ARKATANA

“Pingpongu” me veteranët e rrejshëm mjegullon mega-aferën dhjetëra milionëshe

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Lidershipi humbet gjurmët e krimit në mënyrë të qëllimshme.

“Kërkesa e Hashim Thaçit drejtuar krerëve të veteranëve të luftës së fundit çlirimtare, për gjoja korrigjimin e këtyre listave, është vetëm një farsë e tyre e përbashkët dhe lirshëm edhe mund të quhet një lojë pingpongu e treshes drejtuese të shtetit”, u shpreh eksperti i fushës së Integrimeve Evropiane, Jeton Kelmendi për “Kosova Sot.

Analistë të politikës dhe njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës vlerësojnë se në mes të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Gjykatës Themelore të Prishtinës, që është e angazhuar për rastin e Listave të Veteraneve të rrejshëm të luftës së UÇK-së, po luhet qëllimshëm një lojë pingpongu.

Njohësit e kësaj fushe thonë se kjo edhe është arsyeja se përse Prokuroria Speciale ia dërgoi kot së koti Gjykatës Themelore në Prishtinë aktakuzën e paplotësuar. Veç saj, deputetë të opozitës, por edhe analistët vlerësojnë lënda e mashtrimit me Listën e Veteranëve të luftës do të zvarritet qëllimshëm, ngase ajo është dorëzuar si e tillë qëllimshëm nga Prokuroria për t`ia kthyer më pas Gjykatës Themelore të Prishtinës. Prandaj, edhe me të drejtë vlerësohet nga njohësit e kësaj fushe se Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë instruksione nga ” sundimtarët” që sërish lëndën t’ua kthejë në Prokurori, duke luajtur kështu lojën e pingpongut për vite të tëra dhe pa marrë asnjëherë një epilog konkret duke e shtyrë këtë lëndë deri në infinit. Prandaj, specialistët e kësaj fushe vlerësojnë se edhe kjo lëndë do të zvarritet, sidomos pasi në këtë lëndë mund të implikohen edhe politikanë të kalibrit më të lartë, të cilët kanë dalë në mbrojtje të kësaj liste edhe kriminale. Me gjithë pyetjet e gazetës të drejtuara në adresën elektronike, se çka thonë Prokuroria Speciale dhe prokurori i lëndës, gazeta nuk ka marrë përgjigje.

Farsa politike

Eksperti i fushës së Integrimeve Evropiane Jeton Kelmendi, në një prononcim të shkurtër për ” Kosova Sot”, thotë se kreatorë të hartimit të Listave të Veteranëve të UÇK-së janë komandantët e ish- Zonave luftarake në Kosovë dhe tre krerët e tashëm të shtetit; Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi. “Andaj, kërkesa e Hashim Thaçit drejtuar krerëve të veteranëve të luftës së fundit çlirimtare për gjoja korrigjimin e këtyre listave është vetëm një farsë e tyre e përbashkët dhe lirshëm edhe mund të quhet një lojë pingpongu e treshes drejtuese të shtetit”, u shpreh ai. Ndërsa, eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se pavarësia e Gjyqësorit dhe sundimi i ligjit janë me rëndësi vendimtare në procesin e liberalizimit të vizave. “Vazhdimi i hetimeve për Listat e Veteranëve të rrejshëm, sipas Komisionit Evropian duhet të kryhet në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje të politikës. Ndërkohë, i gjithë ky skandal ka nxitur reagime të mëdha në vend, dhe si i tillë nuk ka kaluar pa rënë edhe nën llupën e institucioneve ndërkombëtare”, shtoi më tej ai. Sipas Herticës, Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se ky rast nga sistemi i drejtësisë po prolongohet qëllimisht. “Në këtë Institut, që monitoron punën e prokurorive dhe gjykatave, thonë se këtij rasti Prokuroria nuk është duke i kushtuar vëmendjen e duhur. Një taktikë dhe një qasje e tillë e Prokurorisë automatikisht ka dërguar mesazhe te publiku se qëllimi është më shumë që kjo lëndë të prolongohet sesa e njëjta të trajtohet në gjykatë”, theksoi Hertica.

Sundimtarët dirigjojnë lëndën

Deputeti i opozitës Salih Salihu (PSD), për gazetën “Kosova Sot’, thotë se është i drejtë vlerësimi i ekspertëve se në mes të Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës për rastin e Listave me Veteranët e rrejshëm të luftës, po luhet lojë pingpongu, ngase fajtorë për këtë janë prokurorët e Prokurorisë Speciale, të cilët ia kanë dërguar qëllimisht aktakuzat e paplotësuara Gjykatës Themelore në Prishtinë. “Këto lojëra të pista me gjoja këto gabime që nuk i bëjnë as fillestarët në këtë profesion, por po bëhen qëllimisht në mënyrë që të zvarritet sa më gjatë lënda e mashtrimit me Listën e Veteranëve të luftës. E tëra kjo ka ndodhur, ngase janë zyrtarët e Prokurorisë ata që e kanë dorëzuar qëllimshëm lëndën të paqartësuar me qëllim që më pastaj t`ia kthejnë këtë lëndë Gjykatës Themelore të Prishtinës”, vlerësoi ai. Salihu është i mendimit se për të gjitha këto lojëra të pista, Gjykata Themelore e Prishtinës i kanë marrë instruksionet nga ” sundimtarët” që sërish t`ua kthejë në Prokurori lëndën në fjalë, duke luajtur kësisoj lojën e famshme të pingpongut për vite të tëra, por me synimin pa marrë asnjëherë epilog deri në pambarim, e mbase edhe deri në vjetërsimin e lëndës. Ai është i bindur se kjo lëndë edhe pritet që do të zvarritet shumë gjatë, “aq më tepër kur dihet se në këtë lëndë mund të implikohen edhe emra politikanësh të kalibrit më të lartë, të shtetit, të cilët fundja edhe kanë dalë në mbrojtje të kësaj liste kriminale me emra luftëtarësh të paqenë “.

KKVITI

Qytetarët kërkojnë kthimin e parave të pamerituara

Edhe qytetarët thonë se janë të zhgënjyer me lojërat e pista të Prokurorisë dhe Gjykatës së Prishtinës me Listat e Veteranëve të rrejshëm të UÇK-së. Qytetari nga Prishtina, Rrahman Rrahmani, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se nuk ka dyshim se kemi të bëjmë me një zvarritje të qëllimshme dhe të paqartë. “Qëllimi i fundit i kësaj loje të pistë është zvarritja për qartësimin e rastit, sepse dikush nga pushteti më i lartë po ndërhyn këtu në këtë rast, andaj edhe janë bërë gjoja këto gabime në shkresat në mes të Prokurorisë dhe gjykatës. Pra, kemi të bëjmë me figura më të larta të shtetit që po përzihen në punën e gjykatës”, vlerësoi ai.”E keqja është se luftëtarët e vërtetë të mbesin rrugëve e të papunë e pa të ardhura mujore, kjo është për keqardhje dhe turp për ata që pranuan të futen në këto lista pa qenë fare në luftë. Prandaj, Qeveria jonë duhet që t’i detyrojë shfrytëzuesit e rrejshëm të këtyre listave që t’i kthejnë paratë e vjedhura, sepse kanë vjedhur këto para me vetëdije, prandaj për fajtorët duhet që të vendosë drejtësia”, potencoi ai. Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina, Ismajl Hamiti, për “Kosova Sot”, thotë se që në fillim të përpilimit të këtyre listave nuk ka pasur seleksionim jo të drejtë. “Prandaj, tash po luhen lojëra nga pushtetarët tanë që rasti mos të zbardhet dhe bartësit e këtyre listave të japin llogari. Sepse, zvarritja e ndriçimit të rastit po bëhet qëllimshëm, që të mbetet faji jetim”, u shpreh ai. Sipas tij, shfrytëzuesit e rrejshëm të këtyre benefiteve duhet t’i kthejnë këto para ashtu si kanë vepruar sllovenët, kroatët e boshnjakët kur bënë pastrimin e këtyre listave.

ZVARRITJA E QËLLIMSHME

“Lënda do të sorollatet me vite të tëra nga zyrat e Prokurorisë së Shtetit deri në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe pasoja e kësaj zvarritjeje do të bjerë në buxhetin e shtetit, sepse shumica në këto lista veteranësh të rrejshëm janë militantët e koalicionit të tashëm në pushtet”, tha eksperti i fushës së Integrimeve Evropiane, Jeton Kelmendi për “Kosova Sot”.

KEQPËRDORUESIT E KORRUPTUAR

“Të gjitha këto zvarritje duket qartë se janë të qëllimshme nga kjo kastë e korruptuar e drejtësisë të përcjellë nga politika dhe keqpërdoruesit e tyre për të mbetur në pushtet, nga votat e keqpërdoruesve të listave. Dhe, e gjithë kjo tregon se sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të mbetet i ekspozuar ndaj ndikimit politik dhe ky ndikim është në forma të ndryshme. Këtë e kanë thënë edhe vetë zyrtarë të institucioneve të larta të Kosovës dhe kurrë nuk marrin masa për ta parandaluar një gjë të tillë”, tha Ali Hertica për “Kosova Sot” .

(Kosova Sot)