Cirku skandaloz në Kuvend
Sherri për kryeparlamentarin e çon në rrugë pa krye seancën e parë të Kuvendit të ri. Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila i filloi punimet ditën e djeshme, nuk ka arritur ta zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit të ri të Kosovës, për shkak të pamundësisë së koalicionit PAN, që të sigurojë votat e mjaftueshme për kandidatin Kadri Veseli.
PDK-së dhe partnerëve të koalicionit fitues PAN, u janë dashur dje dy orë vonesë për të marrë pjesë në seancën konstituive, për të dhënë kandidatin e tyre në komisionin për verifikimin e mandateve dhe për të kryer procedurën e dhënies së betimit, por ata nuk kanë pasur siguri të mjaftueshme në vota, që ta propozojnë edhe kandidatin e tyre për kryetar Kuvendi, që vazhdon të jetë Kadri Veseli, dhe kanë kërkuar shtyrje të seancës për së pakut dy orë të tjera. Kjo lojë e PAN-it ka irrituar kryesuesin nga LVV, Adem Mikullovci dhe është kundërshtuar edhe nga koalicion LAA dhe VV-ja, për çka kryesuesi e ka mbyllur seancën e paradites. Ky veprim i kryesuesit Mikullovci është kundërshtuar nga PDK-ja, për çka nënkryetari Enver Hoxhaj e quajti edhe shkelje të rregullores së punës nga ana e tij. Një vazhdim i seancës është thirrur për orët e pasdites, por përsëri ka dalë koalicioni PAN që e ka bojkotuar atë, pa ndonjë arsye të qartë. Deputeti nga PDK-AAK NISMA, Milaim Zeka, arsye të vetme pse dje pasdite PAN-i nuk morri pjesë në vazhdimin e seancës, e ka bazuar, siç tha ai, në kërcënimin ndaj deputetes së LDK-së Teuta Rugova.
Mirëpo, nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, nuk la të kuptohet se PAN-i së paku do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës që është caktuar për sot në ora 10. Hoxhaj ka thënë se deputetët nuk janë në Kuvend, dhe se ata do të marrin pjesë në seancën, që thirret në koordinim me përfaqësuesit e subjekteve politike. “Meqë seanca u mbyll asnjë deputet nuk është këtu dhe nuk mund të marrim pjesë. Ne do të jemi në Kuvend, kurdo që kryesuesi e thirr seancën e re në koordinim me partitë e tjera politike”, ka deklaruar nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj
Veseli i papërshtatshëm për LAA dhe VV
Deputeti i koalicionit LAA, Korab Sejdiu, tha pas dështimit të dytë të seancës se me këtë sjellje koalicioni PAN nuk po tregon respekt ndaj qytetarëve që i votuan, pasi ata nuk morën pjesë në vazhdimin e seancës konstituive në ora 15.00, derisa vetë kishin përgatitur skenar të tillë me kërkesën për ta shtyrë atë, që e bënë edhe në fillimin e paradites. Ndryshe vetë shefi i Grupit Parlamentar të LAA, Avdullah Hoti, ka thënë se koalicioni do të sillet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që nënkupton se do ta votojë një kandidat tjetër të PAN-it për kryetar Kuvendi, por jo Kadri Veselin. “Qëndrimi ynë është i qartë. Për ne është i papranueshëm kandidati që është folur deri tash, sepse është person i padenjë për të udhëhequr Kuvendin. Për kandidatura të tjera ne do t’i shqyrtojmë”, tha Avdullah Hoti. Këtë teatër krize të luajtur nga subjektet politike, analistët politikë e shohin si një sinjal serioz të rrezikut të përsëritjes së ngërçit institucional ngjashëm me mandatin e kaluar, kur u deshën të kalojnë 6 muaj deri në formimin e qeverisë së re.
Analisti Naim Kelmendi thotë se epilogu i seancës së djeshme konstituive të parlamentit është pikërisht loja hipokrite e PDK-së me ndërprerjen e seancës, derisa ajo po shkonte drejt shqyrtimit të pikës së rendit të ditës, duke kërkuar nga kryesuesi që koalicioni PAN të jepte emrin e kandidatit për kryetar të parlamentit. “Me ndërprerjen e seancës dhe kërkimin nga ana e PDK- së (nënkupto PAN) për pauzën dyorëshe kinse për konsultime shtesë, në të vërtetë kjo nxori në shesh lojën e PDK-së, mbase me një skenar të parapërgatitur për këtë epilog të seancës konstituive, ngase po del në pah se koalicioni PAN nuk i ka numrat për ta zgjedhur as kryetarin e Kuvendit as kryeministrin e kështu as nuk mund ta krijojë qeverinë”, theksoi Naim Kelmendi për “Kosova Sot”. Sipas Kelmendit, një ngërçi i ri politik, që po troket në institucione, është papërgjegjshmëria më e madhe e kësaj klase politike në raport me votuesin.
Zeqa: Skenari i PAN-it për shtyrjen e seancave të Kuvendit, është tendencë për blerje kohe
Sipas analistit Florim Zeqa, kjo situatë e krijuar e bllokimit të parlamentit nga koalicioni PAN, do të involvojë patjetër edhe faktorin ndërkombëtar në kërkim të zgjidhjes. “Ndodhi ajo që më së paku i duhej Kosovës-përsëritja e ngërçit politik të vitit 2014. PATpozicioni i blloqeve politike në Kuvend (60 me 60) shënon fillimin e një krize të gjatë institucionale, e cila nuk pritet të përfundojë pa ndërhyrjen ndërkombëtare”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot”. Ai thotë se mungesa e votave të koalicionit më të madh parazgjedhor për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës, i ka vënë në lajthitje të gjithë ata që prisnin dhe besonin në deklarimet e të nominuarit të PAN-it për kryeministër të vendit që i kanë votat e mjaftueshme për krijimin e qeverisë! “Dështimi në hapin e parë për konstituimin e Kuvendit, është fillimi i një maratone të gjatë, do të thosha të pambarim të koalicionit PAN, deri në sigurimin eventual të votës edhe të ndonjë deputeti nga radhët e koalicionit LAA, gjegjë- sisht të ndonjë subjekti politik në radhët e këtij koalicioni. Thirrja e Enver Hoxhajt (PDK) në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për krijimin e institucioneve, është pak më tepër se keqpërdorim nga ana e PDK-së, ngase rrethanat politike dhe juridike të vitit 2014 ishin tjetër fare me këto që janë sot”, theksoi analisti Zeqa. Ai ka shtuar se tani çdo tendencë për përsëritjen e vitit 2014 është abuzim me kushtetutën e vendit dhe vullnetin e qytetarëve. ” Skenari i PAN-it për shtyrjen e seancave të Kuvendit, përveç blerjes në kohe, rrezikon konsekuenca afatgjata për vendin, të cilat mund të përfundojnë me protesta të fuqishme mbarëpopullore. Meqenëse edhe zgjedhja eventuale e kryeparlamentarit nuk e siguron zgjedhjen më pas të kryeministrit të vendit nga radhët e PAN-it, atëherë kërkohet reflektim serioz i liderëve partiakë për tejkalimin e situatës së krijuar e jo ta hedhin përgjegjësinë tek rastet individuale të deputetëve, të cilëve kushtetuta e vendit ua mundëson shprehjen e lirë dhe lëvizjen nga një grup parlamentar në tjetrin si të zgjedhur të sovranit e jo subjektit politik”, tha Zeqa. Ndryshe ai mendon se kërcënimet e liderit të LDK-së ndaj trashëgimisë gjenetike të Ibrahim Rugovës për votën ndaj PAN-it, janë reflektim i katandisje së frymës rugoviane në jetë, subjekt politik, ngase LDK-ja e sotme e udhëhequr nga Isa Mustafa, jo që nuk paraqet vazhdimësi rugoviane në LDK, por është edhe antipod i saj./kosova sot//


