Hidromorava

Tenderomania gllabëron miliona, e-prokurimi një dështim skandaloz

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Pa dhënë ryshfet, nuk fiton tender nga shteti dhe kompanitë publike

Fusha e prokurimit publik në Kosovën e pasluftës e deri më sot është konsideruar si një nga burimet kryesore të korrupsionit në vend dhe shi për këtë kjo është theksuar edhe në të gjitha raportet vendore dhe ndërkombëtare të FMN-së, BB-së, që flasin për Kosovën. Raportet e këtyre institucioneve financiare ndërkombëtare kanë thënë se shumë nga parregullsitë e evidentuara gjatë procesit të prokurimit publik kanë krijuar probleme të mëdha edhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Në Kosovë gjatë një viti janë rreth 700 -800 milionë euro para të buxhetit të vendit, të cilat shpenzohen përmes prokurimit publik.

Ligji i Prokurimit Publik është miratuar në vitin 2003 dhe deri më tani ky ligj shumë herë ka pësuar ndryshime. Ndërsa që nga viti 2016 në Kosovë ka nisur së zbatuari Prokurimi elektronik dhe me këtë rast ka qenë një vlerësim nga analistët e ekonomisë dhe të institucioneve shtetërore të Kosovës, që kishin theksuar se me fillimin e zbatimit të platformës elektronike të prokurimit, buxheti do të kursehej për rreth 80 milionë euro në vit. Por, edhe me aplikimin e prokurimit elektronik kompanitë po kushtëzohen në procedurat tenderuese. Deputetët e Kuvendit dhe ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se edhe prokurimi elektronik ka dështuar, ndonëse i njëjti proklamohej se do ta ndalte korrupsionin. Nga njohësit e kësaj fushe me të drejtë po vlerësohet se me këtë politikë të inkriminuar në pushtet, aktualisht çfarëdo ligjesh që të ketë, korrupsioni po vazhdon lirshëm.

Asnjë qeveri nuk e ndali tenderomaninë
Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu(PSD), për gazetën “Kosova Sot”, thotë se vërtet është për keqardhje se si te ne nga pas lufta po zhvatet paraja publike. “Ndonëse ishte paralajmëruar me një pompozitet të madh edhe prokurimi elektronik, që nisi së zbatuari në fillim të vitit 2016, ka dështuar edhe pse proklamohej nga qeveritë e deritashme se do ta ndalte korrupsionin. Prandaj, e them lirshëm se me këtë politikë të inkriminuar në pushtet, aktualisht çfarëdo ligjesh të ketë, korrupsioni po vazhdon lirshëm. Kjo, ngase bizneset në vazhdimësi janë ankuar për keqpërdorime në proceset tenderuese”, vlerësoi ai. “Nga hulumtimet që janë bërë nga Odat vendore dhe të huaja, të dhënat kishin treguar për një fenomen të tillë. Ngase, në luftimin e korrupsionit, në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në menaxhimin e parasë publike, do të jetë e rëndësishme platforma elektronike, e cila është inauguruar, mirëpo realisht se edhe platforma elektronike nuk po sjell rezultate dhe efektet e pritura, ndaj duhet që të punohet në fuqizimin e legjislacionit që ka të bëjë me proceset e prokurimit”, vijoi më tej Salihu. Ndërsa, anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, afaristi Ramadan Maloku, për gazetën “Kosova Sot”, tha se në secilin institucion të vendit, njerëzit më me ndikim janë zyrtarët e prokurimit, sepse ata janë personat që dinë të bëjnë allishverishe dhe t’i japin tenderin asaj kompanie që dëshirojnë, duke mos përfillur asnjë kriter, ngase kriteret janë vetëm sa për mbulesë ligjore dhe asgjë tjetër. “Derisa në Kosovë nuk ka sundim të ligjit, edhe në fushën e prokurimit publik, qoftë ai i formës së prokurimit të thjeshtë apo prokurimit elektronik, ne do të kemi këtë gjendje”, u shpreh ai.

MUNGON TRANSPARENCA, DËMTOHET KONKURRENCA
“Përmes prokurimit elektronik është llogaritur se do të shtohet transparenca dhe konkurrenca në procesin e prokurimit, do të ndikohet në uljen e çmimeve dhe në kursimin e parasë publike, si dhe në cilësinë më të mirë të projekteve, të cilat financohen me paranë publike. Por, deri më tash kjo nuk po ndodh dhe duhet thënë troç se me këtë Qeveri në pushtet edhe nuk pritet që të ndodhë një përmirësim i tillë në fushën e prokurimit publik”, tha Salih Salihu për “Kosova Sot”.

TË HETOHEN KEQPËRDORUESIT
“Është koha e fundit që të ndërmerren masa urgjente nga institucionet tona dhe të ndalen keqpërdorimet, që po bëhen në këtë fushë .Prandaj, duhet që të hetohen të gjithë ata që kanë keqpërdorur me tenderët milionësh, të cilët e kanë dëmtuar buxhetin e vendin. Pra, pa një qeverisje me duar të pastra, Kosova nuk ka ardhmëri të ndritshme dhe ky është fajtori që edhe me prokurimin elektronik kompanitë po kushtëzohen në procedurat tenderuese”, u shpreh Ramadan Maloku, për gazetën “Kosova Sot”.

Mobi Casa

Klientelizmi partiak
Eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se tenderomania në Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese, ngase shumë kompani financojnë partitë politike në pritje të kthimit të shpërblimit nga tenderët e ndryshëm, që janë dëshmuar se ka ndodhur me të gjitha partitë politike, e madje ka pasur edhe raste kur edhe janë kërcënuar me jetë qytetarët dhe janë detyruar të tërhiqen nga tenderë të ndryshëm. “Këtu një faj të madh e kanë edhe institucionet e vendit, sepse kanë zhvilluar politika monopoliste, siç është rasti i homologimit, pra një shtet që nënshkruan kontrata monopolistike, duke shkelur çdo standard të ekonomisë së lirë, atëherë dhe nuk merr askush përgjegjësi për një vepër të tillë. Kjo ndodh vetëm në vendet me liri të vogla apo në vendet autoritative”, vlerësoi ai. “Kostoja është jashtëzakonisht e madhe e këtyre fenomeneve, ngase llogaritet rreth 700-800 milionë euro në vit nga aktiviteti i prokurimit, këtu nuk përjashtohen as komunat e Kosovës, të cilat në fushata zgjedhore marrin miliona euro donacione në fushatat e tyre, e që mendoj se një pjesë e madhe e atyre parave jepet në stilin e huas, sepse do të kthehen me tender dhe forma të ndryshme, të cilat dinë këta biznesmenë dhe politikanë t’i ndërmarrin”, vijoi më tej Beqiri.

AMNISTIA E ABUZUESVE
“E keqja është se Prokuroria është në gjendje që të ndjekë një prerës të druve, e që mendoj se edhe kjo nuk duhet lejuar, por ka ndikim më të madh sesa një rast monopoli, apo kontrabandë apo tenderomania, thjesht mund të burgosesh nëse pret një lis në mal, e nuk burgosesh nëse ke manipuluar me miliona euro në tenderë. Andaj, manipulimet dhe kërcënimet, për të qenë në Bashkimin Evropian, duhet të luftohen këto dukuri dhe neve ende jemi në fazën fillestare të mendimit dhe përgatitjeve për të luftuar këto fenomene”, tha Lulzim Beqiri për “Kosova Sot”.

Vetëm platforma nuk mjafton
Ndërsa, bankieri Milazim Abazi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se korrupsioni në fushën e prokurimit nuk mund të luftohet vetëm me platformën elektronike të prokurimit publik.”Është një gjë pozitive që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës. Prokurimi elektronik mund të ndihmojë shumë në rregullimin e kësaj fushe, e cila është më e korruptuar në nivel të Kosovës. Por, nuk mjafton vetëm zbatimi i këtij programi, duhet të krijohet fryma ndaj luftës së korrupsionit”, u shpreh ai. Ndërsa, analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se kompanitë tenderuese kushtëzohen nga vetë ata që i kanë mësuar që të korruptohen, që do të thotë se janë njerëzit në pozita të larta, siç janë politikanët dhe mafio-oligarkët. “Politika e inkriminuar do të vazhdojë derisa sundimi i ligjit nuk funksionon siç duhet, dhe mendoj që kot do të flasim nëse kërkojmë që të ndryshohet Qeveria, sepse jam i bindur se edhe Qeveria e re do t’i vazhdojë këto afera skandaloze, kështu që e vetmja gjë që duhet të bëhet mbetet që të forcohet rendi dhe ligji, të forcohet zbatimi i Kushtetutës, që kushdo që e shkel, edhe nëse është vetë Presidenti, të dënohet, kurse veç saj duhet të largohet korrupsioni nga çdo institucion i lartë shtetërorë, siç janë: gjykatat, policia, spitalet, komunat etj., sepse vetëm me luftimin e këtyre dukurive negative politika e inkriminuar do të zhduket gradualisht”, vlerësoi Grapci.

Mekanizmat mbikëqyrës të inkriminuar
Deputeti i mëhershëm i Kuvendit të Kosovës Xhevdet Neziraj, për ” Kosova Sot”, thotë se fenomeni i dhënies së tenderëve kompanive të caktuara, që janë të ndërlidhura me individë të caktuar dhe politikanë, që nga pas lufta po bëhen përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të pozitave. “Kjo, ngase asnjë tender nuk mund ta marrë ndonjë kompani, si në nivelin qendror ashtu edhe atë lokal, pa qenë të ndërlidhura me strukturat e caktuara që merren me çështjen e dhënies së tenderëve, pavarësisht modernizimit të prokurimit”, u shpreh ai. “Nga këto marifete që po bëhen me tenderë e kemi këtë gjendje në vend, andaj po t’i shikosh rrugët e asfaltuara nuk zgjasin më shumë se një mandat zgjedhor, pastaj shkollat e ndërtuara pas një viti pune bëhen që të rinovohen, barnat që merren janë më të shtrenjtat në rajon, edhe shumë gjëra të tjera që po bëhen nëpërmes tenderëve po e shkatërrojnë buxhetin e vendit”, theksoi Neziraj. “E keqja është se, ndonëse ka akuza që sa vite me radhë, ende ose shumë pak ka njerëz që janë dënuar për këtë çështje. Ndërsa kjo po ndodh, ngase ndonëse ka institucione që duhet të merren me këtë çështje, si KRRPP-ja dhe OSHP-ja, asnjëra nga këto institucione nuk e kanë kryer detyrën e vet për çka janë themeluar”, ka thënë ai. Sipas Nezirajt, të gjithë e dinë në vendin tonë se pa dhënë ryshfet është vështirë që dikush të marrë ndonjë tender në bazë të meritave dhe kushteve që parashihen me tender.

(Kosova Sot)