Sfida e pranimit të Kosovës në Interpol
Nga Bekim Thaqi – Shteti i Kosovës, ka aplikuar në organizatën më të madhe policore të botës, dhe shpreson të bëhet anëtar me të drejta të plota. Duket se shanset sa janë të afërta, aq janë edhe të largëta në të njëjtën kohë. Pranimi në këtë organizatë, do ti jepte një dimension të ri bashkëpunimit ndër-policor të Kosovës, me shtetet tjera në një anë dhe në anën tjetër, do ti jepte një shtytje tjetër forcimit të shtetësisë së Kosovës dhe subjektivitetit të saj në botë. Pra pranimi i saj ka karakter bashkëpunimi policor, por edhe një dimension tjetër i cili është politik.
Në kuadër të bashkëpunimit policor, Kosova i plotëson shumë norma të duhura për pranim dhe qe disa vite me radhë nëpërmjet UNMIKU-ut dhe EULEKS-it, ka pasur një bashkëpunim të mirë me Interpol-in në disa raste të caktuara. Mirëpo, sfida e pranimit në këtë organizatë, qëndron më tepër në sferën politike ku shteteve të caktuara iu intereson që mos ta lënë Kosovën të bëhet shtet anëtar i Interpolit.
A është pranimi në Interpol një “mision pamundur” për Kosovën së paku në këtë konstelacion të zhvillimeve në botë?
Sigurisht që jo, mirëpo kjo sfidë do të jetë e ngjashme me atë të pranimit në UNESCO, dhe nuk do jete aspak e lehtë për vendin tonë. Shtete të caktuara si Serbia me aleatet e saj si Rusia e Kina dhe disa vende tjera në këtë organizatë (Interpol), janë të interesuara që mos ta lënë Kosovën të bëhet anëtare e Interpolit me arsyetimet e tyre aspak bindëse kundër shtetësisë së Kosovës, pasi e dinë se pranimi në këtë organizatë, e vendos Kosovën edhe një hap më tej në njohjen ndërkombëtare . Në të njëjtën kohë Serbia është e interesuar që ta mbajë Kosovën jashtë qasjes direkte në Interpol mu për shkak të lojërave me fletë-arreste kundër politikanëve shqiptarë, dhe të cilën e mbajnë si një karte shantazuese në duart e tyre.
Edhe vet lobimi nga ana e shtetit tonë, lë shume për të dëshiruar. Kosova, është dashur dhe duhet të ketë një politikë shume më aktive, në drejtim të pranimit të Kosovës në Interpol, dhe të flasë me argumente të qarta për benefitet që do të kishte vendi jonë, por edhe vendet e rajonit dhe organizata në përgjithësi pasi jemi një vend,me një diasporë dhe emigrantë, në pothuajse të gjitha vendet e botës dhe bashkëpunimi ndër-policor do të ishte i një rëndësie të veçantë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e madhe, bashkë me aleatë tjerë pritet që ta bëjnë punën më të madhe rreth lobimit për anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Kjo, do të ketë një ndikim të madh, në bindjen e shteteve të vogla anëtare të Interpolit, e që ende nuk janë të përcaktuara, por do të jetë mjaft vështirë ta zëmë të bindet p.sh Izraeli për arsye se ata e kanë problemin e Palestinës, dhe e tërheqin një tranzverzale të çështjes së Kosovës dhe pranimit në Interpol, me Palestinën të cilën nuk janë të interesuar ta lënë që të pranohet në Interpol, meqenëse edhe ajo ka aplikuar kohëve të fundi.
Në këtë mënyrë, pranimi i Kosovës në Interpol, nuk do jete një punë aspak e lehtë, mirëpo së paku argumentet që do ti ofrojë shteti jonë duhet të jenë të qëndrueshme dhe të argumentuara gjerë e gjatë. Nëse pranohemi, do të jetë një sukses mjaft i madh për shtetin dhe bashkëpunimin policor në përgjithësi, porse edhe nëse nuk merret parasysh kërkesa e Kosovës për pranim, prapëseprapë duhet të vazhdohet me lobim dhe të mos tërhiqemi, pasi pranimi ka një rëndësi mjaft të madhe në shumë sfera. Poenta qëndron në atë që të mos ekzaltohemi shumë, por të punojmë me përkushtim, dhe të kryejmë mirë detyrat tona si shtet, e pastaj të presim se si do kalojë ngjarja.
Nëse e kryejmë punën mirë, edhe nëse eventualisht nuk pranohemi se paku do e kemi satisfaksionin moral që bëmë gjitha ato që kishim në dorë, sepse më duket se me rastin e UNESKO-s dështuam në disa hapa dhe kësaj here nuk e kemi luksin për këtë./rajonipress/


