Fundamenti

Haradinaj tha fjalë në erë, sekserët e energjisë kurrë nuk u zbardhën

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Askush nuk është në dijeni se çka ndodhi me sekserët e energjisë elektrike, për të cilët foli kryeministri Ramush Haradinaj qysh para 1 viti dhe në të njëjtën kohë ai nuk ndërmori asgjë për t’i zbardhur se kush janë ata sekserë. Siç dihet, kryeministri Haradinaj kishte deklaruar se krizën energjetike e kanë sjellë në këtë gjendje interesi i sekserëve që blejnë dhe shesin energji elektrike.

Prandaj, nga njohësit e kësaj fushe shtrohet pyetja se përse nuk po zbardhen emrat e këtyre sekserëve energjetikë, ngase edhe pse u bë një vit nga këto akuza publike që i bëri Ramush Haradinaj, kryeministri, nuk dha emra se për kë e ka fjalën, por thotë se dikush e la me qëllim vendin pa rezerva qymyri. Ata shtrojnë pyetjen se deri kur do t`iu lejohet nga Qeveria si dhe Prokuroria sekserëve kriminalë dhe nëntokës që të vazhdojnë të kenë në dorë çdo institucion të Kosovës, në çdo nivel, përfshirë këtu edhe të gjitha ndërmarrjet publike, përmes të cilave i kanë bërë qindra miliona euro që nga paslufta e deri me sot, duke përfshirë tenderët e dhënë në mënyre kriminale e deri te shitja dhe blerja e energjisë elektrike. Me gjithë pyetjet e dërguara të gazetarit se çka thonë në Qeverinë e Kosovës dhe çka në MZHE dhe çka në Prokurorinë Speciale dhe pse po heshtet për këta sekserë, asnjëri nga institucionet nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën.

Salihu: Dikush e la me qëllim vendin pa rezerva qymyri

Lidhur me çështjen, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu (PSD), për gazetën “Kosova Sot” thotë pajtohet me atë që ka deklaruar një vit më parë kryeministri Ramush Haradinaj, që kishte thënë se krizën energjetike e kanë sjellë në këtë situatë interesi i sekserëve që blejnë dhe shesin rrymë. “Por në cilësinë e deputetit opozitës, unë e shtroj pyetjen për kryeministrin e vendit se përse ndonëse u bë një vit nga këto akuza publike që i bëri Ramush Haradinaj, ai nuk dha emra se për kë e ka fjalën, por thotë se dikush e la me qëllim vendin pa rezerva qymyri. Prandaj këto akuza të z. Haradinaj na tregojnë se ato ishin vetëm për konsum të brendshëm politik e në të njëjtën kohë ai nuk ndërmori asgjë për t’i zbardhur se kush janë ata sekserë të energjisë”, është shprehur ai. Salihu habitet me mosreagimin e Haradinajt dhe Prokurorisë që sekserët kriminalë dhe nëntoka që të vazhdojnë të kenë në dorë çdo institucion të Kosovës, në çdo nivel, përfshirë këtu edhe të gjitha ndërmarrjet publike, sepse që ngapaslufta e deri më sot, përmes të cilave i kanë bërë qindra miliona euro, përfshirë tenderët e dhënë në mënyrë kriminale e deri te shitja dhe blerja e energjisë elektrike.

Sipas Salihut, tashmë një gjë po dihet dhe se nuk ka asnjë dyshim se edhe mungesa e energjisë elektrike që po ndodh tash e 19 vjet, veç bizneseve, po i dëmton tej mase edhe ekonomitë familjare dhe kjo po e rrezikon edhe shëndetin e njerëzve.”Pengesa më e madhe, veç sigurisë dhe situatës politike, por edhe mungesës së ligjit, mungesa e energjisë elektrike është indikatori kryesor që po i tremb investitorët e huaj që të vijnë në Kosovë”, është shprehur ai. Njohësi i çështjeve ekonomike e financiare, Milazim Abazi për gazetën “Kosova Sot” thotë se premtimi i Haradinajt për energjinë, i dhënë në vitin e kaluar, është përmbushur në plotni. “Falë angazhimit edhe personal të kryeministrit Haradinaj, furnizimi me energji elektrike në tremujorin e katërt 2017 dhe në tërë vitin 2018 ka qenë shumë më i mirë se përpara, importi i energjisë thuajse ka rënë fare, si dhe është ruajtur çmimi i ulët i energjisë elektrike në përdorim”, është shprehur ai.

Guraziu: Haradinaj po flet kot

Hidromorava

Analisti Ragip Guraziu, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se një kryeministër si ky yni asnjëherë nuk na dha përgjigje se çka ndodhi me sekserët e energjisë elektrike, për të cilët foli para 1 viti dhe nuk ndërmori asgjë për t’i zbardhur se kush janë ata sekserë.”Si qytetar po e pyes se, edhe pse u bë një vit nga këto akuza publike që i bëri Ramush Haradinaj, pse nuk dha emra se për kë e ka fjalën që e la me qëllim vendin pa rezerva qymyri”. Sipas Guraziut, po t’i kishte ndodhur kështu një kryeministri tjetër në ndonjë shtet perëndimor, ai do të ishte detyruar që sekserët t’i dërgojë në burg, ose do të kishte dhënë dorëheqje. “Por për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, premtimi dhe mosrealizimi i asaj që e thotë është një bumerang. Sepse edhe një vit pas fjalës së tij kryeministri nuk i ka dhënë sekserët e energjisë elektrike dhe kjo nuk do koment. Kjo lë të kuptojmë se udhëheqësve të Kosovës, sidomos kryeministrit Haradinaj dhe presidentit Thaçi, nuk po u shkon më fjala askund dhe qytetarët e Kosovës e kanë humbur besimin tek ata”.

GRAPCI: KUSH PO QËNDRON PRAPA SHITBLERJES SË QYMYRIT NGA KOSOVA

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se Kosova ka qenë në ish-Jugosllavi shteti më i fuqishëm në Ballkan, sa i përket energjisë elektrike dhe qymyrit.”Prandaj jo vetëm që 1 vit, por thuajse që nga paslufta Kosova po humb në mënyrë kriminale dhe ilegale me qindra tonelata qymyr, porse ku po shiten dhe kush po i blen askush nuk e ka bërë publike. Një gjë është e sigurt, se nëse vazhdon ky vandalizëm dhe shkatërrim i pronës publike, Kosova brenda 10-15 viteve nuk do të ketë më as qymyr për ta furnizuar Kosovën me energji elektrike. Prandaj, Policia dhe Prokuroria e Kosovës duhet që të marrin masa të ashpra, duke kërkuar se kush po qëndron prapa, kundër shit-blerjes së qymyrit nga Kosova”, është shprehur eksperti Dardan Grapci për gazetën “Kosova Sot” .

ISTOGU: FURNIZIMI ME ENERGJI NGA IMPORTI KA QENË GJITHMONË NJË FAQE E ERRTË KORRUPTIVE

Analisti i ekonomisë, Zekim Istogu, për gazetën “Kosova Sot” thotë se të gjithë e dimë se problemi i blerjes dhe shitjes së energjisë është një problem që po zgjat më shumë se një dekadë. “Gjithashtu vonesa në shpronësimin e pronave të banorëve të Hadës është bërë qëllimshëm, për përfitime materiale të dikujt që është i involvuar në vendimmarrje. Furnizimi me energji nga importi ka qenë gjithmonë një faqe e errtë korruptive. Jo vetëm blerja e energjisë është e kriminalizuar. Kosova shet sasi të madhe të energjisë, me çmime ekstremisht të lira, pasi koha kur shet është kur tregu ka kërkesa minimale, kryesisht gjatë natës. Mungesa e vullnetit politik, paaftësia e negocimit dhe influenca e profiterëve politikë nuk kanë lejuar të bëhet një marrëveshje e mirëfilltë KosovëShqipëri, ku do të mund të bëhej një ndërlidhje e përkryer e energjisë së prodhuar nga rezervat hidrike që është e bollshme në Shqipëri dhe energjisë së prodhuar nga impiantet termike të Kosovës. Skemat kriminale në tregun e energjisë funksionojnë që nga paslufta. Mund të jetë rrjet ndërkombëtar, nga i cili pos tjerëve më së shumti përfiton Serbia, krejt kjo në kurriz të taksapaguesit kosovar. Prokuroria edhe po të ketë vullnetin nuk ka kapacitete të hetojë skemat kriminale të sekserëve të tregtisë me energji. Si duket ky sistem i blerjes së energjisë u konvenon edhe strukturave politike në Kosovë. Kjo drejtpërdrejt dëmton materialisht qytetarin dhe vështirëson punën e bizneseve”, thotë për gazetën “Kosova Sot” eksperti i ekonomisë, Zekim Istogu.

(Kosova Sot)