Rruga Evropiane e Kosovës
Përfaqësuesja e Kosovës të premten do ta nisë një rrugëtim përmes të cilit ka mundësi të mirë që ta realizojë ëndrrën, madje qysh në vitet e para të pjesëmarrjes së saj në gara ndërkombëtare. “Dardanët” do të provojnë të shkojnë në “Evropianin 2020” përmes Ligës së Kombeve. Kosova duhet ta fitojë fillimisht Grupin 3 të Ligës D, e cila përbëhet prej katër grupeve. Në grup me Kosovën janë Azerbajxhani, Ishujt Faroe dhe Malta. Nëse skuadra jonë e fiton këtë grup, atëherë do të luajë në “Play-Off” kundër fituesve të të tria grupeve tjera. Fituesi i Ligës D, që përbëhet nga shtetet e kategorisë së katërt, do të shkojë direkt në “Euro 2020”. Kjo ka bërë që tanët të shkojnë të motivuar në Baku, ku sonte do të mundohen të marrin rrugë drejt Evropianit me fitore kundër Azerbajxhanit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Vetëm katër vjet pas anëtarësimit në UEFA Kosova ka mundësi mjaft të mirë që të kualifikohet në një Kampionat Evropian, atë të radhës që mbahet në vitin 2020. Për ta arritur këtë sukses historik skuadra jonë shtetërore duhet ta shfrytëzojë shansin që ia ofron kompeticioni i ri garues i UEFA-s, Liga e Kombeve. Ky kompetecion përbëhet prej katër ligave – Liga A, Liga B, Liga C dhe Liga D. Secila ligë i ka nga katër grupe në të cilat janë të shpërndara 55 shtetet anëtare të UEFA-s.
Në grupet e Ligës A garojnë shtetet më të forta, në Ligën B bëjnë pjesë skuadrat e kategorisë së dytë, në Ligën C janë shtetet e nivelit të Shqipërisë dhe në Ligën D bëjnë pjesë ekipet e kategorisë së katërt, ku aktualisht përfshihet edhe Kosova. “Dardanët” janë në Grupin 3 të kësaj lige, bashkë me Azerbajxhanin, Ishujt Faroe dhe Maltën. Edhe tri grupet tjera të Ligës D përbëhen nga përfaqësueset e vogla. Fituesit e këtyre katër grupeve do të luajnë në njëfarë mënyre me sistem gjysmëfinal dhe final dhe fituesi i Ligës D do të shkojë direkt në Evropian.
Për vendet si Kosova ky sistem garues i Ligës së Kombeve ofron shans perfekt për ta shijuar një Evropian çfarë nuk kanë shans ta arrijnë prej dekadash përmes kualifikimeve të kampionateve evropiane, në të cilat gjithnjë luajnë me kundërshtarë shumë më të fortë.
Për këtë është e vetëdijshme skuadra jonë përfaqësuese dhe manaxhuesja e saj, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK). Andaj, në kampin verdhekaltër ekziston vendimi dhe motivi për ta tentuar triumfin në Ligën D dhe kualifikim në “Euro 2020”. Këtë mision “Dardanët” do ta nisin sonte në Baku, ku prej orës 18:00 do ta zhvillojnë ndeshjen e parë të Grupit 3 si mysafirë të Azerbajxhanit. Tri ditë më vonë tanët do ta presin kundërshtarin tjetër në Prishtinë, ekipin e Ishujve Faroe, shkruan më tutje “Zëri”.
Përzgjedhësi Bernard Challandes ka konfirmuar ambicien e ekipit të tij për t’i fituar 6 pikë nga këto dy ndeshje. “Në kokën time e kam ta fitojmë edhe ndeshjen me Azerbajxhanin, edhe atë me Ishujt Faro. Çdoherë duhet të mendojmë t’i fitojmë ndeshjet, por të punojmë që ekipi të shkojë më lart për vitet e ardhshme, gjithmonë duke u përmirësuar”, ka thënë Challandes.
Sikurse për Kosovën, Liga D e Kombeve shihet shans i mirë edhe nga ekipet tjera pjesëmarrëse të saj. Andaj, edhe Azerbajxhani ka konfirmuar se do të provojë të shkojë në Evropian përmes disa fitoreve që synon t’i arrijë nga ndeshja me Kosovën.
Mirëpo Kosova starton në Ligën e Kombeve pas katër fitoreve të shënuara në ndeshje miqësore të zhvilluara pas kampanjës kualifikuese të Botërorit, ku Kosova kishte debutuar në grup shumë të fortë, në të cilin bënte pjesë edhe finalistja e botërorit “Rusia 2018”, Kroacia.
Ranglista e FIFA-s nuk e favorizon Kosovën
Përfaqësuesja e Ishujve Faroe rezulton si favorite e grupit të Kosovës në Ligën D të Kombeve nëse merret parasysh ranglista e FIFA-s. Kjo skuadër është në vendin e 90-të të FIFA-s. Kundërshtari tjetër i Kosovës, Azerbajxhani, është në pozitën e 105-të, kurse shteti ynë e mban pozitën e 141-të në FIFA. Ndërsa Malta është akoma më poshtë, në vendin e 184-t. /ZERI


