UBT dhe kolegji “Arbëri” kanë mbajtur ligjëratë tematike në kuadër të Javës kundër Korrupsionit
Në kuadër të Javës kundër Korrupsionit, UBT dhe kolegji “Arbëri”, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në Gjilan, kanë mbajtur ligjëratën më temë: “Luftimi i veprave penale – Korrupsioni”, me ç’rast është lansuar edhe fushata sensibilizuese me moton “Zero ryshfet për të korruptuarit”.
Mbajtja e ligjëratës tematike dhe lansimi i kësaj fushate, kishin për qëllim ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe studentëve mbi rëndësinë e luftimit të korrupsionit.
Duke folur për të arriturat dhe trajnimin e rasteve nga organet e drejtësisë, Luan Ibrahimi, zyrtar nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, ka potencuar se ky vit ka shënuar rritje në numrin e të arrestuarve që dyshohet së kanë kryer veprën penale të korrupsionit.
Tutje, ai theksoi se vitin që po lëmë pas janë hapur dhjetëra raste të reja, ndërkaq kërkoi nga qytetarët që të bashkëpunojnë me institucionet përkatëse për minimizimin e rasteve të tilla.
“Kjo fushatë duhet të kontribuon në sensibilizimin e opinionit sepse vetëm këtë vit janë hapur shumë raste të reja, teksa një numër i madh i rasteve janë në shqyrtim e sipër. Duhet të punojmë bashkërisht që të zvogëlohet sa më shumë niveli i korrupsionit”, ka deklaruar Ibrahimi.
Sipas tij, Policia e Kosovës synon dhe ka për fokus që korrupsioni të luftohet edhe në institucionet siç janë: Gjyqësori, Administrata Publike dhe institucione tjera.
Ndërsa, kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi, tha se lufta kundër kësaj dukurie vitet e fundit ka filluar të intensifikohet, sidomos me themelimin e mekanizmave anti-korrupsion.
Ai tha institucionet e drejtësisë po përballen me sfidat të shumta gjatë luftimit të kësaj dukurie, me mos gatishmërinë e qytetarëve për lajmërim të rasteve, mungesë të vullnetit politik dhe përvojës profesionale.
“Lëndëve korruptive u japim prioritet dhe i shqyrtojmë me kohë, por megjithatë këtë vit 75% të rasteve u ka rënë aktakuza për shkak të mos përgatitjes profesionale të lëndëve”, theksoi ai.
Në këtë ligjëratë u diskutua edhe për korrupsionin aktiv dhe pasiv, dënimet dhe procedurat kundër korrupsionit, ndërkaq pjesë e diskutimit ishte edhe Avokati i Popullit, përfaqësues nga Oda Ekonomike e zyrtarë komunal.
Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionin për vitin 2017 të publikuar nga “Transparency International”, Kosova kishte shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit dhe ka zënë vendin e 85-të prej rreth 200 vende të botës, ku si vend është vlerësuar me 39 pikë nga 100 sa janë gjithsej./rajonipress/



