UBT

Kuvendi mbron mafio-biznesin, hesht për monopolet dhe krimin ekonomik

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Ky Kuvend ka dështuar në mbrojtjen e konkurrencës dhe tregut të lirë.

“Konkurrencës për një treg të lirë duhet t’i lirohet rruga urgjentisht, duhet t’i lejojmë bizneset e reja dhe biznesmenët e rinj që t’i shfaqin produktet e tyre publikisht e jo t’u ndalohet, për shkak se një politikan apo një biznesmen ka dhënë urdhër, se po ka frikë se mos po mbetet pa punë”, potencoi Zafir Berisha për “Kosova Sot”

Ekspertë të ekonomisë, përfaqësues të bizneseve, deputetë të pozitës dhe opozitës, vlerësojnë se Kuvendi i Kosovës ka dështuar qëllimisht në adresimin e çështjeve me rëndësi për ekonominë. Ata pyesin se përse po u shmangen pozita dhe opozita debateve për monopolet kriminale të mafio-oligarkëve, si dhe shumë probleme në ekonominë kosovare. Sipas njohësve të kësaj fushe, arsyeja se përse kjo nuk po ndodh është fakti se të gjithë politikanët vendimmarrës kanë interesa të fuqishme në shumë biznese të inkriminuara në Kosovë, të cilat i favorizojnë. Ka dyshime të mëdha se nga ato marrin haraçe të mëdha, shumëmilionëshe, interesa të fuqishme në shumë biznese në Kosovë, sepse nga ato marrin haraçin, duke shkelur me të dyja këmbët mbi sipërmarrjen e ndershme e të pambështetur e të nëpërkëmbur private. Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu (i pavarur), për gazetën “Kosova Sot”, tha se vështirë do të ndodhë që kjo përbërje e tashme e Kuvendit të Kosovës së shpejti do të debatojnë për monopolet kriminale të mafiooligarkëve, si dhe shumë probleme kriminale në ekonominë kosovare.”Ndonëse duhet të jemi real se kjo do të duhej që të ishte një temë qendrore në Kuvendin e Kosovës”, potencoi ai.

Konkurrenca të garantohet

Opozitari Salihu thotë se në Kuvendin e Kosovës, në përbërjen e kaluar, ka pasur diskutime të tilla fragmentare, por jo si një temë boshte, ku Kuvendi do të diskutonte për këto çështje të vazhdueshme. “Kjo çështje është e lidhur me programet e partive politike që nuk kanë pasur fare suksese me programet e tyre ekonomike”, theksoi ai.”Mirëpo, prapëseprapë jam i mendimit se arsyeja se përse kjo nuk po ndodh është fakti se të gjithë politikanët vendimmarrës kanë interesa të fuqishme në shumë biznese te inkriminuara në Kosovë, ku i favorizojnë këto biznese, sepse ka dyshime të mëdha se nga ato marrin haraçe të mëdha shumëmilionëshe, pra kanë interesa të fuqishme në shumë biznese në Kosovë, ku favorizojnë këto biznese, sepse nga ato marrin haraçin, duke shkelur me të dyja këmbët mbi sipërmarrjen e ndershme e të pambështetur e të nëpërkëmbur private”, vijoi më tej Salihu. Ndërsa deputeti tjetër i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Zafir Berisha (Nisma), për “Kosova Sot” tha se është e vërtetë se Kuvendi shumë më tepër ka mundur të bëjë për ekonominë dhe problemet ekonomike si janë monopolet dhe problemet e tjera. “Konkurrencës për një treg të lirë duhet t’i lirohet rruga urgjentisht, duhet t’i lejojmë bizneset e reja dhe biznesmenët e rinj dhe të reja që t’i shfaqin produktet e tyre publikisht e jo t’u ndalohet, për shkak se një politikan apo një biznesmen ka dhënë urdhër, se po ka frikë se mos po mbetet pa punë”, potencoi ai. Sipas Berishës, në Kuvendin e Kosovës duhet të debatohet për gjendjen e rëndë ekonomike dhe mafio-oligarkët që duan ta marrin shtetin në dorë.

AKB-ja ia kujton kryeministrit premtimet e pambajtura

Hidromorava

Ndërsa, përfaqësuesit e AKB-së shpresojnë se pas përfundimit të demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, më në fund këtu do të dominojnë agjendat ekonomike. Lidhur me çështjen për gazetën “Kosova Sot” ka folur nënkryetari i AKB-së, Bashkim Osmani. “Po qe se Kuvendi i Kosovës përcaktohet për këto debate për ekonominë do të ishin të mirëseardhura, ndonëse duhet qenë real janë pak me vonesë. Sepse deri më tash si prodhues që jemi kemi qenë të detyruar që vetëm përmes asociacioneve tona të biznesit t’i bëjmë dhe t’i përcjellim kërkesat tona dhe hallet e bizneseve me të cilat po ballafaqohemi dhe ato në vazhdimësi po i bëjmë”, u shpreh ai.”Vjet kryeministri Haradinaj pati premtuar se prodhuesit vendorë do të kenë privilegje të reja, por dihet se kjo nuk po ndodh dhe shpresojmë se brenda një kohe të shkurtër do të zgjidhen këto probleme, sepse ka shumë punë për t’u bërë nga ana e Qeverisë, por edhe nga ana e Kuvendit”, theksoi Osmani. “Shpresojmë se pas këtyre vendimeve politike që u morën nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe vendimet të tjera që priten të bëhen, më në fund edhe Kuvendi do të fokusohet tërësisht në çështjet dhe debatet ekonomike me theks të veçantë për prodhuesit vendorë dhe hallet e tyre, por pa anashkaluar edhe problemet e tjera ekonomike, siç janë ato të monopoleve e çështjeve të tjera”, vijoi më tej ai.

Deputetët mashtrojnë

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për “Kosova Sot” tha se, si të gjitha legjislaturat e kaluara, edhe kjo e tanishmja nuk po mund të lirohet nga i interesat e mafio-oligarkisë, sepse për fat jo të mirë parimisht ato ulëse po i zënë njerëzit nga po kjo nëntokë që po kontrollon çdo institucion. “Pra, demokracia po dështon që nga vota, sepse në Kosovë nuk kemi votë të lirë qytetare, por votë të militantëve dhe votë të zhantazhit dhe të kushtëzimit. Deputetët më shumë merrem me akuza në ajër për njëri-tjetrin sesa që merren me tema në interes të vendit dhe më së paku me tema ekonomike, që si rezultat i ekonomisë së dobët nuk po kemi as pavarësi politike”, theksoi ai. “Deputetët e ngritin zërin vetëm sa për t’i hedhur hi syve elektoratit, por si të fillojnë kundërakuzat ata tërhiqen, sepse e gjithë politika ditore është e zhytur në afera korruptive, kështu që për fat jo të mirë janë në obligime ndaj nëntokës në Kosovë”,vlerësoi Kadriaj. Ndërsa eksperti i financave, i shkolluar në Perëndim, Xhevat Meha, për gazetën “Kosova Sot”, tha se krijimi i monopoleve, kapja e shtetit, dhe puna e tillë e institucioneve për zbatim të ligjit çfarë e kemi në Kosovë, nuk janë rastësi, ngase ato janë pjesë e tërësisë së sistemeve të instaluara nga Serbia në Kosovën e pasluftës së fundit përmes rrjetit të spiuneve.”Duhet përkujtuar se Serbia në Kosovën e pasluftës së fundi ka në veprim rreth 700 spiunë të stërvitur të betuar dhe se ky është numri maksimal që i duhet Serbisë, ngase nuk i duhen më shumë, edhe pse ka rreth 5000 të tjerë që janë të gatshëm të bëhen të tillë, por ata po mbahen në rezervë. Rrjeti i spiuneve është i shtrirë nëpër të gjitha institucionet dhe nëpër të gjitha nivelet në gjithë Kosovën, përfshirë edhe krerët më të lartë të institucioneve të shtetit dhe se përmes këtij rrjeti shërbimet e fshehta serbe (SHFS-ve) kanë nën kontroll të gjitha institucionet e Kosovës dhe në këtë mënyrë gjithë jetën dhe veprimtaritë në Kosovë”, u shpreh ai.

Kuvendi vepron ‘ad hoc’

Ndërsa, deputeti i dikurshëm i Kuvendit, Xhevdet Neziraj, për “Kosova Sot” tha se Kuvendi i Republikës së Kosovës, edhe pse në çdo fillimvit aprovon programin e tij të punës, si udhërrëfyes për Komisionet Parlamentare, por për Kuvendin në përgjithësi, kjo legjislaturë punët është duke i bërë në baza “ad hock”, të paplanifikura dhe të paanalizuara mirë. “Kuvendi i Republikës së Kosovës, si me program si pa program, si pozitë si opozitë, ka shumë pak iniciativa për ngritjen e çështjeve që janë me rëndësi për ekonominë e vendit. Edhe ato debate që i bëjnë dhe ato rekomandime dhe rezultate që i nxjerrin në Kuvend, për fat të keq, asnjëherë nuk i implementojnë dhe mbesin vetëm si diskutime në transkripte të Kuvendit”, u shpreh ai.”Edhe për këtë çështje nuk presim që të ketë iniciativa konkrete të Grupeve Parlamentare që të bëjnë diçka konkrete për të mirën e ekonomisë së vendit, ngase në secilin grup ka njerëz që bie fjala me këtë lloj privatizimi që ka ndodhur në Kosovë njerëzit janë pasuruar dhe janë bërë milionerë, që as në ëndërr nuk e kanë parë që aq lehtë munden me u bërë biznesmenë të pasur për një kohë aq të shkurtër”, potencoi Neziraj. Sipas tij, nuk duhet që të presim nga ata njerëz aty që të luftojnë këto gjëra negative, sikurse që janë monopolet e shumta, sepse një numër i caktuar që janë në Kuvend ata janë aty që t’i mbrojnë interesat e veta personale e jo të qytetarëve dhe ekonomisë së lirë të vendit.

(Kosova Sot)