LDK e lë pezull Vetëvendosjen, me PAN-in nuk hyn në koalicion
Lidhja Demokratike e Kosovës po pret certifikimin e rezultateve përfundimtare për të marrë vendim në organet e partisë nëse do t’i bashkohet Vetëvendosjes në një koalicion të mundshëm qeverisës, apo PAN-it, ani pse për këtë të fundit, zyrtarë të LDK-së thonë se aktualisht është e përjashtuar për një koalicion të mundshëm qeverisës.
Nënkryetari i LDK-së Agim Veliu tha se LDK-ja do të marrë vendimin më të mirë për vete dhe se nuk do t’i bëhet patericë askujt, transmeton Gazetametro.net.
Por ai thekson se ende nuk kanë vendosur as për koalicionin PAN e as për Vetëvendosjen për të bërë koalicion, sepse për këtë do të vendosin organet e LDK-së, në momentin e certifikimit të rezultateve.
Veliu thotë se çfarëdo vendimi që do të sjellin organet e LDK-së ata do të veprojmë ashtu.
“Sipas disponimit aktual ende nuk kemi vendosur, as për PAN-in, as për Vetëvendosjen. Ne do ta shqyrtojmë shumë mirë, do ta lexojmë rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe do të vendosim atë që është më e mira për LDK-në… Nuk do të thotë që është opsion Vetëvendosja, ne e kemi thënë që jo me çdo kusht LDK do të tentoj të hyjë në qeveri, do ta ndjek rrugën e cila është më e mira për LDK-në. Do ta marr vendimin që është më i miri për LDK-në kësaj here dhe nuk do t’i bëhet patericë askujt”, tha Veliu.
Megjithatë, sipas numrit dy të LDK-së, menjëherë pas zgjedhjeve ekziston një qëndrim i koalicionit LAA, që të mos bëjë koalicion me PAN-in.


