Brukseli e konsideron të parakohshme të flitet për shkëmbime territoriale mes Kosovës dhe Serbisë
Bashkimi Europian për herë të parë ka folur për çështjen e ndryshimit të kufijve në negociatat ndërmjet Thaçit e Vuçiq.
Komisionari evropian për Zgjerim, Johannes Hahn i cili ka marrë pjesë sonte në panelin e Forumit të Alpbach ka thënë se nëse zgjidhja nënkupton ndryshim kufijsh atëherë duhet të jepen garanci që nuk do të këtë efekt në vende tjera.
“Është e parakohshme të flitet për shkëmbime territoriale mes Serbisë dhe Kosovës. Ata duhet të gjejnë një zgjidhje të cilën ne do ta shqyrtojmë me mendje të hapur. Por mbi të gjitha, ajo duhet t’i kontribuojë stabilitetit rajonal dhe rrugës së tyre drejt BE-së”, ka thënë Hahn për “AlJazeera”
“I takon Vuçiqit dhe Thaçit që ta gjejnë një zgjidhje. Ne nuk do të imponojmë asgjë nga jashtë. Ama e përsëris se çfarëdo zgjidhje që gjendet, duhet të jetë e përshtatshme dhe që i kontribuon stabilitetit rajonal e jo të shkaktojë jostabilitet diku tjetër. Duhet ta marrim këtë garanci prej tyre”, tha Hahn.
“E duartrokas angazhimin e Vuçiqit dhe Thaçit. Në radhë të parë zgjidhja duhet të vijë nga ata. Por patjetër duhet t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në tërë rajonin. Kjo do të jetë e rëndësishme për BE’në”, shtoi ai.


