Ramiz Krasniqi tubon përfaqësuesen U-19
Gjilan – Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Ramiz Krasniqi, së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij Nazmi Rama e Xhelal Karabegun, nuk kanë të ndalur me grumbullimet e tyre me të vetmin qëllim për të përzgjedhur më të mirët.
Edhe pse në këto ditë tropikale nga vala e nxehtit, Krasniqi ka publikuar listën e të ftuarve të tij, kësaj radhe 27 futbollistë për tri ditë 11,12,13, korrik në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq, do të sprovohen edhe një herë për të parë nga afër kualitetin e këtyre futbollistëve.
“Ne po vazhdojmë me projektin tonë, së bashku me bashkëpunëtorët e mi po kërkojmë më të mirët në grumbullimet e ndryshme të cilat i kemi pasur gjerë më tani, po japim më të mirën që dimë dhe mundim edhe pse shumicën e futbollistëve i kemi pasur edhe më herët, por vazhdimisht po sjellim edhe futbollist tjerë për të rritur konkurrencën dhe për të gjetur më të mirët”, ka theksuar përzgjedhësi Krasniqi.
Krasniqi ka bërë të ditur se do të ketë ende grumbullime të futbollistëve deri para shkuarjes në Austri.
“Grumbullimet do të jenë edhe në Gusht e Shtator, ndërsa ata që ftohen në muajin Shtator do të jenë lista përfundimtare ku do të shkohet në një kamp 5 ditor, ndërsa mosha e këtyre futbollistëve afër 90% janë të vitit 1999, ndërsa grupi tjetër të vitit 2000 do të jenë në pritje për kualifikimet e ardhshme”, ka bërë të ditur Krasniqi.
Siç dihet Përfaqësuesja e Kosovës në futboll U19, bën pjesë në grupin e 6 së bashku me Izraelin, Lituanin e Austrinë, ndeshje të cilat do të zhvillohen me 3, 6 dhe 9 tetor, ndeshje këto të vlefshme për Kampionatin Evropian i cili do të mbahet në Finlandë 2018, ndërsa ndeshjen e parë Kosova e zhvillon ndaj Austrisë me 3 Tetor./rajonipress/


