ARKATANA

Shkëndija përballë 350-milionëshit

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Shkëndija është bërë e njohur në futbollin evropian si asnjëherë më parë. Klubi i madh shqiptar e kishte mbërritur një nivel evropian, por tashmë i gjithë kontinenti i vjetër i ka kthyer sytë kah kuqezinjtë. Tetovarët në “Play-Off” të Europa Leagues do të tentojnë ta shkaktojnë befasinë e madhe. “Shqiponjat” përballë do ta kenë gjigantin italian dhe evropian, klubin e dytë më të trofeshëm në botë – Milanin, futbollistët e të cilit kanë vlerë prej 350 milionë eurosh, 60 herë më të shtrenjtë sesa tetovarët, shkruan sot, gazeta Zeri.

Më 17 gusht sytë e gjithë shqiptarëve, të italianëve dhe të krejt Evropës do të jenë kah Shkupi, ku do të zhvillohet përballja e madhe ndërmjet Shkëndijës dhe Milanit – në kuadër të “Play-Off”-it të Europa Leagues.

Shorti që u tërhoq të premten në Nyon të Zvicrës solli emocione të përziera në klubin e madh shqiptar nga Maqedonia. Tetovarët në njërën anë janë të lumtur që u erdhi mundësia për ta takuar me gjigantin italian dhe evropian, klubin e dytë më të trofeshëm në botë. Por, në anën tjetër ndihen shumë të rrezikuar për t’u eliminuar, pasi janë të vetëdijshëm se punë do të kenë me një klub të jashtëzakonshëm e i cili ka bërë përforcime tepër të mëdha në këtë afat kalimtar, duke shpenzuar qindra miliona euro.

Kjo është hera e dytë rresht që Shkëndija arrin deri në “Play-Off” të Europa Leagues. Në edicionin e kaluar kishte dështuar ta realizojë ëndrrën për kualifikim në fazën e grupeve. Ëndrra vazhdon edhe sivjet, të cilën mund t’ia realizojë vetëm mrekullia përballë fuqisë italiane dhe evropiane – Milanit, i cili konsiderohet favorit absolut në çdo aspekt, por tetovarët do të përpiqen ta shkaktojnë ndoshta befasinë e vitit në futbollin evropian.

6-milionëshi kundër 350-milionëshit!

Kundërshtari i Shkëndijës, Milani, është gati klubi më suksesshëm në Evropë dhe në botë pas Real Madridit. Historia e “Rossonerëve” është e jashtëzakonshme. Ata numërojnë 7 tituj të Ligës së Kampionëve, 5 superkupa të Evropës, 1 Kupë Botërore, tri kupa ndërkontinentale, 18 tituj të kampionit të Italisë, 5 kupa të Italisë dhe 7 superkupa italiane. Milanit i mungon një Kupë e garës së sivjetme ku do të marrë pjesë e të cilin do tentojë ta arrijë që nga Shkupi në duel me Shkëndijën. Kriza financiare disavjeçare e Milanit tashmë i përket së kaluarës falë aksionarëve të rinj kinezë, të cilët në këtë afat kalimtar të verës bënë blerje të jashtëzakonshme, duke shpenzuar qindra miliona euro në futbollistë të mëdhenj, duke çuditur Evropën dhe gjithë botën. Vlera e futbollistëve të Milanit sot llogaritet të jetë rreth 350 milionë euro.

Në anën tjetër, Shkëndija shqiptare sot llogaritet thuajse klubi më i madh shqiptar që ka kaluar në një nivel evropian falë investimeve të biznesmenit të famshëm shqiptar, Lazim Destani, dhe kompanisë gjigante të tij “Ecolog”. Sidoqoftë, Shkëndija sikurse qindra klube të tjera evropiane mbetet shumë larg vlerës së Milanit. Vlera e futbollistëve të ekipit tetovar llogaritet rreth 6.5 milionë euro, që i bie rreth 60 herë më e vogël sesa ajo e skuadrës nga “San Siro”.

Montella: Do ta studiojmë Shkëndijën

FIDANISHTJA

Trajneri i Milanit, Vincenzo Montella, e ka përcjell nga Milanello përmes ekranit televiziv shortin në Europa League, i cili për kundërshtar ia vendosi Shkëndijën nga Ttetova. “Nuk e njoh skuadrën me të cilën do të takohemi, por natyrisht se kemi kohë të marrim informata dhe ta studiojmë. Për ne është me rëndësi ta dimë se ku dhe kur do të luajmë si mysafirë”, ka deklaruar Montella.

Dinamoja e Zagrebit, “problemi” i Skënderbeut

As Skënderbeu i Shqipërisë nuk kishte aq shumë fat në shortin e tërhequr të premten në Nyon të Zvicrës. Kundërshtar në “Play-Off” të Europa Leagues skuadra e madhe shqiptare do ta ketë gjigantin kroat dhe ballkanik Dinamon e Zagrebit. Ndeshja e parë ndërmjet tyre do të zhvillohet më 17 gusht në Kroaci, kurse takimi kthyes pritet të zhvillohet në Elbasan ose në Shkodër. Kroatët konsiderohen favoritë, siç ndihe edhe vetë ata. Në anën tjetër, shqiptarët janë të vetëdijshëm për potencialin e Dinamos përballë së cilës nuk e kanë ndërmend të dorëzohen, porse do ta kërkojnë kualifikimin në fazën e grupeve./Zeri/.

UEFA Europa League

17 gusht – “Play-Off”

Shkëndija – Milan

Dinamo Z. Skënderbeu