“Trepça” buzë falimentimit
Pushtetarët tanë të inkriminuar të pasluftës e kanë sjellë buzë falimentimit Kombinatin ‘Trepça’. Ndërkaq fajtorë për këtë, sipas analistëve politikë dhe deputetëve të opozitës, kanë qenë keqpërdorimet, nepotizmi, korrupsioni dhe emërimet politike, që janë bërë nëpër borde, përfshirë edhe këtë kombinat.
Ndërkaq, shifrat zyrtare tregojnë se nga nëntë mijë tonë me xehe, sa ishte planifikuar të nxjerrin minatorët e ‘Trepçës’, këtë muaj ata kanë arritur t’i sigurojnë vetëm shtatë mijë. Punëtorët e Kombinatit ‘Trepça’ po rrezikojnë që të mbesin edhe pa paga. Gjigantit ‘Trepça’ nuk i ndihmoi fare as miratimi i Ligjit për ‘Trepçën’, ndërkohë që e keqja është se ende nuk është miratuar Draftstatuti i kombinatit ‘Trepça’. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresën e tyre elektronike se çka thonë MZHE-ja, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën. Lidhur me gjendjen në këtë kombinat ka folur, u.d. i menaxherit të ‘Trepçës’, drejtori Miftar Hyseni.
Ai për gazetën “Kosova Sot” thotë se muajin e kaluar nuk kanë arritur të realizojnë planin e parashikuar. “Kemi nxjerrë diku vetëm 7 mijë tonelata xehe dhe kjo ka ardhur si pasojë e një greve javore të minatorëve tanë. Ndërkaq kemi planifikuar që të punësojmë edhe 300 minatorë dhe kjo nuk është bërë dhe mesatarja e nxjerrjes së xehes për një muaj ka qenë mbi 9.5 tonelata. Ndaj këtë muaj shpresojmë se do të arrijmë në shifrën prej më shumë se 9 mijë tonelata xehe. Me pranimin e punëtorëve të rinj dhe me bordin e ri të kombinatit shpresojmë që do ta arrijmë këtë”, theksoi ai.
Akuzat e sindikatës Ndërsa lideri i sindikatës së Kombinatit “Trepça”, Shyqyri Sadiku, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se keqmenaxhimi, keqpërdorimet dhe nepotizmi e kanë sjellë në këtë situatë Kombinatin “Trepça”. “Veç saj, emërimi i drejtorëve dhe mospuna e menaxhmenteve të deritashme e kanë sjellë këtë situatë”, vijoi më tej ai.”Që kur kam ardhur kryetar i sindikatës më 2016, unë i kam cekur këto fenomene përmes mediumeve dhe pa hezitim i kam akuzuar me fakte drejtuesit e deritashëm për keqpërdorime, keqmenaxhim e nepotizëm, si dhe nga pasoja e mospunës dhe mungesës së disiplinës në punë. Ndaj të gjitha këto janë pasojat që e kanë sjellë në këtë situatë ‘Trepçën'”, u shpreh Sadiku. “Ligji për ‘Trepçën’ e ka pasur vetëm një të mirë, sepse ky ligj e shpëtoi kombinatin nga falimentimi dhe ne si sindikatë kemi qenë kundër miratimit të këtij ligji, ndërsa asgjë të mirë tjetër nuk ka pasur ky ligj”, ka vlerësuar ai.
Sadiku ankohet se e keqja është se bordi që ka ardhur është një bord politik. “Ne nuk e kemi pranuar veç saj edhe Draftstatutin që na shtyri të futemi në grevë pesëditore dhe si pasojë e kësaj greve puna rreth Draftstatutit ka ardhur në pikën zero. Marrëveshja me Qeverinë ka qenë se do të formohen grupet punuese për hartimin e Draftstatutit të ri, por deri më tash nuk ka asgjë në atë drejtim nga Qeveria dhe MZHE-ja, ngase nuk janë kompletuar grupet punuese”, shpjegoi ai.
Qeveritë, përgjegjëse për falimentimin Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu (PSD), për gazetën “Kosova Sot”, thotë se nuk ka asnjë dyshim se Qeveria e kaluar dhe kjo e tashmja e kanë sjellë buzë falimentimit Kombinatin “Trepça”. “Ndërkaq këtë e kanë bërë pushtetarët e të dyja këtyre qeverive të inkriminuara, që me keqpërdorimet, nepotizmin, korrupsionin dhe emërimet politike po i bëjnë nëpër borde, përfshirë edhe këtë kombinat”, theksoi ai.
Sipas opozitari Salihu, kjo po ndodh ngase nga nëntëmijë tonë me xehe, sa ishte planifikuar të nxjerrin minatorët e ‘Trepçës’, këtë muaj ata kanë arritur t’i sigurojnë vetëm shtatëmijë. “Ndaj kjo gjendje e rëndë që po mbretëron në këtë kombinat na tregon se punëtorët e ‘Trepçës’ po rrezikojnë që të mbesin pa paga”, vijoi më tej ai.”Mund të them lirshëm se Kombinatin ‘Trepça’ e falimentuan qëllimshëm politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminale. Kjo ngase gjigantit ‘Trepça’ nuk i ndihmoi fare as miratimi i Ligjit për ‘Trepçën’, kurse veç saj e keqja është se ende nuk është miratuar Draftstatuti i Kombinatit ‘Trepça’, që po kundërshtohet nga Sindikata e kombinatit”, potencoi Salihu.
Qeveria “Haradinaj”, me performancë skandaloze Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për “Kosova Sot” tha se fakti që performanca e dobët e qeverisë aktuale të bën me e harruar keqqeverisjen paraprake është treguesi më i mirë që qeverisja në Kosovë është degraduar në vazhdimësi. “Me të gjitha të metat e qeverisë së kaluar, së paku në kohen e saj kaloi Ligji për ‘Trepçën’ si edhe Ligji për Investime strategjike, si dhe Pakot Fiskale 1dhe 2, që edhe qeveria aktuale vepron sipas atyre pakove, sidomos pako 1″, u shpreh ai.”Parimisht nga kjo qeveri nuk kam pritur më shumë, duke e ditur mandatarin për kryeministër, si edhe numrin e madh të partive, por së paku kam pritur që nuk do të kemi anarki, sepse qytetari u lodh me ngërçet politike, si dhe është pritur nga kryeministri aktual që së paku disa procese do t’i shtynë përpara brenda vitit 2018 sepse me këtë performancë të dobët Kosovës i është kthyer ora mbrapa, si në aspektin ekonomik dhe politik”, ka thënë Kadriaj. “Lideri i AKR-së Qeverinë ‘Mustafa’ dhe Komisionin për Ekonomi dhe Financa e atakonte që nuk kanë bërë ligj të mirë për ‘Trepçën’, ndërsa sot pikërisht AKR-ja menaxhon Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe tani, kur flasim, ‘Trepça’ është edhe me keq se asnjëherë, ku çdo ditë bie niveli i prodhimit dhe njëherësh aktiviteti ekonomik”, theksoi ai.”Opinioni duhet të kuptojë që lideri i AKR-së nuk hyn në pazare të vogla si kryeministri aktual me rritje pagave, por tender si Spitali Pediatrik në QKUK në vlerë mbi 22 milionë euro dhe po ashtu tani interesin e ka tek Kombinati “Trepça”, që duke e devalvuar në aksione që t’i bie vlera kur të privatizon, ndërsa ‘Trepça’ për dalim nga ish-ndërmarrjet publike vlera e saj është pikërisht në pasuritë dhe galeritë që ato presin vetëm të riaktivizohen që shumë shpjet kthehen investimet”, shpjegoi Kadriaj.
Pushtetarët i shkelën punëtorët Ndërsa, analisti i ekonomisë, Artan Haziri, për gazetën “Kosova Sot” thotë se të gjitha kompanitë publike janë në krizë, duke përfshirë edhe ‘Trepçën’. “Mafio-oligarkia edhe këtë gjigant e ka futur nën pushtet. Në njërën anë rreziku për ndarje dhe marrjen nga Serbia, në anën tjetër rreziku edhe të mbesin punëtorët pa paga”, u shpreh ai.
Analisti Haziri vlerëson se nëntoka kriminale dëshiron edhe këtë gjigant që ta fundosë. “Draftstatuti i ‘Trepçës’ nuk po miratohet nga presionet e brendshme dhe të jashtme. Kjo më së miri e tregon gjendjen e Parlamentit’, theksoi Haziri. Ndërsa eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për “Kosova Sot” tha se ‘Trepça’ si ndërmarrje publike është dashur të ndihmohet nga Qeveria e Kosovës, e jo të lihet anash. Kjo edhe e ka sjellë këtë kompani në këtë pozitë dhe kjo ndërmarrje po rrezikohet nga mbyllja e përhershme. “Janë pushtetarët e inkriminuar që si duket nuk po mendojnë aspak për punëtorët që punojnë në kombinatin ‘Trepça’, duke e ditur që atyre punëtorëve po u rrezikohet jeta nga i nxehti, por edhe nga shembja e tuneleve gjatë nxjerrjes së xeheve (qymyrit)”, u shpreh ai.
Analisti Grapci ankohet se edhe miratimi i Ligjit për ‘Trepçën’, që ka hyrë në fuqi para disa muajsh, si duket nuk po funksionon, sepse po pyetet Beogradi e jo Prishtina. Analisti Hazbi Kadriu, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se me një kompani gjigande që e ka vendi ynë, siç është ‘Trepça’ u desh që nga paslufta me pas interesimin e pandërprerë ta fuqizojmë. “Që nga paslufta në shumicën e kompanive shtetërore në vend e shohim që interesimin nga qeveritë e njëpasnjëshme nuk e kanë pasur asnjëra, prandaj krejt ajo çfarë kanë pasur një pas një gjithnjë është që secila qeveri që ka udhëhequr vendin ka shikuar se si menaxhmentin e tyre të bëjnë militant të vet dhe të kenë ndërhyrje direkte për çdo keqpërdorim të mundshëm”, u shpreh ai. Sipas tij, për kompaninë gjigante siç është ‘Trepça’ është dashur dhe duhet të merren vendime me seriozitetin e madh e vullnetin e duhur nga qeveria dhe institucionet përkatëse, në mënyrë që të ndikojë direkt në rritjen e zhvillimit ekonomik të vendit.
(Kosova Sot)


