV-së”, është shprehur analisti Gurakuq Kuqi.
Zeqa: Një grup i vogël njerëzish kanë uzurpuar partitë politike
Edhe analisti Florim Zeqa konsideron se partitë politike shqiptare me lidershipin e tyre të papërgjegjshëm, me moskrijimin e qeverisë, janë duke e rrezikuar thellimin e krizës institucionale, vazhdën e izolimit dhe therjen e shpresave për qytetaret e vendit. “Një situatë e tillë dëshpëruese shumë qytetarë të vendit i ka detyruar të kërkojnë shteg për t’u larguar nga vendlindja, nga trojet e tyre stërgjyshore. Nëse kulmi i kësaj krize dhe bllokade institucionale finalizohet me zgjedhjet e (përgjithshme) me 22 tetor, atëherë pritet që partive politike ndëshkimi më i madh t’u vijë nga elektorati i tyre, ashtu siç ndodhi me 11 qershor. Ndëshkimi i merituar i partive politike nga elektorati, duhet të ndodhë edhe për faktin se pasojat e politikanëve të korruptuar, mashtrues dhe përçarës të popullatës janë duke i vuajtur qytetarët e varfër e të papunë të vendit tonë me izolim dhe getoizim të pambarim nga bashkësia ndërkombëtare. E tërë kjo shkaku i një grupi të vogël njerëzish, të cilët kanë uzurpuar partitë politike dhe majat e institucioneve shtetërore. Vetëm ndëshkimi i kësaj klase politike të papërgjegjshme me votën e qytetarëve në zgjedhjet e 22 tetorit 2017, mund t’u hapë rrugë ndryshimeve politike dhe hapjen e kapitullit të ri në politikë-bërjen kosovare”, theksoi analisti Florim Zeqa.
Burjani: Duhen alternativa në zgjedhjet e reja
Analisti politik, Blerim Burjani, thotë se përfundimisht, nëse kulmi i krizës vazhdon deri në zgjedhjet lokale të kësaj vjeshte, atëherë qytetari me patjetër duhet të vetëdijesohet dhe pa asnjë kursim t’i ndëshkojë të gjitha këto parti politike, duke votuar krejtë- sisht për një alternativë tjetër, jo për këta që nuk shohin larg as dy hapa përtej interesave të tyre. “Ngërçi mund të sjellë zgjedhje të reja me këtë mënyrë dhe me këtë sjellje të pozitës dhe opozitës, pra nëse s’ka zgjidhje dhe vazhdon bllokimi siç është për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe stopimin e plotë të procedurave tjera zgjedhore. Shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme sërish do të thotë se edhe qytetarët duhet të vetëdijesohen maksimalisht dhe mos ta votojnë më assesi këtë klasë politike të papërgjegjshme. Në këtë rast, votimi i cilitdo subjekt tjetër politik do të ishte mundësi alternative për zgjedhje më të mirë, por vetëm këto parti dhe këta njerëz përfundimisht jo”, është shprehur Burjani. “Nuk duhet votuar më këto parti politika dhe këta njerëz, të cilët për inate të tyre, inate ndërmjet veti, e kanë ndalur formimin e institucioneve. Qytetarët duhet t’ua bëjnë me dije këtyre se ku e kanë vendin të gjithë këta njerëz, që lidhen vetëm për interesa personale e partiake dhe janë bërë grupe njerëzish, që nuk u intereson as shteti e as qytetari, janë shlyer totalisht nga papërgjegjësia”, theksoi Blerim Burjani për “Kosova Sot”. Burjani konsideron se matematika e partive politike është që duke kombinuar në vjeshtë dy palë zgjedhje, do të përmbyset rezultati zgjedhor i 11 qershorit, por kjo mund të jetë matematikë akoma më e gabuar sesa ajo e prishjes së koalicionit në fillim të majit./kosova sot/


