Kush po e lë Kosovën peng, në duar të serbëve
Nga Sabedin Sinani – Janë mbi 60 deputet shqiptarë në parlamentin e Republikës së Kosovës, që fatin e Kosovës po e lēnë në duart e deputetëve serb konkretisht listës serbe të dirigjuar nga Beogradi, dhe grupeve të tjera etnike.
Në shumë biseda qe kam patur nëpër konferenca dhe seminare të ndryshme me miqtë tanë ndërkombëtar më kanë thënë hapur se i vetmi njeri që mundë të ndalë shtrirjen e influencës sllave (serbe dhe ruse) në Kosovë është z.Ramush Haradinaj.
Ndoshta mu për këtë arsye disa grupacione politike dhe grupe të interesit në vendin tonë synojnë që ta dobësojnë, dhe ta bëjnë me shenjë edhe z.Ramush Haradinaj, si i vetmi Samurai i cili ka luftuar dhe qëndruar stoikisht deri më tash kundër influencës serbo-ruse dhe ekstremistëve islamikë në Republikën e Kosovës, ku dihet qartë se shumë politikanë kanë koketuar dhe vazhdojnë ende të flirtojnë me grupe ekstremistësh.
Për gjatë fushatës zgjedhore, të gjitha partitë politike pa dallim kanë premtuar para elektoratit të tyre dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës se janë për ta ndërtuar dhe forcuar shtetin e Kosovës.
Atëherë pse tash hezitojnë t`i bashkohen z.Haradinaj për të formuar qeverinë, dhe për ta bërë shtetin e Kosovës funksional dhe të formësuar si ne planin e brendshëm ashtu edhe të jashtëm ?!
Rezultati i zgjedhjeve pritet shume shpejt të çertifikohet dhe zyrtarizohet, por siç po shihet dikush po i mbron interesat e lindjes në Kosovë. Uroj që të mos jetë kështu, unë të jem gabim !
Sfidat që ka Kosova përpara janë mijëra herë më të mëdha se inatet politike, dhe mosmarrëveshjet individuale. Demarkacioni me Malin e Zi, Asociacioni i komunave të banuara me serbë, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, formimi i ushtrisë, zhvillimi ekonomik, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, të gjitha këto tema kërkojnë konsensus nacional, andaj ka ardhur koha që t`i japim mundësinë z.Ramush Haradinaj që tu prijë këtyre proceseve që kërkohen nga ne, apo dëshirojmë t`i hapim derën influencës ruse dhe serbe në Kosovë.
Autori është politolog dhe studiues i marrëdhënieve Ndërkombëtare


