ARKATANA

Dhjetëra milionë përfundojnë në xhepat e klientelës partiake

/ 10 minuta lexim
Eco Higjiena

Që nga pas lufta e deri më sot askush nuk ka ndonjë përgjigje se çfarë po ndodh me sektorin e prodhimtarisë në Kosovë, që vazhdimisht ka sfida, edhe pse shteti ndan fonde milionëshe që nuk dihet se ku përfundojnë.

Tahiri: Paratë e buxhetit të shtetit po vidhen me rastin e ndarjes së granteve dhe subvencioneve

Që nga pas lufta e deri më sot askush nuk ka ndonjë përgjigje se çfarë po ndodh me sektorin e prodhimtarisë në Kosovë, që vazhdimisht ka sfida, edhe pse shteti ndan fonde milionëshe që nuk dihet se ku përfundojnë.

Ndonëse Qeveria ka paraparë subvencione e grante për bujqit në vlerë të 50 milionë eurove, edhe për kundër kësaj kemi import tejet të madh të qumështit, grurit, patates dhe gjithçkaje tjetër. Ndërkaq, nga njohësit e rrethanave ekonomike në vend dhe nga vlerësimet e deputetëve, madje të koalicionit qeverisës, thuhet se e kemi këtë situatë të brishtë, ngase grantet dhe subvencionet dedikuar bujqësisë po keqpërdoren dhe po vidhen nga zyrtarët e kësaj ministrie. Sipas tyre, këto grante e subvencione në shumicën e rasteve fare pak po i marrin bujqit e vërtetë, por ato ndihma po bien e po zhvaten nga duart e politikanëve të inkriminuar dhe atyre që ndajnë hisen me njerëzit e Ministrisë së Bujqësisë. Gazetari ka provuar të marrë opinionet e kësaj ministrie, por sipas traditës dhe me gjithë pyetjet e gazetarit të drejtuara në adresën elektronike të Ministrisë së Bujqësisë, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën. Transparenca për ndarjen e fondeve, është zero!

Ankesat e Sindikatës “mrizojnë” në Prokurori

Lidhur me çështjen, kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se nuk ka asnjë dyshim se paratë e buxhetit të shtetit që janë të dedikuara për bujqësi po vidhen me rastin e ndarjes së granteve dhe subvencioneve. “Prandaj, edhe përkundër kësaj po kemi import tejet të madh të qumështit, grurit, patates dhe gjithçkaje tjetër, sepse ka pasur raste kur përfituesit e granteve ishin të afërm të zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë që i ka ndarë këto grante ose ata kanë qenë militantë të partive në pushtet. Kurse, e veçanta është se në shumë raste kanë përfituar grante e subvencione personat që më së paku merren me bujqësi”, u shpreh ai. Sipas Tahirit, politika e inkriminuar dhe mënyra e shpërndarjes së këtyre granteve e subvencioneve është fajtore që e ka sjellë prodhimin e Kosovës në këtë gjendje të rëndë, e cila që nga pas lufta e deri më sot e ka shikuar e po shikon vetëm interesat e përfitimeve e jo të subvencionojë bujqit që vërtet kanë nevojë për të rritur prodhimet dhe cilësitë, rendimentet. “Si Sindikatë që jemi, ne kemi drejtuar ankesat e bujqve në institucionet përkatëse dhe në Prokurori, por ankesat e tyre po mrizojnë në Prokurori dhe heshtja e tyre lë vend dyshimit se edhe ata janë të involvuar në vjedhjen e këtyre parave”, vlerësoi ai. “Me të drejtë vlerësohet se është politika e inkriminuar fajtore që e ka sjellë prodhimin në këtë gjendje të rëndë, e cila ka shikuar dhe po shikon vetëm interesat e përfitimeve e jo të subvencionojë bujqit në nevojë reale për të rritur prodhimet dhe cilësitë, rendimentet”, potencoi Tahiri.

Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë akuzohet se u manipulua

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Enver Hoti, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se deri më tash politikat bujqësore nuk janë adekuate në raport me interesin e vendit e të fermerëve. “Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB-ja) po shihet se është e manipuluar me këto grante dhe ato po dështojnë, ngase nuk ka një studim të fizibilitetit se sa do të prodhojnë vende pune dhe sa do të ketë rritje të kapaciteteve prodhuese në vendin tonë me ndarjen e këtyre granteve”, theksoi ai. “Këto grante dhe subvencione po jepen përmes lidhjeve të individëve të caktuar nga politika dhe që nuk kanë lidhje e nuk merren fare me bujqësi. Kurse, veç saj, Ministria e Bujqësisë nuk po e përcjell implementimin dhe qëndrueshmërinë e këtyre granteve dhe subvencioneve me analiza dhe veprime konkrete. Sepse, përfituesit nuk kanë mbështetje konkrete në fazën e implementimit”, vijoi më tej Hoti. Sipas tij, politikat në sektorin bujqësisë duhet që të ndryshojnë rrënjësisht e në themel, në mënyrë që të arrijmë atje ku dëshirojmë, sepse bujqësia do të mund të ndryshonte edhe raportet e eksportit dhe importit. “Në mesin e tyre, Kosova po importon me miliona euro mallra për konsum dhe ushqim dhe ato produkte, por edhe ato të bujqësisë nuk janë cilësore, por janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut. Prandaj, nëse arrijmë që t’i ndryshojmë politikat e bujqësisë kjo do të ishte një punë e mbarë, ngase bëhet fjalë për një siguri nacionale. Prandaj, Komisioni për bujqësi duhet të monitorojë nga afër se çfarë po ndodh me këtë keqmenaxhim të mëtejmë të këtyre fondeve”, ka vlerësuar Hoti.

Fermerët e vërtetë ngelin me gishta në gojë

Mobi Casa

Ndërsa, ligjëruesi universitar Nehat Maxhuni, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se që nga pas lufta në Ministrinë e Bujqësisë është krijuar një traditë e brishtë, ngase zyrtarët e kësaj ministrie po i vjedhin dhe po i zhvatin paratë e granteve dhe subvencioneve që janë të dedikuara për bujqit tanë. “Derisa shtetet e tjera subvencionojnë prodhimin e tyre, përkatësisht fermerët, me mënyra të ndryshme që ata të jenë të barabartë dhe pse jo të dalin me çmime konkurruese në vendin e tyre edhe jashtë vendit, në vendin tonë ndodh një fenomen tjetër”, theksoi ai. Sipas Maxhunit, derisa Qeveria e Kosovës i ka ndarë milionat për bujqësi dhe një gjë e tillë është e vërtetë, por shtrohet pyetja se si po shpërndahen ato grante dhe subvencione te fermeri. “Kjo, ngase asnjë euro nga pushteti kosovar i tanishëm nuk i jepet fermerit të vërtetë, nëse ai fermer fillimisht nga vlera e marrë nga ministria nuk jep përqindjet e caktuara. Në shumicën e rasteve këto donacione-grante u jepen personave të afërm me pushtetin, të cilët as që e kanë idenë se si punohet në bujqësi dhe se kurrë në jetën e tyre nuk janë marrë me këtë veprimtari”, vlerëson ai. Maxhuni thotë se fermeri i shkretë i Kosovës po e heq të zitë e ullirit gjatë tërë vitit dhe në fund shteti jo që nuk e mbron, por edhe kushte elementare për punë nuk krijon dhe fajtorë për këtë janë analfabetët me diploma, që në emër të luftës uzurpuan dhe degraduan gjithçka.

TË BËHET URGJENTISHT NJË AUDITIM

Ndërsa,eksperti i integrimeve e evropiane në fushën e ekonomisë Ardian Nokaj,për gazetën “Kosova Sot”,thotë se është vërtet për keqardhje se si zyrtarë të kësaj ministrie po i keqpërdorin grantet dhe subvencionet,sepse kjo ministri po i keqpërdor këto para,duke i shpërblyer militantët e tyre partiakë,ndërsa bujqit e vërtetë e pësojnë pa asnjë faj.”E keqja të jetë më e madhe,edhe ata që përfitojnë këto grante shumat e të hollave janë shumë të vogla dhe,veç saj,pas akuzave të krerëve të Sindikatës së bujqve,ajo që duhet urgjentisht është nevoja se nëkëtë ministri, duhet bërë një auditim ndërministror për të verifikuar se kush po përfiton vërtet nga këto grante dhe subvencione. Pra, ky auditim do të saktësonte se a po shkojnë këto para tek fermerët e vërtetë apo tek militantët partiakë, ngase në këtë ministri tashmë është krijuar një traditë e tillë e përfitimeve nga militantët partiakë. Bazuar në shumën e parave që janë ndarë dhe që janë miliona euro, këto grante dhe subvencione nuk kanë dhënë kurrfarë rezultatesh, që është pritur, sepse nuk është rritur prodhimi dhe punësimi i të rinjve krahasuar me shumën e investimeve që janë bërë në raport me subvencionet që janë dhënë”, u shpreh ai.

KEQPËRDORIMET SISTEMATIKE QË PREJ PAS LUFTËS

Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se nuk ka dyshime se ka pasur e ka keqpërdorime të subvencioneve dhe granteve që nga pas lufta . “Por, pa asnjë dyshim se këtu fajtore është edhe politika e inkriminuar, me një vizion krejt të paqartë për bujqit e Kosovës. Sepse, grantet duhet te ndahen sipas numrit të kafshëve që i kanë bujqit, psh lopë, dele, por për fat të keq kjo nuk po ndodh në Kosovë. Këtu si duket po përfitojnë ata që nuk kanë të bëjnë fare me bujqësi, janë në punë. Akuzimet që po bëhen me të drejtë nga kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, janë të drejta. Por këtu shtrohet pyetja se përse po heshtin Prokuroria e Kosovës që të ndriçojnë abuzimet me këto para të shtetit dhe të dënohen fajtorët”, u shpreh ai.

PROPOZOHET KOMISION HETIMOR PARLAMENTAR

Deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës Xhevdet Neziraj, për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se sektori i bujqësisë, por as vendi ynë nuk mund të përfitojnë me keqpërdorin e fondit të granteve dhe subvencioneve. “Kjo, ngase mbështetja e të afërmve dhe militantëve partiakë dhe atyre që nuk janë fermerë të vërtetë po i dëmton fermerët e vërtetë që po kontribuojnë në shtimin e prodhimeve vendore dhe shtimin e numrit të punëtorëve. Është për çdo kritikë mënyra e deritashme shpërndarjes së granteve dhe subvencioneve dedikuar fermerëve që po bëhet nga ana e Ministrisë së Bujqësisë. Ngase, ka pasur shumë raste kur përfituesit e këtyre granteve me dallavere ndërrojnë edhe destinimin e projekteve bujqësore. Në cilësinë e deputetit të dikurshëm të Kuvendit vlerësoj se Kuvendi i Kosovës duhet që të formojë një grup pune që do të hulumtonte keqpërdorimet e këtyre granteve dhe subvencioneve dhe më pas për punën e tyre të raportojnë në Kuvendin e Kosovës, ndryshe dilemat nuk hiqen, ato mbesin”, theksoi Neziraj.

(Kosova Sot)