‘E rëndësishme të krijohet Qeveri që i çon proceset përpara’
“Haradinaj është në përparësi, pasi që e ka shansin i pari ta krijojë Qeverinë, por kjo nuk nënkupton se Qeveria që mund ta krijojë ai do të jetë më e mirë se ajo që mund ta krijojë dikush tjetër. Mbetet të shihet nëse ai ia del të behet kryeministër dhe si do të menaxhojë me Qeverinë për ta vlerësuar punën e tij. Gjithçka tjetër është paragjykim”, ka thënë Mushkolaj.
Dy ish-eprorët e lartë të UÇK-së, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj, do ta sfidojnë veten të enjten, më 3 gusht, ku do të shihet nëse do të arrijnë që ta fitojnë “betejën”, i pari në krye të legjislativit, derisa i dyti në krye të ekzekutivit.
Rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit janë ato që po ia mundësojnë kandidatit të koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj, që ta bëjë tentimin e parë për formimin e Qeverisë së Kosovës, shkruan “Zëri”.
Por, në anën tjetër përfaqësuesit e LAA-së po e shohin si shans të fundit të Haradinajt, pasi që, sipas tyre, projekti i PAN-it ka dështuar ende pa filluar. Ani pse PAN-i me bindje të plotë thotë se do ta formojë Qeverinë më 3 gusht, kur edhe do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit, partitë tjera thonë se Haradinaj është në disavantazh për ta formuar Qeverinë.
“Vetëvendosja” thotë se Haradinaj është në disavantazh pas kundërshtimit të LVV-së dhe LAA-së. E kjo e fundit tashmë është e vendosur që nga ky koalicion nuk do të ketë votë pro Haradinajt.
Kurse njohësit e çështjeve politike avantazh për Haradinajn e shohin shansin e parë për ta formuar Qeverinë, mirëpo thonë se tashmë i rëndësishëm është vetëm formimi i institucioneve.
Haki Abazi, njohës i çështjeve politike, ka thënë se tashmë nuk është shumë e rëndësishme se kush po arrin ta formojë Qeverinë, por që është e nevojshme një qeveri stabile që do ta nxjerrë vendin nga situata në të cilën ndodhemi tani.
“Në situatën e krijuar pas rrëzimit të Qeverisë dhe rezultateve në zgjedhje, si dhe domosdoshmërinë e urgjencën për të krijuar agjendë të unisuar, është shumë pak e rëndësishme se kush do të jetë kryeministër. Në fakt është koha për mençuri dhe pjekuri politike, sepse çfarëdo qeveri e brishtë do të jepte djegie të kryeministrit, kur kemi parasysh se sa rëndë është agjenda dhe çështjet me të cilat duhet ballafaquar. Gjendja e vështirë socio-ekonomike dhe status-quoja e krijuar kërkon unifikim të agjendës dhe një qeveri të unitetit nacional për ta rikthyer shtetndërtimin në qendër të agjendës dhe interesin qytetar në partneritet të plotë me bashkësinë ndërkombëtare që ka investuar në formimin e institucioneve dhe avancimin e shtetësisë së Kosovës”, ka thënë ai për “Zërin”.
Ai ka thënë se sa më shumë që do të vonohet Kosova në arritjen e këtyre objektivave, aq më e vështirë do të jetë dalja nga izolimi dhe sipas tij më nuk do të jetë e rëndësishme kush është kryeministër i vendit, sepse hapësira për të vepruar është duke u zvogëluar për çdo ditë dhe vendi po shndërrohet në një zorrë qorre të Ballkanit.
Kurse Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve politike, tha se avantazhi i Haradinajt është shansi i parë për ta formuar Qeverinë.
“Haradinaj është në përparësi, pasi që e ka shansin i pari ta krijojë Qeverinë, por kjo nuk nënkupton se Qeveria që mund ta krijojë ai do të jetë më e mirë se ajo që mund ta krijojë dikush tjetër. Mbetet të shihet nëse ai ia del të behet kryeministër dhe si do të menaxhojë me Qeverinë për ta vlerësuar punën e tij. Gjithçka tjetër është paragjykim”, ka thënë Mushkolaj.
Ndërsa Dashnim Ismajli ka thënë se Qeveria të cilën PAN-i po tenton ta formojë me minoritete nuk do t’i sigurojë Kosovës stabilitet.
“Mendoj se eventualisht një qeveri e krijuar sipas këtij modeli që po flitet përmes PAN-it, minoriteteve dhe aty-këtu deputetë të kontrabanduar nuk i garanton Kosovës stabilitet dhe qëndrueshmëri institucionale. Një qeveri e formuar sipas kësaj formule do të ishte edhe ajo “Nyja Gordiane” që për z. Haradinaj përbën sfidë të madhe, në rast se këto grupe politike nuk tregohen të gatshme ta gjejnë formulën për një qeveri të shumicës, që në sfidat e ardhshme Kosovës do t’ia garantonte perspektivën e saj, duke treguar edhe qëndrueshmërinë institucionale”, tha ai.
Ai përmendi si problematikë çështjen e kalimit të agjendave të mëdha në Kuvend, ku me Qeverinë që PAN-i po tenton ta formojë, kalimi i këtyre agjendave do të jetë thuajse i pamundur. /ZËRI/


