Fjala e Atdhe Gecit me rastin e promovimit të librit dokumentar, “Rilindja e Shtetit të Çamërisë” në Vlorë
Të nderuar shkrimtarë dhe bashkëveprimtarë të çështjes kombëtare çame. I nderuar president i Republikës së Çamërisë z. Festim Lato!I nderuar kryeministër i Republikës së Çamërisë z. Ali Aliu! Të nderuara media!
Libri dygjuhësh, shqip-anglisht, “Rilindja e Shtetit të Çamërisë”, me 150 faqe, që po i jepet në duar sot lexuesit shqiptar dhe institucioneve ndërkombëtare të qendrave të vendosjes, është një fillim i mbarë në udhën tonë të Rilindjes.
Të nderuar shkrimtarë dhe bashkëveprimtarë!
Atdhe s´quajmë vetëm të sotmen, por edhe të kaluarën, edhe të ardhmen. Liria s´lypet por fitohet, ky është amanet i stërgjyshërve dhe gjyshërve tanë. Libri dokumentar, ”Rilindja e Shtetit të Çamërisë” shqip-anglisht me 150 faqe tekst e fotografi, nuk është thjeshtë libër, por manifest i një lëvizje të rëndësishme kombëtare.
Ky libër i ardhë në këtë kohë jo aq paqësore, shpreh një frymë të re, një histori në një çështje shumë të ndërlikuar, e që breza të këtij shekulli duhet ta zgjidhin se s’ bënë.
Miq të librit dhe bashkëveprimtarë të çështjes çame!
Lufta e Trojës ende nxjerr tym nëpër parlamentet tona. Libri “Rilindja e Shtetit të Çamërisë” është libër që lidhë dy epoka, dy Rilindje, – Rilindjen Kombëtare Shqiptare, me Rilindjen e Shtetit të Çamërisë. Njerëz të mirë të atdheut. Shqipëria dhe Kosova dardane ende kemi nën pushtim mbi 63% të atdheut tonë, dhe atë në dy shtete: Në Greqi dhe në Serbi.
Në Greqi Shqipëria ka një Shqipëri të tërë, me 23 mijë e 5-qind
kilometra katrorë sipërfaqe tokë dhe ujëra. Ndërsa në Serbi dhe Mal të Zi, shqiptarët kemi 32 mijë kilometra katrorë sipërfaqe tokë denbabaden shqiptare. Lexoni Hartat e para Kongresit të Berlinit të vitit 1878, do të shohim se atdheu ynë vetëm në ato dy shtete gjatë luftërave ka mbi 2 milion varre të rënësh dhe mbi 4 milion të dëbuar e të shpërngulur nëpër Turqi e vende të tjera.
Të nderuar shkrimtarë dhe bashkëveprimtarë!
Me librin “Rilindja e Shtetit të Çamërisë”, ne sot po promovojmë Republikën e III Shqiptare në Gadishullin Ilirik e më gjerë. Rilindja e Shtetit të Çamërisë me në krye presidentin e Republikës së Çamërisë z. Festim Lato, është misioni i një populli shumë herë të plagosur e të gjenociduar.
Perënditë e Panteonit Pellazgjik janë gjallë. Toka nuk ka frikë as nga luftat as nga tërmetet. Epiri pellazgjik (shqiptar ) – Çamëria, priret nga një mendje e zgjuar dhe e guximshme, nga një zemër e pathyer për Pavarësinë e Çamërisë, Festim Lato,
Të nderuar shkrimtarë dhe bashkëveprimtarë!
Asgjë s’ mund të jetë më kombëtare se gjuha, shkrimi, Asgjë s’ mund të jetë më kombëtar se identiteti kombëtar, se për bashkimi i etnitetit gjuhësor, kulturor, historik e territorial. Shpallja e shtetit të Greqisë nga Oto Bavarezi mbi territorin etnik shqiptar s’mund të quhet ndryshe, pos krim historik ndaj popullit më të lashtë të tokës, Shqipërisë.
Shikuar rrethanat, formimi i Akademisë Pellazgjike, nga “Zëra të mirë të atdheut”, është lajm i mirë për gjithë kombin. Riformimi i lashtësisë sonë kombëtare do të zgjidhë shumë dilema të së kaluarës sonë edhe të sotmes. Kjo tokë që na është dhënë nga perëndia e kemi për borxh t´i dalim zot e ta mbrojmë. Çamëria është gjaku dhe shpirti i atdheut tonë. Çamërisë dhe Krahinës së Mollës së Kuqe, pavarësisht zemërimit të fqinjëve, atdheut tonë do t’ ia japim tërë dashurinë që e meriton. Republika e Çamërisë, me 30 tetor, 2018, kremton dy vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Libri dokumentar, “Rilindja e Shtetit të Çamërisë” është thirrje ndërgjegjes shqiptare dhe ndërkombëtare, se çelësi i zgjidhjes shqiptare është Pavarësia e Çamërisë, dhe e Krahinës së Mollës së Kuqe.
Çamët dhe arvanitët nuk kanë frikë nga liria. Shteti Greqisë ua ka vjedhë atdheun çamëve dhe arvanitëve. Prandaj, çmontimi i shtetit grek nga vet çamët dhe arvanitët ka filluar. Himni flamurit të gjithëve na obligon të jemi të përbashkuar!
Faleminderit Lidhje e Shkrimtarëve të Vlorës!
Faleminderit Lidhje e shkrimtarëve të Kosovës!
Zoti i bekoftë shqiptarët!
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Dhe shtete mike të Evropës!
Atdhe Geci, kryetar i Akademisë Kulturore e Morale të
Shqiptarëve në Evropë
Vlorë, 06. 10. 2018


