FIDANISHTJA

Oligarkët ua nxinë jetën qytetarëve

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Kosova dhe Shqipëria, me regjimet më të ashpra

“Këtu më së keqi qëndrojnë Shqipëria e Kosova e deri diku edhe Bosnja e Hercegovina. Nuk e di se sa janë me rëndësi këto sondazhe, por në Tiranë, Edi Rama e gëzon një mbështetje jo më shumë se 20 për qind të qytetarëve. Dhe, veç saj, nëse bazohemi në sondazhet gjermane, ato na tregojnë se Hashim Thaçi asnjëherë nuk e ka kaluar shifrën dyshifrore, apo 9 për qind të besimit të qytetarëve të vendit, dhe është shef i shtetit”, thotë Jeton Kelmendi për gazetën “ Kosova Sot”

Njohës të rrethanave politike e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe qytetarët thonë se liderët e vendeve të Ballkanit u kanë ardhur në majë të hundës bashkëkombësve të tyre. Si pasojë e sundimit të oligarkëve, sipas një ankete, mbi 50 për qind e qytetarëve do të largoheshin nga vendi sapo t’u jepej rasti. Ndërkaq, anketa tregon se rasti më eklatant është në Shqipëri, ku 79 për qind e qytetarëve duan të largohen nga vendi, por jo shumë larg qëndron Bosnja, Serbia, Kosova, Mali i Zi. Prandaj, sipas analistëve dhe qytetarëve, vlerësohet se janë liderët e korruptuar të këtyre vendeve ballkanike që po i mbajnë peng qytetarët, të cilët janë mërzitur me politikat që funksionojnë përmes klaneve kriminale dhe interesave mafioze. Sipas analistëve politikë dhe qytetarëve të anketuar, protestat e studentëve, të nisura në Shqipëri, duket se janë një sinjal se të tilla do të ketë edhe në Kosovë, për të ndërruar këtë klasë të tejkorruptuar politike në vend. Analisti Ibrahim Kelmendi, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se liderucët e Evropës Juglindore, siç i quan ai, dhe jo vetëm ata, u kanë ardhur në majë të hundës qytetarëve të tyre. “Po të shikohen anketimet, nuk janë të kënaqur as amerikanët dhe gjermanët me liderë të tyre”, shprehet Kelmendi.

Arroganca e papranueshme

“Në hapësirën tonë, pos këtyre problemeve globale, rëndojnë edhe arroganca e liderucëve, që qytetarëve u shkaktojnë edhe mërzi e strese. Prandaj, është ky përcaktim i tyre, që të ikin sa më larg vendlindjeve të tyre, ku nuk po kanë e nuk shpresojnë se mund të kenë rrojtje të dinjitetshme. Liderët e korruptuar nuk po i mbajnë peng qytetarët, por qytetarëve po u mungon vetëdija sociale dhe trimëria, që t’i heqin qafe këta bajlozë të zinj. Protestat e studentëve në Shqipëri ishin simulim i protestave të studentëve, meqë në Shqipëri janë mbi 140 mijë studentë e në këtë protestë xhuxhe, kur ishte në kulmin e saj, nuk ishin as 3000 studentë. Dhe, nga kërkesat u pa që ato ishin një manipulim dështak. Në Shqipëri, në Kosovë dhe gjithandej studentët kanë plot arsye të protestojnë, por jo duke u manipuluar si kësaj radhe në Tiranë. Për konkretizim: Njëra nga tetë kërkesat e famshme ishte heqja e “taksës”, që kishte të bënte me pagesë të 670 lekëve (5 eurove), nëse tre herë bie në provim në të njëjtën lëndë, dhe paraqitet për provim për herë të katërt, të pestë, bile edhe të njëzetë, siç i publikuan ca raste. Të tillë studentë duhet dëbuar nga universitetet dhe jo të detyrohen të paguajnë vetëm 670 lekë “taksë””, mendon Ibrahim Kelmendi.

Universitetet e humbën autonominë

KKVITI

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ali Hertica, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se në shoqërinë shqiptare nga të dyja anët universiteti e ka humbur autonominë dhe pavarësinë e tij dhe të gjithë janë të politizuar nga bandat kriminale të politikës, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. “Kjo, ngase universiteti është shndërruar në dikë që pret lëmoshë nga qeveria dhe studentët e sinjalizuan Ramën me protestën do të ikë Rama nga posti i lartë i shtetit duke hyrë në bojkotim të mësimit deri në realizim të kërkesave. Studentët po këmbëngulin në plotësimin e pikave që ata i kanë përcaktuar si të domosdoshme për të përmirësuar cilësinë e arsimit në Shqipëri. Protestat e studentëve, të nisura në Shqipëri, janë një sinjal se të tilla do të ketë edhe në Kosovë, për të ndërruar këtë klasë të tejkorruptuar politike në vend,sepse shoqërinë kosovare dhe atë shqiptare e ka kapluar evoluimi i organizuar i strukturave kriminale”, u shpreh ai.

Abuzim flagrant me pushtetin

Eksperti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se i tërë rajoni ka problemet e veta me kastat e veta politike, duke qenë të inkriminuar në krime ekonomike. “Prandaj, rezultati i sondazheve e tregon pesimizmin e qytetarëve të këtyre vendeve që duan ta lëshojnë vendin e tyre dhe në këtë drejtim kontribut ka dhënë elita politike e këtyre vendeve. Këtu më së keqi qëndrojnë Shqipëria e Kosova e deri diku edhe B e H. Nuk e di se sa janë me rëndësi këto sondazhe, por në Tiranë, Edi Rama e gëzon një mbështetje jo më shumë se 20 për qind të qytetarëve. Dhe, veç saj, nëse bazohemi në sondazhet gjermane, ato na tregojnë se Hashim Thaçi asnjëherë nuk e ka kaluar shifrën dyshifrore, apo 9 për qind të besimit të qytetarëve të vendit dhe është shef i shtetit”, vlerësoi ai. “Çoroditja më e madhe ka ndodhur në Kosovë, sepse në Kosovë po sundojnë pakicat e nuk po qeverisin, sepse më të fuqishëm politikisht janë abstrahuar. Sepse, në Kosovë njeriu më i besueshëm politik është Albin Kurti dhe është shumë i neutralizuar nga kasta politike. Kurse, njeriu që e ka vetëm një gjysmë deputeti është zëvendëskryeministër i parë i Kosovës, kurse kryeministër i vendit është njeriu nga partia e pestë që ka dalë nga besimi i qytetarëve tanë. Pra, kësisoj ka humbur besimi dhe mu për këtë shkak, BE-ja nuk do të japë liberalizimin e vizave dhe këtë ndoshta nga frika e një eksodi masiv, sikurse që pati eksod të shqiptarëve të Shqipërisë e Maqedonisë”, vijoi më tej Kelmendi. “Prandaj, iniciativat studentore janë një dritë në fund të tunelit për të ndërruar kastat politike, por edhe në Kosovë shoqëria e kanë krijuar një besim se këta pushtetarë nuk mund të ndërrohen, sepse ata e kanë pushtetin dhe bëjnë atë që duan të bëjnë”, vlerësoi ai.

Qytetarët duan çlirim nga sundimtarët

Qytetarët e anketuar thonë se janë të zhgënjyer tej mase me liderët e Shqipërisë e të Kosovës . Kjo ngase, sipas tyre, liderët e vendeve të Ballkanit u kanë ardhur në majë të hundës qytetarëve të tyre, ku sipas një ankete mbi 50 për qind e qytetarëve do të largoheshin nga vendi sapo t’u jepej rasti. Ata thonë se janë protestat e studentëve, të nisura në Shqipëri, si një sinjal se të tilla do të ketë edhe ne Kosovë, për të ndërruar këtë klasë të tejkorruptuar politike në vend. Qytetari Xhafer Jashari, nga Prishtina, për gazetën “Kosova Sot’, tha se vërtet është për keqardhje se si këto anketa po tregojnë se rasti më eklatant është në Shqipëri, ku 79 për qind e qytetarëve duan që të largohen nga vendi, prandaj si shqiptarë në anën tjetër të kufirit e ndjej veten shumë keq me pozitën e bashkatdhetarëve tanë dhe sjelljet e lidershipit të Shqipërisë, e posaçërisht sjelljen e Qeverisë aktuale me qytetarët e tyre. “Mbase një satisfaksion për neve si qytetarë të Kosovës mbetet fakti që për asnjë milimetër edhe neve këtu në Kosovë nuk i kemi asgjë punët më mirë se sa në Shqipëri, ngase edhe ne kemi liderë të tillë. Së këndejmi, si ngushëllim i vetëm na mbetet fakti që e tregojnë edhe anketat e bërë se asgjë më mirë me pakënaqësinë e qytetarëve të këtyre vendeve nuk qëndrojnë as Bosnja dhe Hercegovina, Serbia e Mali i Zi,përfshirë këtu edhe Maqedoninë, kryeministri i të cilit vend kohë më parë u dënua për korrupsion e hajni në këtë vend dhe më pas iku azilant në Hungari”, potencoi ai. Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina, Hakif Hamiti, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se nuk ka asnjë dyshim se liderët e vendeve të trazuara të Ballkanit janë ata që u kanë ardhur në majë të hundës qytetarëve të tyre. “Qytetarët e këtyre shteteve tashmë që nga fundi i shekullit të kaluar janë mërzitur me politikanët që funksionojnë përmes grupeve dhe klaneve kriminale dhe interesave mafioze që realizohen përmes pushtetarëve të korruptuar deri në gushë të këtyre vendeve”, vlerësoi ai. Sipas tij, udhëheqjet e Shqipërisë dhe Kosovës janë më të korruptuarat në tërë rajonin, andaj shpëtimi i dy vendeve tona do të ishte largimi i sundimtarëve në këto dy vende.

(Kosova Sot)