Mafio-oligarkët gjunjëzojnë gjigantin e dikurshëm
Analistët kritikojnë ashpër institucionet që injoruan dhe u sollën me neglizhencë ndaj kësaj ndërmarrjeje, vetëm e vetëm që e njëjta të bankrotojë dhe pastaj t`ia falin ndonjë mafio-oligarku, apo edhe që t’ia dhurojnë Serbisë. Njohësit e kësaj fushe alarmojnë se në çfarë vështirësish të rënda financiare është futur kombinati metalurgjik “Trepça” .
Lajçi: Qëllimi është që kombinati “Trepça” të bankrotojë dhe më pastaj t’ia falin ndonjë grupi mafioz
Ndonëse janë bërë dy vjet prej kur Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ligjin për “Trepçën”, me të cilin mëtonte ta rimëkëmbte dhe rivitalizonte ndërmarrjen, ky ligj nuk arriti të zbatohet.
Analistët kritikojnë ashpër institucionet që injoruan dhe u sollën me neglizhencë ndaj kësaj ndërmarrjeje, vetëm e vetëm që e njëjta të bankrotojë dhe pastaj t`ia falin ndonjë mafio-oligarku, apo edhe që t’ia dhurojnë Serbisë. Njohësit e kësaj fushe alarmojnë se në çfarë vështirësish të rënda financiare është futur kombinati metalurgjik “Trepça” .
Ata alarmojnë se si në këtë kombinat ka rënë prodhimi krahasuar me vitin 2016 dhe 2017 për 50 për qind. Qeveria hesht në pyetjen se përse ende nuk është arritur të fillohet me politikat zhvillimore të kësaj ndërmarrjeje. Me gjithë pyetjet e gazetarit, të dërguara në adresën elektronike të Zyrës për Informim, zyrtarët e MZHE-së po heshtin dhe nuk po flasin për gazetën për gjendjen e rëndë që po mbretëron në kombinatin “Trepça”. Neglizhencë skandaloze në zbatimin e ligjit Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Sala Berisha – Shala, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se janë bërë më shumë se dy vjet nga miratimi i Ligjit për “Trepçën”, ndërkohë që përgjegjësve të zbatimit të tij nuk po u ” bëhet vonë”. “Saktësisht, Ligji do të duhej me qenë në funksion dhe zbatim. Institucionet përgjegjëse për zbatim të ligjit janë; MZHE-ja, AKP-ja, Bordi i ‘Trepçës’ dhe vetë ‘Trepça’ pa anashkaluar edhe rolin e Kuvendit, përkatësisht një pjesë e deputetëve të opozitës, të cilët nuk deshën të jenë pjesë e punës në Draftstatut të ‘Trepçës’. Në këtë fazë të transformimit të ndërmarrjes ‘Trepça’, disa herë si deputete e kam ngritur shqetësimin në cilësi të kryetares së Komisionit për Zhvillim Ekonomik, dhe kam takuar disa herë Bordin mbikëqyrës, përfaqësues të Sindikatës së ‘Trepçës’ dhe MZHE-në. Andaj, për sqarime të tjera drejtojuni MZHE- së, e cila është hallka e parë ekzekutive për zbatim të ligjit”, u shpreh ajo. “Informacionet dhe raportet financiare që vijnë nga ‘Trepça’, tregojnë për një gjendje të rëndë degraduese, sidomos viteve të undit. Shqetësues është fakti se në çdo vit ka rënie të prodhimit, rënie të të hyrave financiare, rritje të borxheve, shkallë të lartë të amortizimit të aseteve si dhe rënieve të investimeve kapitale. Pra, me fjalë të tjera keqmenaxhim i skajshëm”, theksoi Berisha
Shala. “Çdo zvarritje e ligjit është jo vetëm në dëm të ndërmarrjes “Trepça”, por edhe në dëm të sektorit minerar, në dëm të ekonomisë së vendit. Realisht, degradimi i ndërmarrjes shihet edhe nga ajo që dihet; kanë rënë në minimum eksportet e koncentrateve të PbZn dhe nënprodukteve të tjera”, vijoi më tej ajo. Sipas saj, nuk ka politika zhvillimore afatgjate për “Trepçën” pa filluar së zbatuari Ligji i ndërmarrjes “Trepça” , pa u shkëputur juridikisht nga e kaluara dhe pa u regjistruar “Trepça” e re, si aset shtetëror mbështetur gjithmonë në Ligjin për “Trepçën”.
Klikat sunduese, përgjegjëse për degradimin e kombinatit Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ali Lajçi,për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se vërtet është për keqardhje dhe një tragjedi kombëtare që ndonëse kaluan 2 vjet që Kuvendi i Kosovës e miratoi Ligjin për “Trepçën”, që kishte për synim rimëkëmbjen dhe revitalizimin e këtij kombinati, për fatin e keq që nga ajo kohë ky ligj nuk arrti që të zbatohet . “Ishin të gjitha klikat e sundimtarëve tanë të pasluftës dhe drejtuesit e saj e përdorën kombinatin ‘Trepça’, vetëm për të pasuruar njerëzit e politikës, e cila në këtë gjigant emëroi në kontinuitet ekipe drejtuese dhe menaxhmente që do t’u shërbenin pushtetarëve të pasluftës. Shi për këtë, kombinati “Trepça” erdhi në atë pozitë që të ketë rënie prodhimi krahasuar me vitin 2016 dhe 2017 për 50 për qind, duke e sjellë këtë gjigant të dikurshëm buzë shkatërrimit e falimentimit, ndonëse si dihet botërisht ‘Trepça’, dikur ishte aseti më i vlefshëm shtetëror i vendit”, u shpreh ai.
Opozitari Lajçi thotë se e kemi këtë situatë të rëndë në këtë kombinat, ngase janë institucionet e shtetit tonë fajtorët që e injoruan dhe u sollën me neglizhencë ndaj kësaj kompanie, me synimin e vetëm që kombinati “Trepça” fillimisht të bankrotojë dhe më pastaj të njëtën kompani do t’ia falin ndonjë grupi mafioz që është i lidhur me pushtetarët e tashëm, e mbase edhe t’ia bëjnë si dhuratë Serbisë. “Ishin të gjitha qeveritë e kaluara, por edhe kjo e tashmja, fajtorët që e kanë sjellë buzë falimentimit kombinatin ‘Trepça’, që me keqpërdorimet, nepotizmin, korrupsionin dhe emërimet politike po i bëjnë nëpër borde, përfshirë edhe këtë kombinat. Gjigantit ‘Trepça’ nuk i ndihmoi fare as miratimi i Ligjit për ‘Trepçën’, kurse veç saj e keqja është se ende nuk është miratuar Draftstatuti i Kombinatit ‘Trepça’, që me të drejtë po kundërshtohet nga Sindikata e kombinatit”, vlerësoi Lajçi.
KORRUPSIONI E GODITI METALURGJIKUN
Deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës Xhevdet Neziraj, për gazetën Kosova Sot”, thotë se e keqja më e madhe në këtë gjigant të dikurshëm është se janë bërë tash dy vjet që Kuvendi i Kosovës e miratoi Ligjin për “Trepçën”, por nuk arriti të zbatohet. “Prandaj, vlerësoj se pikërisht kjo neglizhencës e qeverive tona është fajtore që ‘Trepça’ erdhi në këtë situatë, ngase pas çlirimit garniturat drejtuese shfrytëzuan postet për pasurime personale dhe keqpërdorim të kombinatit. Është për keqardhje që e kemi këtë situatë, ngase në këtë kombinat që nga pas lufta e deri me këtë Qeveri pati vetëm zhvatjet dhe vetëm zhvatjet deri në pafund,prandaj fondet dhe pasuria u keqpërdorën nga pushtetarët dhe menaxhmentet e pasluftës, të cilat shumica sish qëllimisht e degraduan ‘Trepçën’, por edhe e shfrytëzuan së tepërmi”, u shpreh ai.
QEVERIA TA MARRË NËN MBIKËQYRJE KOMPANINË
Ndërsa, eksperti i ekonomisë Sejdi Halimi, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se me të gjitha këto vështirësi, “Trepça” mund të shpëtojë nga falimentimi, mirëpo fillimisht duhet që ekspertët ta përgatisin planin e veprimit dhe është nevojë imediate një ndërprerje njëvjeçare e prodhimit . “Ndërsa, për të dalë nga kjo krizë menaxhmentin aktual e pret një punë shumë e madhe, por e keqja është se deri më tash nuk po shihet që kanë bërë diçka të mirë”, u shpreh ai. Mirëpo, sipas Sejdiut, që të arrihet kjo, Qeveria e Kosovës duhet ta ketë nën mbikëqyrje 24 orëshe këtë kombinat dhe punën e menaxhmentit të tij dhe nëse është e nevojshme edhe të ndihmohet me para konsolidimi i këtij kombinati. “Prandaj, e them se me të gjitha vështirësitë, kombinati ‘Trepça’ mund të shpëtojë nga falimentimi, por nevojitet një këmbëngulje më e madhe e kësaj Qeverie, e jo ta neglizhojnë si qeveritë e kaluara”, vlerësoi Halimi.
PUSHTETI I INKRIMINUAR E LA ANASH “TREPÇËN”
Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për “Kosova Sot”, tha se vërtet është për keqardhje se, ndonëse Ligji për ‘Trepçën’ ka hyrë në fuqi, ai duket se nuk po funksionon nga ndërhyrjet e Beogradit. “Prandaj, kombinati ‘Trepça’, si ndërmarrje publike, doemos se duhet të ndihmohet nga Qeveria e Kosovës, e jo të lihet anash, sikurse deri tani. Ka qenë neglizhenca dhe injorimi i të gjitha qeverive të pasluftës që edhe e ka sjellë këtë kompani në këtë pozitë dhe kjo ndërmarrje po rrezikohet nga mbyllja e përhershme. Sepse, që nga pas lufta e deri më tash ishin qeveritë e inkriminuara që si duket nuk menduan aspak për punëtorët që punojnë në kombinatin ‘Trepça’, që po rrezikon të falimentojë”, potencoi ai.
SADIKU: RRETH ‘TREPÇËS’ JANË TË IMPLIKUARA GRUPET MAFIO-OLIGARKE
Kreu i Sindikatave të Kombinatit”Trepça” Shyqyri Sadiku, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se është shumë e vërtetë që Ligji për “Trepçën” është miratuar që 2 vjet dhe nuk po gjen zbatim për rimëkëmbjen dhe rivitalizimin e ndërmarrjes “Trepça”. “Pas miratimit të Ligjit për ‘Trepçën’ nga Kuvendi i Republikës së Kosovës,qeveritë e Kosovës nuk janë marrë me të për arsye se nuk kanë mundur të gjejnë interesat e përbashkëta partitë politike për formimin e bordit. Gjithashtu kemi pasur probleme edhe me pjesën veriore ku një pjesë e ‘Trepçës’ menaxhohet nga serbët dhe ata nuk kanë shfaqur interes që të jenë pjesë e Bordit të ‘Trepçës’ për arsye politike”, shpjegon ai.
Sipas Sadikut, institucionet e Kosovës prej pas luftës në një formë e kanë injoruar “Trepçën”, ku një kohë e ka menaxhuar UNMIK-u, pastaj AKM-ja ,AKP-ja, ku nuk ka shfaqur asnjë interesim për ta zhvilluar këtë ndërmarrje, por qëllimet kanë qenë që ta bankrotojnë dhe ta privatizojnë, si shumë ndërmarrje të tjera në Kosovë. “Por, falë syçeltësisë së minatorëve dhe punës së tyre në kushte shumë të vështira, kanë arritur që ta shpëtojnë nga falimentimi dhe të mbijetojmë disi deri më tash. Më duhet ta potencoj periudhën e viteve 2009-2013, ku kjo ndërmarrje filloi të mbarën dhe prodhimi u rrit 100 për qind, dhe patëm një siguri financiare, ku kanë qenë diku rreth 10 milion euro në xhirollogarinë e ‘Trepçës’. Por, ky zhvillim nuk i konvenoi dikujt dhe që nga viti 2014 në ‘Trepçë’ filloi të bjerë prodhimi dhe pa dyshim që me të vërtetë rreth ‘Trepçës’ janë të implikuara grupet mafio-oligarke dhe nuk përjashtohet mundësia që edhe t’ia dhurojnë Serbisë”, alarmon ai.
Sipas Sadikut, “Trepça” është futur në një krizë financiare për shumë arsye: për shkak të keqmenaxhimit,keqpërdorimit, korrupsionit, nepotizmit, mungesës së fuqisë punëtore,mungesa e investimeve kapitale,kushtet e vështira në punë dhe mosbërja e ligjit të veçantë për minatorët ku janë të detyruar që të punojnë deri në moshën 65-vjeçare në minierë etj. “Sipas statistikave, thuhet që ‘Trepça’ i ka borxh diku rreth 3 milionë euro, ndërsa sipas të dhënave që i kam unë, janë 13 milionë euro borxhe. Për tremujorin e fundit i kemi të dhënat e sakta, që kjo ndërmarrje nuk ka mundur as pagat t’i sigurojë me këtë prodhim. Ndryshe, mjetet janë siguruar nga shitja e EIMKO-fundërrinës si dhe nga buxheti i Republikës së Kosovës, që ndahet për çdo vit”, ka thënë Sadiku.
Ai shton se Qeveria e Republikës së Kosovës prej pas lufte deri më tani ka ndarë një buxhet rreth 130 milionë euro. “Ne, Sindikata, kemi kërkuar raport financiar nga menaxhmenti i ‘Trepçës’, por nuk na është dhënë dhe asnjëherë nuk janë bërë publike”, ka pohuar ai. “Këto janë pasojat që po i bartim, ku kemi rënie të prodhimit në mënyrë drastike krahasuar me vitet 2016-2017, kemi rënie të prodhimit për 27 për qind, ndërsa në vitet 2017-2018 kemi rënie për 23 për qind, ku brenda dy vjetëve prodhimi ka rënë për 50 për qind”, shpjegon Sadiku. “Zvarritja e ligjit është një faktor që ka ndikuar, por ne nuk mund t’ia hedhim fajin vetëm ligjit, se ligji nuk ka penguar që të prodhojmë dhe të menaxhojmë më mirë, ku çmimet e metaleve në bursë janë shumë të volitshme. Vetëm këtë krahasim po ua bëj, në vitin 2012 toni i koncentratit të zinkut ka qene 350-400 dollarë dhe në marrëdhënie pune kanë qenë 1500 punëtorë dhe kemi qenë rentabilë, ndërsa tashmë këto vitet e fundit çmimi i zinkut është trefishuar, numri i punëtorëve është zvogëluar dhe ‘Trepça’ është në krizë financiare. Politikat zhvillimore të kësaj ndërmarrjeje nuk po arrihen të fillojnë për shkak të disa faktorëve. Faktori i parë është Bordit Politik dhe i padijshëm, që ta zhvillojë ndërmarrjen ‘Trepça’. Kurse faktori i dytë është Bordi i ‘Trepçës’, i cili nuk ka bashkëpunuar me përfaqësuesin e punëtorëve në Bord për hartimin e Draftstatutit, ku ky Draftstatut është punuar nga një Komision pranë MZHE-së e jo nga Bordi i ‘Trepçës’, ku ne kemi pasur shumë vërejtje në këtë Draftstatut, por Bordi nuk ka dashur të marrë parasysh kërkesat dhe vërejtjet e punëtorëve që të futin në Draftstatut dhe kemi qenë të detyruar që të hyjmë në një grevë të përgjithshme 5 ditore dhe kemi arritur një marrëveshje me ministrin e Zhvillimit Ekonomik dhe Zyrën e Kryeministrit, që këto kërkesa të realizohen. Kurse, kushti i terët është se edhe mosfunksionimi i një ‘Trepçe’ të përbashkët, por deri më tash po funksionojnë dy ‘Trepça’ të ndara”, tha Shyqyri Sadiku për “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)


