Eko Higjiena

Evazioni fiskal më shumë se 2 miliardë euro gjatë një viti

/ 11 minuta lexim
Hidromorava

E pamundur të kontrollosh mbi 60 mijë biznese, buxheti pëson miliarda humbje

“Edhe moskompletimi i stafit nga ATK-ja po bëhet qëllimshëm nga pushtetarët aktualë për qëllime të zhvatjes së buxhetit, ndaj edhe nuk duhet që të çuditemi se përse Qeveria ‘Haradinaj’ nuk e pati kurrë prioritet luftën kundër informalitetit dhe kontrabandës. Nuk mbushet buxheti i shtetit duke toleruar tej mase informalitetin dhe kontrabandën. Me shumë gjasë janë pikërisht njerëzit e pushtetit nga piramida më e lartë që po qëndrojnë në krye të këtij informaliteti, që është shumë mirë i organizuar, ngase ‘bosëve’ të informalitetit dhe kontrabandës nuk po ka kush që t’ua prishë tymin e duhanit”, thotë deputeti Salih Salihu për “Kosova Sot”

Që nga pas lufta e deri më sot askush nuk është në dijeni se përse shteti nuk po e rrit numrin e inspektorëve për të luftuar evazionin fiskal, por punësojnë një numër aq të madh të zëvendësministrave që marrin para kot e nuk bëjnë asgjë. Sipas analistëve, po qe se do të kishte më shumë inspektorë në terren dhe të pakorruptuar nuk do të kishim vjedhje të derivateve, cilësi të dobët, evazion e kontrabande gjithandej. Deputetët e opozitës theksojnë se sa më pak inspektorë të ketë ATK-ja, kjo po i konvenon pushtetarëve dhe mafio-oligarkëve, sepse përmes kontrabandës dhe evazionit fiskal ata po i palojnë milionat në llogarite e tyre.

Nga ekspertët e ekonomisë, deputetët e opozitës, përfaqësuesit e bizneseve po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të dyfishojnë numrin e pjesëtarëve të inspektorëve tatimorë dhe doganorë, në mënyrë që vendi ynë të ndalë shkallën e lartë të informalitetit dhe kontrabandës, që buxhetit të shtetit po i kushton me miliarda euro humbje. Sipas tyre, me vetëm 350 inspektorë tatimorë ATK-ja dhe aq pak doganierë nuk mund që të kontrollohen mbi 60 mijë biznese. Tregtia e paligjshme, në rritje Kreu i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB-së), Agim Shahini, për gazetën “Kosova Sot” ,thotë se është një e vërtetë se me aq pak inspektorë nuk luftohet informaliteti. “Andaj, informaliteti në Kosovë, sipas ndërkombëtarëve, tashmë është rritur në shkallën 35 për qind të importit të përgjithshëm, që është më shumë se 2 miliardë euro gjatë një viti. Prandaj, nga kjo vlerë tepër e lartë, po të ndalej informaliteti dhe kontrabanda, që bëhet nëpër pikat kufitare, me siguri se ne do të kishim pasur mundësi dukshëm më të mëdha që të investojmë në infrastrukturë pa hyrë në obligimet kontraktuale edhe me bankat e huaja edhe kontraktorët e ndryshëm”, u shpreh ai. Sipas Shahinit, hyrja e këtyre produkteve dhe mallrave ilegale në Kosovë dhe këto veprime të tregtarëve ilegalë po e rrezikojnë me të madhe buxhetin e Kosovës, sepse të njëjtët tregtarë ilegalë nuk po paguajnë fare taksa e as TVSH-në. “Ndërkaq, në anën tjetër kjo tregti ilegale po e rrit me të madhe shkallën e informalitetit dhe konkurrencën jofer ndërmjet bizneseve vendore. Deri në vendosjen e takës ndaj Serbisë e keqja ishte se në Kosovë me të madhe ka vazhduar që të futem mallra nga Serbia nëpër rrugët alternative, që tashmë janë bërë pothuajse rrugë legale, duke bartur produkte të ndryshme para syve të Policisë dhe Doganave të Kosovës që vetëm shikojnë”, vlerësoi Shahini.

Ai shton se institucionet duhet që sa më shpejt të ndërpresin këto dukuri, që për fat të keq janë në rritje e sipër. Shtetit i konvenon anarkia fiskale Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu PSD) thotë për “Kosova Sot”, se me këtë numër aq të vogël të inspektorëve të ATK-së dhe të Doganave të Kosovës nuk luftohen informaliteti dhe kontrabanda. “Andaj, edhe moskompletimi i stafit nga ATKja po bëhet qëllimshëm nga pushtetarët aktualë për qëllime të zhvatjes së buxhetit, ndaj edhe nuk duhet që të çuditemi se përse Qeveria ‘Haradinaj’ nuk e pati kurrë prioritet luftën kundër informalitetit dhe kontrabandës”, u shpreh ai. “Nuk mbushet buxheti i shtetit duke toleruar tej mase informalitetin dhe kontrabandën. Me shumë gjasë janë pikërisht njerëzit e pushtetit nga piramida më e lartë që po qëndrojnë në krye të këtij informaliteti, që është shumë mirë i organizuar, ngase ‘bosëve’ të informalitetit dhe kontrabandës nuk po ka kush që t’ua prishë tymin e duhanit”, vijoi më tej Salihu. “Po të dëshironte Qeveria ‘Haradinaj’ do të bënte një luftë të mirëfilltë e të vërtetë kundër informalitetit në Kosovë, apriori edhe do të ndryshonte për të mirë jeta e qytetarëve tanë. Por, me këtë heshtje të Qeverisë po duket qartë se qëllimisht nuk po luftohet informaliteti dhe kjo Qeveri nuk ka interes që ta rrisë buxhetin që mund të shkonte mbi 2 miliardë euro në vit”, ka thënë ai. “Nga heshtja e kësaj Qeverie në luftën kundër informalitetit dhe kontrabandës lë vend për dyshime të mëdha se kjo po bëhet qëllimisht nga pushtetarët aktualë, sepse po duket se atyre u intereson marrja e hises nga anarkia. Kjo edhe na tregon se moskompletimi i stafit nga ana e ATK-së po bëhet qëllimshëm, sepse nuk e kanë prioritet luftën kundër informalitetit dhe kontrabandës”, potencoi Salihu. Qeveria u stërmbush me pozita të kota, ATK-ja u la anash Ligjëruesi universitar Nehat Maxhuni, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se kjo Qeveri e udhëhequr nga Haradinaj, për dallim nga qeveritë e tjera të kaluara, dallohet nga mënyra e funksionimit dhe vendosmërisë në marrjen e vendimeve,siç është rasti me taksën ndaj Serbisë, por gjithashtu qeverisja e tij dallohet edhe me vendime totalisht të gabuara, siç është rasti me 80 zëvendësministra, të cilët realisht nuk punojnë asgjë, përveçqë shpenzojnë paranë publike pa kurrfarë nevoje.

“Ky numër enorm i këtyre zëvendësministrave është bërë për punësim të simpatizantëve partiakë dhe në asnjë mënyrë për të mirën e Kosovës. Po qe se ky numër i zëvendësministrave do të zëvendësohej me rritjen e numrit të inspektorëve, ose këtyre zëvendësministrave t’u ndryshohej vendi i punës nga zv.ministra në inspektorë të ATKsë, inspektorë të tregut, inspektorë të punës, besoj që do të ishte shumë më mirë dhe do të ishte në funksion të eliminimit të ekonomisë informale dhe do të ndikonte në rritjen e cilësisë së produkteve, të cilat i ofrohen qytetarit”, sugjeron ai. Sipas Maxhunit, këtij numri duhet t’i shtohen edhe numri i vozitësve dhe asistentëve të tyre, të cilët marrin paga.

Uji Dea

“Duke i pasur parasysh edhe shpenzimet e tjera, të cilat i bëjnë këta zëvendësministra, lirisht mund të punësoheshin edhe së paku nga 2 inspektorë të tjerë me paga duke i llogaritur shpenzimet e tyre. Po qe se do të kishim numër më të madh të inspektorëve të tregut do të eliminoheshin edhe vjedhjet e qytetarit nëpër pompat e benzinës në litër. Përderisa në treguesin e sasisë nëpër shumicën e pompave të benzinës shkruan sasia në litra, nëpër veturat e qytetarëve sasia e litrave është për 10 për qind më pak. Shpresoj se kjo Qeveri do të jetë e fundit me një mënyrë të funksionimit siç është tani. Ndaj, në të ardhmen duhet realisht të mendohet që paraja publike mos të harxhohet në këtë mënyrë të papërgjegjshme me zëvendësministra”, vlerësoi Maxhuni. Sipas tij, duhet të mendohet në rritjen e numrit të inspektorëve, të cilët duhet të jenë në terren në orar 24 orë për të eliminuar ekonominë informale dhe hajninë ndaj buxhetit dhe qytetarit të Kosovës.

BASHKIMI ME DOGANAT ZVOGËLON EVAZIONIN Afaristi Ramadan Maloku, nga Shoqata e Naftëtarëve, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se një numër aq i vogël i inspektorëve të ATK-së dhe i Doganave të Kosovës e pamundëson luftimin e ekonomisë joformale dhe kontrabandës në mënyrë efikase. “Veç saj, edhe hyrja në fuqi e MSA-së e imponon rritjen kapaciteteve për mbledhjen e të hyrave në brendi të vendit është edhe më e domosdoshme. Në këtë aspekt edhe duhet shfrytëzuar rastin, që me procesin e bashkimit të dy institucioneve kryesore, ATK-së dhe Doganave për mbledhjen e të hyrave në vend, të krijohet një sistem më i mirë dhe efikas për mbledhjen e tatimeve, gjë që do të krijonte kushtet për konkurrencë të drejtë mes bizneseve. Nuk ka asnjë fije dyshimi se një ndër arsyet e informalitetit dhe kontrabandës së lartë është mungesa e mekanizmave mbledhës të tatimeve dhe të Policisë financiare, sepse me vetëm 350 inspektorë tatimorë të ATK-së dhe me një numër aq të vogël të doganierëve nuk luftohet kontrabanda dhe informaliteti, dhe se kjo shifër duhet të dyfishohet menjëherë, në të kundërtën do ta kemi punën shumë keq në aspektin ekonomik”, u shpreh Maloku.

BIZNESET E PUSHTETIT NA VJEDHIN HAPUR Analisti Dardan Grapci, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se duhet qartësuar se si pasojë e mungesës së numrit të mjaftueshëm të inspektorëve tatimorë të ATK-së dhe të Doganave më së miri kjo e tregon se bëhet fjalë për një Qeveri të paorganizuar, ku nuk funksionon ligji dhe drejtësia për të gjithë. “Prandaj, e kemi situatën kur në këto raste janë bizneset formale dhe qytetarët e ndershëm që e pësojnë më së shumti nga informaliteti dhe kontrabanda, dhe kjo bëhet për shkak të konkurrencës së pabarabartë mes tyre, sepse ata që janë të lidhur me pushtetin nuk e pësojnë, por vetëm bizneset e ndershme. Për të pasur suksese në luftimin e informalitetit dhe kontrabandës duhet rritur urgjentisht numrin e inspektorëve tatimorë dhe atyre doganorë, në të kundërtën kjo lë vend për dyshime se kjo Qeveri, sikurse ato paraprake, qëllimisht po e bëjnë këtë. Arsyeja se përse shteti nuk po e rrit numrin e inspektoreve për ta luftuar evazionin fiskal është se po kanë dëshirë që paratë e buxhetit t’i përdorin për interesa të tyre personale, kurse nga ana tjetër po kanë pushtetarët që nga paslufta janë mësuar që t’i kenë duart e zhytura me korrupsion”, u shpreh ai. “Vjedhja e derivateve nga punëtorët e pompave të benzinës ka ndodhur gjithmonë, për shkak se askush nuk ka pasur guxim që të ankohet, ngase nuk ka se kush të merret me ankesat e qytetarëve, sepse edhe kanë frikë se mos po u ndodh gjë nga pronarët, duke e ditur që shumica e pompave të benzinës janë në pronësi të politikanëve të Kosovës. Cilësia e dobët, mashtrimi i qytetarëve me derivate nafte dhe benzinë të përzier me ujë, ka ndodhur dhe po ndodh akoma, por problemi kryesor është shteti i Kosovës, sidomos kjo Qeveri që ose po kanë frikë që të merren me këta persona ose nuk po kanë dëshirë që t’ua prishin bashkëpartiakëve të tyre biznesin”, theksoi më tej Grapci.

QEVERITË NEGLIZHENTE Njohësi i çështjeve ekonomike Xhevdet Neziraj, për gazetën “Kosova Sot’, tha se të gjitha qeveritë e deritashme i kanë neglizhuar tej mase veprimet e deritashme të institucioneve shtetërore të Kosovës, në veçanti Policinë dhe Doganat lidhur me informalitetin dhe kontrabandën në tërë vendin. “Prandaj, informaliteti dhe evazioni fiskal në Kosovë nga përfaqësues të bizneseve, me të drejtë po konsiderohet të ketë marrë përmasa shqetësuese, në veçanti në veri të vendit. Si e tillë, kjo dukuri thuhet të ketë dëmtuar buxhetin e Kosovës për miliona euro dhe njëherësh ka krijuar konkurrencë të padrejtë në treg”, u shpreh ai. “Qeveria e z Ramush Haradinaj, për dallim nga qeveritë e deritashme, duhet që të organizohet më mirë që ta luftojë, informalitetin dhe kontrabandën, pasi shkalla e ekonomisë informale ende mbetet e lartë në vendin tonë”, theksoi Neziraj.

(Kosova Sot)