ARKATANA

Anarkia e pagave s’ndalet, kompanitë dështojnë, rrogat fluturojnë!

/ 9 minuta lexim
Hidromorava

Ndonëse jemi 19 vjet pas luftës sikurse edhe mbi 10 vjet si një shtet i pavarur, Kosova ende nuk ka Ligj për nivelimin e pagave, por as edhe një ligj që rregullon pagat te ndërmarrjet publike dhe te agjencitë e pavarura, ku pagat janë marramendëse,duke i sjellë Ndërmarrjet Publike në prag të falimentimit.

Analistët pyesin se si mundet që me paratë e kosovarëve, drejtori i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës të ketë pagën mujore 15 herë më të lartë se paga mesatare në vend. Ata pyesin se si shpjegohet që kjo pagë mujore të arrijë vlerën 5 mijë e 213 euro në muaj ose 62 mijë e 567 euro në vit. Veç saj, nga njohësit e kësaj fushe shtrohet pyetja po ashtu se përse askush nuk po jep përgjegjësi për pagat super të larta edhe të kryeshefit ekzekutiv në Telekomin e Kosovës, i cili merr 4 mijë e 451 euro, pastaj guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, që merr pagë mujore 4 mijë e 301 euro ose 51 mijë euro pagë vjetore, drejtori në Agjencinë Kosovare të Privatizimit merr afro 4 mijë euro në muaj ose pagë vjetore 47 mijë e 749 euro.

Analistët pyesin se përse as Qeveria e as Kuvendi i Kosovës nuk po i rregullojnë me ligj edhe pagat e ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura, ku në Kosovën e varfër njerëzit mezi po mbijetojnë, kurse të emëruarit e politikës në të ashtuquajturat agjenci të pavarura e ndërmarrje publike paguhen me paga ekstrem të larta. Në përgjigjen e shkurtër të Ministrisë së Administratës Publike, që është dërguar për gazetën ” Kosova Sot”, lidhur me çështjen, thuhej se përgjigjet duhet që të kërkohen te Qeveria, Kuvendi dhe Ministria e Financave, por askush nga zyrtarët nuk ka folur.

Dallime të mëdha me sektorin privat

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri tha për ” Kosova Sot”, se aktualisht niveli i pagave në Republikën e Kosovës ka dallime të mëdha në mes të sektorëve, sektori më i privilegjuar në Republikën e Kosovës është ai i ndërmarrjeve publike, duke anashkaluar dy sektorët e tjerë, atë publik dhe privat, që edhe në sektorin e ndërmarrjeve publike ka dallime rrënjë- sore në paga për punën e njëjtë. ” Ligji për Pagat që synon nivelimin e të ardhurave mujore ose siç njihet “pagë e njëjtë për punë të njëjtë” është pritur që të procedohet nga Qeveria në Kuvend për miratim në muajit e parë të vitit 2018, mirëpo ende nuk ka shkuar në Kuvendin e Kosovës që aktualisht në pritje për miratim janë mbi 50 ligje, të cilat pritet të rregullojnë mirëqenien e qytetarëve të vendit. Kostoja e pagave të sektorit publik ka pasoja në politikat monetare dhe fiskale në Republikën e Kosovës, dhe këto të fundit kanë gjithashtu një ndikim thelbësor mbi pagat e sektorit privat. Ky ndikim mund të rrezikojë konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe, nëpërmjet peshës së inflacionit, mund të vërë në rrezik stabilitetin makroekonomik”, u shpreh ai. “Në Republikën e Kosovës paga minimale është e kategorizuar 130 euro për të punësuarit deri në moshën 35-vjeçare dhe 170 euro për të punësuarit mbi moshën 35-vjeçare. Këshilli Ekonomiko-Social ka propozuar që paga minimale të jetë 250 euro, mirëpo ka hasur në kundërshtim nga disa përfaqësues të bizneseve në Kosovë.

Edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë po kundërshton rritjen e pagës minimale, pasi, sipas tyre, paga minimale në vlerë prej 250 eurosh mund të ndikojë në përkeqësimin e mëtejmë të prospekteve të punësimit si dhe në rritjen e informalitetit në punësim”, vijoi më tej Beqiri. Ai shton se 31 mijë familje janë në asistencë sociale, ose 15 për qind e qytetarëve marrin ndihmë sociale, pra ngritja e pagës minimale, përmirëson edhe gjendjen ekonomike të shumë familjeve kosovare. “Nëse analizojmë mirë pagat e liderëve të rajonit, atëherë Kosova qëndron në maje të pagës më të lartë, përveçqë Sllovenia i prin si shteti me pagën më të lartë për kryeministrin.

Sipas të dhënave në medie, këto janë pagat sipas shteteve të Ballkanit Perëndimor. 1. Kryeministri i Sllovenisë: 4.500 euro. 2. Kryeministri i Kosovës: 2.950 euro (me rritjen e vendosur nga Qeveria).3. Kryeministri Kroacisë: 2.600 euro. 4. Kryeministri i Shqipërisë: 1.700 euro. 5. Kryeministri i Maqedonisë: 1.300 euro. 6. Kryeministri i Malit të Zi: 1.130 euro. 7. Kryeministri i Bosnjës dhe Hercegovinës: 1.070 euro. 8. Kryeministri i Serbisë: 1.000.”, ka thënë ai. Sipas analistit Beqiri, Kosova qëndron e dyta për nivelin e pagës më të lartë në rajon, përderisa papunësia është mbi 35 për qind, dhe si pasojë e kushteve të rënda për jetesë synim kryesor i çdo të riu është të lërë vendin për një jetë më të mirë.

FIDANISHTJA

Shërbimet më të dobëta publike, pagat më të lartat

Analisti Mustafë Kadriaj, për ” Kosova Sot”, tha se me këtë katrahurë institucionale Kosova, për fat jo të mirë, mund të quhet Republika e Paradoksalizmit, sepse ndodhin gjëra që me të vërtetë një mendje e shëndoshë nuk e pranon e mos të flasim logjika ekonomike. “Këto paga marramendëse në njëfarë mënyre po e arsyetojnë edhe iniciativën e kryeministrit aktual për ngritje të pagave, sepse potencialisht përgjegjësi më të madhe ka ekzekutivi në vend sesa Trusti Pensional, AKP-ja, Posta, sepse këto janë institucione shtesë që e plotësojnë anën administrative në vend”, u shpreh ai. “Paga e drejtorit të Trustit Pensional është 15 herë më e madhe sesa paga mesatare ku këtë pagë ia cakton vetes me kontributet e atyre punëtorëve që heqin të zitë e ullirit për të siguruar një pagë, po ashtu edhe drejtori i AKP-së me fondin e 20 për qind nga privatizimi, pra me djersët e atyre gjeneratave këta sot i sigurojnë pagë vetes me standard evropian, po ashtu edhe kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, me shërbimet më të dobëta në rajon, i cakton vetes pagën sipas dëshirës”, theksoi Kadriaj. “Hiç më keq nuk qëndron edhe guvernatori i BQK-së, që e ka pagën më të madhe sesa kryeparlamentari, kryeministri e mos të flasim ministri i Financave”, vijoi më tej ai. Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, tha për “Kosova Sot’, se Projektligji për pagat ishte miratuar në Qeverinë e kaluar “Mustafa”, në fund të vitit 2016 dhe u pat proceduar në Kuvendin e Kosovës, por mbeti në heshtje. “Nevojitet nivelimi i pagave, sepse dallimet janë për keqardhje dhe ka dallime marramendëse dhe kjo tregon se po dominon lloji i oligarkëve dhe mosvlerësimi profesional dhe intelektual nga kjo kastë politikë, të gjitha dikasteret janë të përbuzura nga kjo kastë e brishtë politike,duke stimuluar vetëm vendet në të cilat ata janë të involvuar duke filluar nga bordet, por edhe disa vende pune që janë marramendëse pagat e tyre nga ngritja profesionale dhe puna që punohet me përgjegjësi intelektuale”, u shpreh ai.

Sektor i çrregulluar, nevojitet rregullim ligjor

Ndërsa deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga opozita, Faton Topalli (i pavarur), për gazetën “Kosova Sot “, tha se Ligji për pagat është një nga ligjet më të rëndë- sishme, sepse do të krijonte rregull në këtë sektor që është bukur i çrregulluar dhe se merren rroga të ndryshme për poste të njëjta. “Ligji është i përpiluar, por Qeveria e ka tërhequr”.

Andaj, sipas Topallit, nevojitet aprovimi i tij sa më i shpejtë, në mënyrë që të krijohet një stabilitet i pagave në Kosovë, sepse vërtet kështu nuk shkon më, sepse kjo laramani e pagave në institucionet tona nuk është e logjikshme fare. “Duhet që urgjentisht të bëhet nivelimi i pagave kudo sipas kualifikimit, përvojës së punës dhe niveli i pagave të mos paguhet në një institucion 2-3 mijë euro, kurse në institucionin tjetër kanë paga të ulëta”, theksoi ai. “Nëpër borde nuk e di se me çfarë logjike po paguhen me nga 2-3 mijë euro, kurse paga mesatare në Kosovë është 250 euro. Andaj, nga ana e Kuvendit të Kosovës duhet që të miratohet urgjentisht Ligji për Pagat dhe më pas të bëhet nivelimi i pagave sipas përgatitjeve shkollore dhe aftësive menaxheriale, sepse aktualisht ka padrejtësi të mëdha dhe me nivelim pagash krijohet një standard i njëjtë për të gjithë”, ka vlerësuar Topalli.

Edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga koalicioni qeverisës, Enver Hoti (Nisma për Kosovën), për gazetën, “Kosova Sot”, tha se patjetër që Ligj për Pagat duhet që të aprovohet sa më parë në Kuvendin e Kosovës së bashku edhe me reformën në Administratën shtetërore, ngase gjendja e tashme me diferencat e mëdha në paga dhe dallimet enorme në paga janë shumë të dëmshme dhe është me efekte shumëdimensionale për vendin. “Edhe në NP-të tona e kemi një gjendje shumë të rëndë dhe ato po shkojnë drejt kolapsit, andaj normalizimi apo zbritja e pagave nëpër këto NP duhet që të bëhet me kujdes”, u shpreh ai. Sipas Hotit, gjendja e tashme e pagave tepër të larta nëpër bordet e Telekomit dhe gjetiu nëpër borde duhet që të normalizohet.

(Kosova Sot)