Drita “shuan” Elektricistët
Gjilan – Kampioni aktual i Kosovës, Drita në stilin e saj ka mposhtur me rezultat 5-0, anëtarin e ri të Superligës së Kosovës, KEKU-n, duke paralajmëruar se edhe në këtë kampionat do ta ketë fjalën kryesore në futbollin Kosovar.
Këtë rrebesh golash nuk e patën kënaqësinë tifozët e Dritës ta përjetojnë nga shkallët e stadiumit, pasiqë siç dihet skuadra e Dritës nga Komisioni Disiplinor i FFK-së është e dënuar me dy ndeshje pa shikues dhe me 10 mijë euro.
Ashtu siç është pritur “bardh e kaltërtit” e Dritës me lehtësi të madhe kanë deklasuar skuadrën e KEKU-t, si me lojë njashtu edhe me rezultat.
Para ndeshjes në shenjë nderimi për ish-kryetarin e FFK-së, Fadil Vokrri, është mbajtur një minutë heshtje.
Serinë e golave në këtë ballafaqim e hapi Endrit Krasniqi në minutën e 22-të, kur nga 18 metra gjenë këndin e epërme të portierit mysafir Ardit Nika.
Epërsinë në 2-0 e shton Betim Haxhimusa nga afërsia duke mposhtur Nikën.
Momenti më i bukur në ndeshjen e sotme ishte në minutën e 74-të, kur Endrit Krasniqi merr një top nga 50 metra dhe me një solo aksion gjenë këndin e epërm të Nikës, duke shënuar gol të jashtëzakonshëm.
Fidan Gërbeshi në minutën e 78-të, nga penaltia ngrit epërsinë në 4-0, pasi më herët në mënyrë të palejuar ndalet Kuka.
Në minutën e 85-tv, Betim Haxhimusa edhe njëherë në ndeshjen e sotme gjenë rrjetën e portierit mysafirë Nikës, duke vulosur ndeshjen e pabarabartë të javës së parë të Ipko Superligës.
Mysafirët nga Obiliqi, në asnjë moment gjatë 90 minutave nuk rrezikuan portën e Edvan Bakaj të Dritës.
Pas ndeshjes trajneri i Dritës, Bekim Isufi deklaroi.
“Skuadra ime kishte përvojë më të madhe kjo u vërejt gjatë 90 minutave, rezultati është i lartë sa vet fitorja, jam i kënaqur me angazhimin e gjithë futbollistëve, neve na mbetet të vazhdojmë dhe të mendojmë për kundërshtarin e ardhshëm”./rajonipress/


