ARKATANA

Pushteti korruptiv e lë Kosovën në izolim

/ 8 minuta lexim
KKVITI

Ndonëse kanë mbetur më pak se dy muaj deri në përfundim të këtij viti, pothuajse nuk ka gjasa që të merret vendimi nga Këshilli i Ministrave të BE-së për heqjen e vizave për kosovarët.

“Këtë vit nuk do të ketë liberalizim të vizave, sepse luftimi i korrupsionit dhe krimit nuk po ndodh nga institucionet e Kosovës. Përkundrazi, aferat korruptive u shtuan me burgosjen e zëvendësministrave të Qeverisë ‘Haradinaj’. Imazh më të keq se një Qeveri me ministra me aktakuza nuk ka se si të jetë ndryshe”, thotë Ymret Reshiti për gazetën “Kosova Sot”.

Ndonëse kanë mbetur më pak se dy muaj deri në përfundim të këtij viti, pothuajse nuk ka gjasa që të merret vendimi nga Këshilli i Ministrave të BE-së për heqjen e vizave për kosovarët.

Kjo situatë ka bërë që qytetarët tanë të bien në depresion të thelle dhe de facto u është vrarë shpresa për një jetë më të mirë në këtë shtet ku po sundon e lulëzon vetëm korrupsioni e krimi i organizuar. Shi për këtë, analistët dhe të anketuarit vlerësojnë se qytetarët po kërkojnë çdo rrugë të mundshme për t’u larguar sa më parë nga ky vend. Sipas njohësve të kësaj fushe, edhe ata që kanë marrë diploma po ikin dhe po shikojnë që të ikin, sepse vendet e tyre i zënë të paditurit, dhe të gjithë të tjerët ikin se nuk mund të gjejnë një vend pune si duhet, madje po ikin edhe të punësuarit nga padrejtësitë e përditshme që shohin në vendin e tyre. Dhe, gjersa qytetarët tanë po largohen nga vendi, pushtetarët tanë të pangopshëm po e trashin luksin e tyre dhe po i bëjnë rrush e kumbulla paratë e qytetareve taksapagues.

Nëpërkëmbje e të drejtave

Analisti politik Shefik Shkodra tha për gazetën, “Kosova Sot”se disa herë në “Kosova Sot” është potencuar se qytetarët e Kosovës nuk po gjejnë rehati në vendin e tyre, sepse nuk mund t’i realizojnë të drejtat e tyre. “Kryerja e studimeve me sukses nuk është e mjaftueshme për këta breza të ardhshëm, ngase do të duhej që secili prej tyre të ketë një prej shtyllave kryesore, që lidhjen me pushtetin dhe forcat e tjera klanore që kanë të bëjnë me ta. Edhe të punësuarit nëpër disa vende që u teprojnë pushtetarëve dhe zyrtarëve tanë, është me një pagë shumë të ulët, si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik. Dhjetëra obligime ndaj të punësuarit nuk realizohen, si sigurimi shëndetësor (në disa vende), pushimi ditor, javor dhe ai vjetor. Sidomos, në sektorin privat fare nuk është e qëndrueshme asgjë dhe asgjë nuk është në favor të të punësuarit”, vijoi më tej Shkodra. “Shkollimi që është dhe ishte dikur shpresa më e madhe për punësim të përhershëm, për dikë është zhgënjim. Ata nuk mund të vijnë në rend dhe nuk mund të zgjidhen sipas konkursit me aftësitë e tyre, ngase këto vende i zënë pjesëtarët e klaneve nga institucionalistët dhe zyrtarët e këtij vendi, që i kanë okupuar të gjitha segmentet e të dy sektorëve. Vetëm nepotizmi është ‘ilaçi’ që mund ta zgjidhë problemin, por edhe paraja si mitë”, ka theksuar Shkodra. “Rregullat e konkursit janë të dështuara kaherë. Prandaj, çdo i ri kërkon dhe lutet që sa më parë të fitojë ndonjë vizë dhe të ikë nga ky vend që e kanë mallkuar pushtetarët e përjetshëm”, ka thënë ai. Sipas tij, faji është krejt te qeveritë dhe institucionet e tjera të këtij vendi, të cilat janë të korruptuara e të kriminalizuara.

Aferat korruptive u shtuan

Kurse, analisti tjetër, Ymret Reshiti thotë për gazetën “Kosova Sot”, se çështja e mosliberalizimit të vizave edhe një herë ka treguar dështimin e udhëheqjes shtetërore në përmbushjen e detyrave të saj. “Bashkimi Evropian është i pakompromis në përmbushjen e kritereve për të dhënë liberalizimin e vizave. Kushti që nuk po do ta përmbushë udhëheqja kosovare është luftimi i korrupsionit. Gënjeshtrës kosovare se do të marrë liberalizimin e vizave këtë vit i ‘doli ngjyra'”, u shpreh ai. “Kjo gjendje është e papranueshme për BE- në dhe paraqet fakt relevant se jo që do të luftohet korrupsioni, por kjo Qeveri është ‘e inkriminuar në korrupsion'”, vijoi më tej Reshiti. Kurse, njohësi i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Ali Hertica, për gazetën ” Kosova Sot’, thotë se vendimmarrja nga Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti Evropian për heqjen e vizave për Kosovën është e pamundur të përfundojë deri në fund të këtij viti, sepse kanë mbetur vetëm edhe dy muaj dhe një vendim i tillë është vështirë që do të ndodhë edhe në vitin 2019. “Qeveria dhe politika e Republikës nuk i kanë përmbushur edhe disa obligime që disa shtete mike të BE-së e njohën Kosovën si shtet të pavarur, si: Francës, Gjermanisë dhe Holandës, për të votuar pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Një hezitim i tillë vjen si pasojë e mosluftës të pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nga vetë bandat e oligarkëve të mafisë politike që nga rasti i veteranëve dhe deklaratat e liderëve politikë rreth punës së prokurorit, ose edhe të gjithë rastit të veteranëve”, vlerësoi më tej ai.

Eco Higjiena

Qytetarët fajësojnë lideshipin

Veç analistëve, edhe qytetarët e anketuar po akuzojnë sundimtarët tanë se ata janë fajtorët për mosliberalizimin e vizave deri tash. Gjersa qytetarët po largohen nga vendi, po ndodh fenomeni që pushtetarët tanë të pangopur, po e trashin luksin e tyre dhe po i bëjnë rrush e kumbulla paratë e qytetarëve taksapagues. I këtij mendimi është edhe qytetari Ramadan Ferizi, i cili për gazetën ” Kosova Sot” thotë se liberalizimi i vizave do të zvarritet deri në fund të vitit 2019. “Kurse fajtorë të izolimit të qytetarëve janë politikanët e korruptuar, që i mbajnë peng qytetarët me mospunën dhe neglizhencën dhe në radhë të parë papërgjegjësisë së tyre ndaj detyrave të caktuara nga ana e BE-së”, u shpreh ai. “Kjo ka bërë që qytetarët tanë kanë rënë në depresion të thelle dhe de facto atyre u është vrarë shpresa për një jetë më të mirë në këtë shtet ku po sundon e lulëzon vetëm korrupsioni e krimi i organizuar. Për shkak të mospërmbushjes së kritereve të caktuara si detyra nga BE-ja për Qeverinë tonë dhe për shkak të mospërmbushjes së tyre të tërësishme sivjet nuk ka liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Ferizi. Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina Reshat Salihu, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se nuk ka dyshim se liberalizmi i vizave do të shtyhet të paktën deri në fund të vitit 2019.”Dhe, fajtor janë politikanët që nuk kanë kryer detyrat e tyre, ngase lidershipi i shtetit nuk i kryen kërkesat e përcaktuara nga BE-ja”, theksoi ai. Sipas Salihut, nuk duhet të habitemi se përse qytetarët po kërkojnë çdo rrugë të mundshme për t’u larguar sa më parë nga ky vend. “Madje, po duan të ikin edhe ata që kanë marrë diploma, sepse vendet e tyre i zënë të paditurit, dhe të gjithë të tjerët ikin se nuk mund të gjejnë një vend pune si duhet. Madje, po ikin edhe të punësuarit nga padrejtësitë e përditshme që shohin në vendin e tyre”, potencoi Salihu. Ai tha se pa kryerjen e detyrave të shtëpisë, të përcaktuara nga BE-ja, nuk ka liberalizim të vizave.

NË DORËN E SHTETEVE

“Shtetet evropiane po deklarohen se vendimi për heqjen e vizave varet nga vullneti i shteteve anëtare të BE-së dhe vetë politika kosovare që t’i përmbushë të gjitha obligimet ligjore të jetë një shtet i kontrolluar nga ligji e jo nga mafiooligarkët”, theksoi Ali Hertica për “Kosova Sot”.

TË KORRUPTUARIT, NË DYZ

“Popullit duhet t’i tregohet e vërteta. E vërteta është se institucionet tona kanë dështuar që të përmbushin kushtin për liberalizim vizash dhe nuk është fajtore BE-ja. Me zyrtar të korruptuar nuk luftohet korrupsioni dhe as që mundemi të shkojmë në Evropë, pos në Dyz, aty ku e kanë vendin zyrtarët e korruptuar”, theksoi Ymret Reshiti për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot