ARKATANA

Deputetët e luksit, mbi 112 mijë euro “shëtitje” nëpër botë

/ 8 minuta lexim
Hidromorava

Vetëm gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, 70 deputetë të Kuvendit të Kosovës i shpenzuan mbi 112 mijë euro në udhëtime zyrtare. Ndaj, edhe kjo bëri që krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti, shpenzimet e deputetëve në udhëtimet jashtë vendit të rriten madje për 86 për qind. Deputetët patën në Shqipëri 24 udhëtime, në Turqi, në Gjermani, në Francë me nga 10 udhëtime, ndërsa në SHBA tetë udhëtime. Efekti i këtyre shëtitjeve në punën e Kuvendit është zero.

Shkodra: Kush i kontrollon shpenzimet e 70 deputetëve, për 112 mijë euro vetëm për një tremujor? Natyrisht se askush. ‘Vetë vulos, vetë vendos!’

“Si qytetarë kërkojmë rezultatet e këtyre vizitave, se për çfarë u shpenzuan këto para. Sa njohje të reja kemi? Se përndryshe shpenzimi i tyre nga deputetët ishte i kotë, sepse deputetët me sjelljet e tyre të papërgjegjshme nuk po lodhen fare që të punojnë e të nxjerrin ligje dhe për ta kontrolluar Qeverinë, që fundja është edhe misioni i tyre si deputetë të zgjedhur nga populli”, theksoi Albert Maloku për “Kosova Sot”.

Vetëm gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, 70 deputetë të Kuvendit të Kosovës i shpenzuan mbi 112 mijë euro në udhëtime zyrtare. Ndaj, edhe kjo bëri që krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti, shpenzimet e deputetëve në udhëtimet jashtë vendit të rriten madje për 86 për qind. Deputetët patën në Shqipëri 24 udhëtime, në Turqi, në Gjermani, në Francë me nga 10 udhëtime, ndërsa në SHBA tetë udhëtime. Efekti i këtyre shëtitjeve në punën e Kuvendit është zero.

Nga analistët dhe qytetarët vlerësohet se deputetët të vetmin qëllim i kanë shëtitjet në llogari të buxhetit të shtetit, shpenzimet për dreka,darka, hotele ekskluzive, e nuk lodhen fare që të punojnë për të bërë ligje si dhe për ta kontrolluar Qeverinë. Analisti politik Shefik Shkodra, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se buxheti i shtetit për këta njerëz është si një “strajcë” për tagji kali, kur dihet se buxheti mblidhet prej të gjitha kontributeve të qytetarëve tanë. “Deputetët nuk janë një gjendje të mbajnë një mbledhje për disa ligje që do të duhej të aprovoheshin, e lëre më që të trajtonin çështjen sociale, rregulloren e pagave për të gjitha kuadrot, në të gjitha sferat e jetës në Kosovë”, u shpreh ai.

Deputetë grabitës

Sipas Shkodrës, këta deputetë, grupe të partive me shefat e tyre, nuk kanë marrë asnjë problematikë për shqyrtim për ligjin e Kushtetutën, për zhvillimin dhe punësimin e qytetarëve, për veprimtarinë e sektorit shëndetësor, për arsimin, që është për turp. “Këta luftojnë për nepotizëm, për diçka ‘grabitëse’, për mashtrime të popullit me disa fraza e ‘zgërdheshje’ para tyre në momente të caktuara. Kush i kontrollon shpenzimet e 70 deputetëve, për 112 mijë euro vetëm për një tremujor? Natyrisht se askush. ‘Vetë vulos, vetë vendos!’ Dhe, kjo çudi është vetëm njëra prej 1001 të tjerave që shpërfaqen prej vetë deputetëve dhe zyrtarëve të këtij pushteti(shteti), po kjo nuk do shumë koment”, vlerësoi më tutje Shkodra. Ndërsa, analisti Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se në bazë të raportit financiar për tremujorin nga Instituti Demokratik i Kosovës, nga prilli deri në qershor, këta deputetë kanë realizuar 136 udhëtime, por pjesa e madhe e këtyre udhëtimeve thuajse aspak nuk kanë sjellë ndryshim në jetët e qytetarëve. “Buxheti i Kosovës vazhdon të shpenzojë miliona euro për mëditje të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, ngase janë shpenzuar afër 400 mijë euro më shumë se në vitin 2017. Për këtë kategori shteti në vitin 2018-të ka shpenzuar 3 milionë e 112 mijë”, u shpreh ai. “Pra, këta janë të besuarit e popullit të vuajtur dhe shtresës së vegjëlisë, e cila mezi siguron kafshatën e bukës nga kjo kastë kriminale që po e turpëron shqiptarinë”, potencoi Hertica.

Qytetarët, të indinjuar me abuzimin parlamentar

Mobi Casa

Qytetarët e anketuar thonë se ata janë tejet të indinjuar me shpenzimet e parasë publike nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Kësisoj, Albert Maloku, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se së pari kjo shifër aq e lartë na tregon se kjo sjellje e deputetëve është një turp i madh dhe se këta deputetët tanë po e tregojnë kulturën e tyre qytetare. “Më kujtohet një artikull që e pati bërë gazeta ‘Dello’ e Lubjanës, që pati deklaruar pas lufte se me Kosovën po udhëheqin ata që dje i lanë opingat e tyre në lloç, kurse sot nga lloçi janë ulur nëpër kolltukë dhe ‘mercedesa’, andaj edhe shkrimi i gazetës ‘Dello’ po na del të jetë i vërtetë. Ne si qytetarë duhet të turpërohemi, sepse këto para që pa asnjë dhimbje po i harxhojnë pushtetarët dhe deputetë tanë janë para të qytetarëve të Republikës së Kosovës, pra ato janë para e djersës së qytetarëve tanë që punojmë, andaj është një turp për këta deputetë”, u shpreh ai. “Si qytetarë kërkojmë rezultatet e këtyre vizitave se për çfarë u shpenzuan këto para. Sa njohje të reja kemi? Se përndryshe shpenzimi i tyre nga deputetët ishte i kotë, sepse deputetët me sjelljet e tyre të papërgjegjshme nuk po lodhen fare që të punojnë e të nxjerrin ligje dhe për ta kontrolluar Qeverinë që fundja është edhe misioni i tyre si deputetë të zgjedhur nga populli”, vijoi më tej Maloku.

Ndërsa, qytetari tjetër Agron Mustafa, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se ashtu si ekziston gara në mes partive politike, që sa më parë të vijnë në pushtet, ashtu ekziston edhe gara në partitë politike se kush do të vijë në funksione. “Rezultati i këtyre vizitave duke bërë qejfe në tërë botën është zero, madje ata gjatë këtyre vizitave dhe nuk japin asnjë llogari dhe nuk paraqesin fare raportet e tyre financiare se ku i shpenzuan këto para”, theksoi ai. Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina, Mustafë Halili, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se ky Kuvend që është sot legjitim është duke vepruar dhe duke punuar së pari kundër të drejtave dhe lirive të njeriut dhe qytetarëve të Kosovës që ua kanë dhënë votën. “Që e keqja të jetë edhe më e madhe po bëhen aq shumë shpenzime për udhëtimet e po këtyre deputetëve jashtë vendit dhe unë nuk e di se kush do t’i arsyetojë dhe kush do t’i nënshkruajë tërë ato shpenzime marramendëse. Kjo, ngase delegacionet tona me nga 10 deputetë po shëtisin nga disa ditë nëpër Evropë, e nuk po bëjnë asgjë për njohje të reja. Ndërsa, kur të kthehen në Kosovë, të njëjtët deputetë tashmë votojnë kundër njëri- tjetrit. Prandaj, edhe rritja e sivjetme e shpenzimeve për 86 për qind krahasuar me një vit më parë, vërtet është e patolerueshme”, vlerësoi ai. Sipas Halilit, edhe kërkesat e disa partive që thonë se zgjidhja më e mirë e këtij problemi janë zgjedhjet e reja nacionale, është një kërkesë shumë me vend.

KORRUPSIONI I LEGALIZUAR

“Vetëm shikoni disa komuna me çfarë buxheti e mbajnë administratën dhe veprimtaritë komunale. Shikoni shkollat sa janë të meremetuara për fillimin e vitit shkollor, shikoni ndërtesat e tjera institucionale me kanalizime, ujësjellës, higjienë, etj. Për shpenzimet e këtyre deputetëve dhe zyrtarëve tanë kemi folur edhe ndonjëherë tjetër. Kësaj i thonë, foli “Zenës, foli stenës!” Themi kështu, ngase krimi dhe korrupsioni është i legalizuar nga pushtetmbajtësit “, tha Shefik Shkodra për “Kosova Sot”.

FRIKA NGA ZGJEDHJET

“Kjo po tregon se kjo përbërje e tashme e deputetëve të Kuvendit të Kosovës sikur po frikohen se do të ketë zgjedhje nacionale sa më parë dhe po shëtisin sa po munden. Prandaj, atyre nuk u intereson fare se a do të ketë njohje të reja për Kosovën dhe a do të kontribuojnë diçka për të mirën e Kosovës . Por, qëllimi i vetëm i tyre është që të shëtisin e që ta mbushin xhepin e tyre me para nga mëditjet dhe rrogat e tyre marramendëse, kurse Kosova në bisht të sorrës”, u shpreh Agron Mustafa për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot