Revoltohen banorët e rrugës “Fehmi Agani”: Komuna po na gënjen për asfalt
Gjilan – Rreth 140 familje në Lagjen e Gllamës tek rruga “Fehmi Agani” janë në hall nga rruga e keqe dhe kanalizimi i ngushtë. Shaban Arifi tha se Naser Korqa drejtor i shërbimeve publike po i gënjen tash e sa kohë se do shtrohet asfalt rruga, e në fakt rruga ka mbetur e njëjtë.
Shaban Arifi banor tha se Komuna po i gënjen ata se po asfaltohet rruga e tyre. “Kam qenën tek Naser Korça dhe para një muaji më tha se rruga do të asfaltohet. Kur shkova sot i ndërrojë fjalët. Ne jemi të zhgënjyer dhe të revoltuar dhe do ta bllokojmë edhe rrugën” tha Arifi.
Edhe, Raif Latifi thonë se ka katër vite që rruga prej 1.5 km edhe pse është e paraparë në projekt ajo nuk po asfaltohet. “Ne kërkojmë urgjentisht rregullimin dhe asfaltimin e kësaj rruge në të kundërtën do të jemi të detyruar që të protestojmë para zyrës së kryetarit të komunës”.
Ndryshe banorët e lagjes “Gllama” në rrugën “Fehmi Agani” kanë telashe me infrastrukturën e dobët dhe të vjetruar. Ata edhe pse jetojnë në qytet përballen me kushte mesjetare në mungesë të rrugës së asfaltuar dhe kanalizimit.
Shaban Arifi dhe Raif Latifi banor të vjetër të kësaj rruge thonë për rajonipress se janë të zhgënjyer në institucionet komunale të cilat nuk po tregohen të gatshme që ta përkrahin iniciativën e këtyre banorëve që të asfaltohet rruga prej 1.5 km. “Qysh mos me u nervozue kur jemi duke pritur qe pesë vite e rruga nuk po asfaltohet. Vërtet është turp që kjo rrugë të mbetet në këtë gjendje” shprehet Arifi.
Edhe Raif Latifi thotë se me kohë i është bërë kërkesë edhe peticion me 150 nënshkrime që kjo rrugë të hyjë si prioritet i komunës, po ende po zvarritet asfaltimi i saj. “Vetëm fushata zgjedhore kur po vjen po na vizitojnë këta politikanët tanë. Nëse ata na injorojnë ne do të detyrohemi që të protestojmë edhe para zyrës së Lutfi Hazirit” shprehet Raifi./rajonipress/


