Eko Higjiena

Jo vetëm mashtruan, papunësinë e thelluan!

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

16 mijë vende pune u humbën brenda një viti

“Nuk di si ka fytyrë dikush prej tyre të dalë e t’i thotë rinisë tonë ‘ndalni, mos ikni nga vendi…’. Sot nuk ka aq naivë sa të mos e kuptojnë se çka po veprohet te ne. Ku janë ato vende pune, sikur po thuhet. Pse pra kryen shkollimin superior dhe mbetet të punojë për 170 euro nëpër bufetë dhe restorantet e ndryshme”, vlerësoi analisti Shefik Shkodra për “Kosova Sot”

Qeveria e Kosovës, nëpërmjet buxhetit 2019, e konfirmoi se gjatë vitit të shkuar janë humbur jo më pak se 16.000 vende pune. Analistët thonë se kjo qeveri arriti që për secilën ditë të mandatit të koalicionit PDK, AAK, NISMA, AKR, 44 kosovarë të mbesin pa punë. Analistja Liridona Bislimi për gazetën “Kosova Sot” thotë se të rinjtë e Kosovës ardhmërinë e vet e shohin jashtë vendit, për shkak të papunësisë, e cila është më e larta në rajon, si dhe për shkak të një pasigurie ekonomike, sociale dhe politike që mbretëron në vend.”Secila ditë pune e kësaj qeverie është ditë papunësie për 44 kosovarë të rinj. Ditë të rënda për 44 familje kosovare gjatë qeverisjes së kualicionit PAN”, u shpreh ajo. “Si do të pritej që të kemi rezultate të mira nga një qeveri e zënë me kapje institucionale e me rehati partiake, e cila s’mund të prodhojë zhvillim për qytetarët e vet. Një qeveri që mendon vetëm për zëvendësministrat e vet, gati 100 sosh; që fal borxhe, paguan dënime e rahaton militantë në ndërmarrje publike, s’mund të krijojë punë për askënd”, vijoi më tej Bislimi.

Sipas shifrave zyrtare, papunësia në Kosovë ka arritur në shifrën prej 32.9 për qind, kurse sipas shënimeve të përfaqësuesve të punëtorëve thuhet se niveli i papunësisë është mbi 45 për qind. Qeveritarët menduan vetëm për luksin e tyre Analisti Shefik Shkodra për gazetën “Kosova Sot”, tha se gabimet e qeverisë së tashme janë bukur të theksuara, me ngritje pagash stafit të vet; me punësime në resorët e ndryshëm pa kurrfarë efekti, me mbushjen e një numri të pashembullt me zëvendësministra, këshilltarë; me shpikje të vendeve të ndryshme, si koordinatorë e zyrtarë të tjerë që nuk i duhen askujt; me faljen e borxheve; zgjerimin e monopoleve kriminale; pagesa e dënimeve dhe rehatime të militantëve, si ato qeveritë e përparshme, në mos më keq etj.”Nuk di si ka fytyrë dikush prej tyre të dalë e t’i thotë rinisë tonë, ‘ndalni, mos ikni nga vendi…’ Sot nuk ka aq naivë sa të mos e kuptojnë se çka po veprohet te ne. Ku janë ato vende pune, sikur po thuhet. Pse pra kryen shkollimin superior dhe mbetet të punojë për 170 euro nëpër bufetë e restorantet e ndryshme”, vlerësoi Shkodra.

Ndërsa analisti Ali Hertica për gazetën “Kosova Sot” thotë se nga Qeveria e Kosovës jo që s’janë shtuar vendet shtesë, por janë humbur edhe ato vende pune ekzistuese.”Shumica e njerëzve të punësuar në administratën publike të Kosovës kanë ardhur përmes lidhjeve partiake, familjare dhe lidhjeve tjera”, potencoi ai.”Qeveria vetëm e betonoi numrin e madh, ristrukturimin dhe emërimet e divizioneve politike që nuk janë vetëm me ministra, zëvendëskryeministra dhe zëvendësministra, por edhe me kabinete politike dhe stafi tjetër politik që është enorm për Kosovën. Jashtë kësaj nuk ka asnjë të arritur tjetër që mund të përmendet”, vijoi më tutje Hertica. Sipas tij, e gjithë kjo situatë ekonomike dhe politike po nxit largimin e të rinjve nga Kosova.

Ndërsa deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita, Salih Salihu (PSD), për gazetën “Kosova Sot”, thotë se aspak nuk duhet që të na befasojnë këto shifra mbi zvogëlimin e numrit të të papunëve në Kosovë.”Qeveria ‘Haradinaj’ në plan të parë të punës së saj e kishte agjendën politike, në vend se të ishte e kundërta, që agjenda ekonomike të jetë dominuese. Ndaj i kemi këto shifra të rritjes së numrit të të papunëve”, u shpreh ai.”Qeveria ka menduar vetëm se si të falë borxhet e jo si t’i inkasojë borxhet, ngase kjo qeveri mendon se si të zgjerojë monopolet kriminale e jo që të krijojë kushtet e barabarta për të gjitha bizneset që të kenë një treg të lirë”, shpjegon më tej Salihu. Qytetarët, të zhgënjyer nga pushteti Qytetarët e anketuar thonë se tej mase janë të zhgënjyer me premtimet boshe të punësimit nga koalicioni qeverisës që kishin premtuar me qindra e mijëra vende të reja pune.

ARKATANA

Qytetari nga Prishtina, Musli Abazi, për gazetën “Kosova Sot” thotë se koalicioni premtoi, por mashtroi.”Për fatin tonë të keq, bazuar në këto shifra, na doli e kundërta, sepse koalicioni i tashëm nuk i realizoi fare këto premtime, ngase premtimet e tyre për punësim e zhvillim mbeten vetëm premtime në letër e asgjë tjetër”, u shpreh ai.

Ndërsa qytetari tjetër, po ashtu nga Prishtina, Albert Maloku, për “Kosova Sot”, thotë se ky është një tmerr i paparë dhe keqardhje e madhe, pasi që qeveritarët e tanishëm që premtuan me qindra e mijëra vende të reja pune, bënë të kundërtën, e rritën papunësinë.”Të premtosh aq shumë vende të reja pune e në anën tjerë shifrat të tregojnë se kemi pasur rritje të papunësisë për më shumë se 16 mijë vende të reja pune, kjo nuk do asnjë koment”, u shpreh ai. Sipas tij, sa më parë që të largohet kjo qeveri, aq më mirë për popullin.

MIJËRA TË PAPUNË

“Në Kosovë çdo vit rreth 30 mijë të rinj hyjnë në tregun e punës, ndërsa në anën tjetër as për së afërmi nuk hapen 30 mije vende të reja pune. Për këtë arsye në Kosovë niveli i papunësisë rritet, çdo vit. Për këtë arsye mundësia për të punuar legalisht në vendet evropiane tash është e madhe dhe kjo është një joshje shumë e madhe për rininë kosovare”, u shpreh Ali Hertica për “Kosova Sot” PATURPËSIA POLITIKE “Edhe deklaratat e qeveritarëve, të tipit si zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, janë shumë patetike, ngase po i njëjti pa asnjë fije turpi gjoja po i fton të rinjtë që të mos e lëshojnë Kosovën. Këta politikanë që e kanë kapur dhe shtrydhur shtetin, duke mos lënë asnjë pikë perspektive për qytetarët, duke i detyruar qytetarët që ta braktisin shtetin”, tha Salih Salihu për “Kosova Sot”

(Kosova Sot)