Revoltohen qytetarët, devalvimi dhe shkatërrimi i parkut të hetohet urgjentisht
Gjilan – Avokati Halit Azemi thotë se në emër të banorëve të qendrës ku edhe ndodhet parku do të ushtrojnë padi dhe kallëzim penal për zyrtarët e shërbimeve publike të cilët qëllimisht dhe për mos dije po e shkatërrojnë të vetmin vend ku qytetarët mund të relaksohen e freskohen.
Parku i qytetit çdo ditë e më shumë po dëmtohet e shkatërrohet. Nuk është parku i mëparshëm meqë devalvimi dhe shkatërrimi i kanë dhënë tjetër formë.
Duke e parë këtë shkatërrim të parkut qytetarët e qendrës tashmë kanë paralajmëruar padi për keqpërdorim të detyrës zyrtare për udhëheqësit e shërbimeve publike.
Halit Azemi avokat i cili banon dhe jeton afër parkut thotë se me kërkesën e banorëve është duke e përgatitur një kallëzim penal në prokurori kundër udhëheqësve të shërbimeve publike të cilët qëllimisht dhe për mos dije po e shkatërrojnë parkun. “Jam i shokuar nga ajo çfarë po shoh. Jam i tronditur kur e shoh që parku po dëmtohet skajshmërisht. Vërtet ky është krim mbi natyrën dhe ambientin e bukur që ofron ky park”tha Azemi.
Azemi thotë se qytetarët çdo ditë po e braktisin parkun sepse kundërmimi nga era e keqe, papastërtia e madhe janë rrezik edhe për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme.”Lutfi Haziri po bënë sehir e po pret që dikush nga LDK e Prishtinës t`ia zgjidhë problemet. Leje Prishtinën o Lutfi Haziri e ktheju Gjilanit se erdhi tetori e do të pësoni fiasko me këtë mentalitet mospërfillës ndaj qytetarëve” tha Azemi.
Azemi ka bërë krahasimin me disa fotografi të mëparshme të parkut dhe të gjendjes ekzistuese. “Shikoni fotot dhe e merrni përgjigjen” tha Azemi/rajonipress/





