Prapa tregut miliardësh, “të fortët” e politikës
Prokuroria vazhdon të mos i hetojë dyshimet serioze
“Tregtia me derivatet e naftës kudo në botë është faktori kryesorë që pa ndonjë vështirësi dhe kosto krijon të ardhura të mëdha përfituese. Në Kosovë nuk ka kompani që nuk është e lidhur me politikën dhe që nuk ka njerëz të politikës në gjirin e vet”, theksoi për “Kosova Sot” eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci
Ndonëse ka dyshime serioze se janë figura të larta nga skena politike dhe institucionet më të larta shtetërore, qofshin në pozitë ashtu edhe në opozitë, që po qëndrojnë fshehtas prapa kompanive të mëdha të derivateve të naftës në Kosovë, prokuroria nuk e ka hapur as edhe një rast të vetëm.
Dihet botërisht se bizneset e derivateve të naftës për çdo vit ndaras sjellin në Kosovë secili nga 5 000 cisterna ose nga 150 milionë litra naftë e benzinë me një qarkullim prej rreth mbi 200 milionë euro. Analistët pyesin se si është e mundur që në Kosovë të gjitha kompanitë e naftës i kanë bashkëaksionarë, gjegjësisht shefa, politikanët e nivelit të lartë edhe pse 19 vjet pasluftës ata pa asnjë ferrë në këmbë po vazhdojnë që të udhëheqin këto kompani nën hije dhe të fitojnë për çdo vit nga disa dhjetëra miliona euro, duke e kontrolluar dhe mbajtur të zaptuar e të sunduar tregun e superkontrolluar, me kontot e mbushura bankare në vend dhe sidomos jashtë vendit, në parajsa fiskale.
Sipas të dhënave të ekspertëve të kësaj fushe, thuhet se në Kosovë qarkullojnë legalisht me shumë se 1 miliard euro brenda vitit dhe edhe afro 1 miliard euro tjetër me kontrabandë e evazion fiskal, po nga të njëjtat kompani, të cilave nga politika dhe pushteti u ngritën trarët e doganave, për të kaluar ilegalisht edhe ditën edhe natën, pa paguar akcizë, doganë dhe TVSH. Kështu edhe hapur i ishte drejtuar nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, kryeministrit Ramush Haradinaj nga foltorja e Kuvendit. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresën elektronike për të mësuar se çka mendon Prokuroria e Shtetit, se kush janë “padronët” ose pronarët e vërtetë që po sundojnë “arin e zi” në Kosovë,zyrtarët e të dyja prokurorive, të Shtetit dhe Speciale, nuk kanë kthyer përgjigje për gazetën
“Kjo fushë është shqetësuese dhe ka vend për hetime nga ana e organeve të drejtësisë, por ajo është e kapur nga politika dhe nuk pritet se mund të marrin masa”, tha Faton Topalli për “Kosova Sot”
“Politika e ndyrë dhe korrupsioni në biznes janë rritur shumë dhe politika duhet që ta luajë rolin dhe rëndësinë e saj, kurse biznesi duhet që ta luajë rolin dhe detyrën e vet, ngase nuk nevojitet që politika të përzihet në biznes”, tha Dardan Grapci për “Kosova Sot”
Shoqata konfirmon akuzat
Lidhur me këto akuza, ka qenë nënkryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, që foli për gazetën “Kosova Sot”, duke theksuar se pa asnjë dyshim kjo është një e vërtetë, ngase politikanët, por edhe zyrtarët më të lartë të institucioneve të shtetit, qëndrojnë jo vetëm prapa kompanive të derivateve të naftës, po edhe prapa çdo kompanie tjetër që është fitimprurëse. “Dhe kjo mund të dëshmohet me tenderët e kapur nga zyrtarët e lartë të Qeverisë, por edhe interesi i tyre që edhe pas skadimit të tenderit me mekanizmat që përdorin mbajnë në shfrytëzim edhe më tej”, vijoi më tutje ai. Sipas Malokut, është për habi se si edhe Prokuroria e Shtetit për këto raste sikur nuk është e interesuar që ta ndërpresë këtë të keqe, e cila shumë po i kushton buxhetit të vendit me qindra miliona euro të humbura. “Pikërisht për këto qëllime, për tenderët e derivateve të naftës një iniciativë e dalë nga Shoqata e Naftëtarëve është kërkuar që në nivel të vendit tenderët të ndahen në disa lote apo në disa pjesë, e cila kërkesë edhe është mirëpritur nga Qeveria, po në zbatim ende nuk ka rezultate”, ka thënë Maloku. Edhe drejtuesit e AKB-së e pranojnë se në sektorin e derivateve të naftës ka shumë për t’u bërë dhe për t’u luftuar informaliteti. Lideri i AKBsë, Agim Shahini, për gazetën “Kosova Sot” tha se kjo është një e vërtetë se Shoqata e Naftëtarëve për katër vite me radhë kanë bërë një rezistencë të vazhdueshme, duke ekundërshtuar haptazi fiskalizimin e tyre me arka fiskale, me arsyetimin se janë tepër të shtrenjta. Shahini thotë se në veçanti kjo është dëmshme për ekonominë dhe buxhetin e për një treg konkurrent të drejtë dhe me kushte të barabarta.
Kontrabanda dhe evazioni nuk ndalen
Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Faton Topalli (i pavarur), thotë për “Kosova Sot” se nga vetë heshtja e Prokurorisë së Shtetit dhe moshetimi i këtyre bizneseve, si dhe nga prononcimet e bëra nga Xhavit Haliti, të gjitha këto janë një tregues se janë figura të larta politike dhe të institucioneve të shtetit që po qëndrojnë prapa kompanive të mëdha derivatesh. “Kontrabanda, evazioni fiskal, por edhe krimet lidhur me keqpërdorimet që po bëhen me “arin e zi”, si çështje opozita i ka ngritur disa herë edhe në Kuvendin e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje të drejta e të duhura nga asnjëri nga ministrat e deritashëm të MTI-së”, potencoi ai.”Instituti Meteorologjik që e bën bazhdarimin e derivateve të naftës dhe të arit nuk funksionon si duhet dhe kjo çfarë ndodh atje është një tregues se këtu i ka futur thellë duart politika e inkriminuar tek institucionet, që janë përgjegjëse për të ndaluar keqpërdorimet me derivate të naftës”, theksoi Topalli. Siç ka potencuar deputeti Topalli, në kurriz të qytetarëve po përfitojnë njerëz dhe biznese të caktuara të afërta me politikën.”E kam shprehur dyshimin edhe për konflikt të interesit të këtij instituti që është futur nën sqetull dhe kuadërtë MTI-së dhe në vend se të jetë i pavarur me qëllimin për ta mbajtur situatën e pakontrolluar, që është në fushën e tregut të derivateve të naftës. Janë pakënaqësitë e qytetarëve për derivatet, sepse në shumë raste nuk është sasia e vërtetë ajo që e blejmë shkaku i njësive matëse”, ka thënë ai.
Mafio-kompanitë gjunjëzuan shtetin
Se bizneset e pista e të dyshimta të kompanive të derivateve të naftës në Kosovë që nga paslufta janë bërë problem shumë i madh si për shtet, ashtu edhe për organet që janë kompetente për të luftuar kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal, flasin edhe njohësit dhe specialistët e ekonomisë. Kësisoj, eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, tha se organet kompetente dhe shteti janë dorëzuar komplet ndaj mafio-kompanive të derivateve. “Kjo ngase tregtia me derivatet e naftës kudo në botë janë ndër faktorët kryesorë që pa ndonjë vështirësi dhe kosto krijon të ardhura të mëdha përfituese. Në Kosovë nuk ka kompani që nuk është e lidhur me politikën dhe që nuk ka njerëz të politikës në gjirin e vet”, vlerësoi ai.”Nëveçanti janë kompanitë e mëdha ato që kanë përfitime të shumta, sidomos nga shmangia dhe mospagimi i doganës dhe tatimit e kjo mundësohet nga politika. Andaj natyrisht se dihen nga organet e ndjekjes se kush nga politika është me këto kompani, mirëpo ata janë të fortë dhe pushteti nuk intervenon. Duket se tri shtyllat e pushtetit janë të involvuara në këtë veprimtari që ka sjell dhe krijon fitime të mëdha”, ka thënë më tutje Grapci.
Të investigohen lidhjet kriminale biznes-pushtet
Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për “Kosova Sot”, tha se duke qenë dëshmitar i fushatave dhjetëra milionëshe të subjekteve politike, po ashtu edhe të sjelljes në treg të kompanive të derivateve në formë oligarkike, pra me çmime të standardizuara, që në një ekonomi tregu nuk mund të ndodhë, po ashtu edhe rritja e vazhdueshme e çmimeve të derivateve pa asnjë shkas, ka vend për dyshime që këto biznese veprojnë pa u penguar nga askush duke prishur konkurrencën e lirë, por duke renduar jetën e qytetarit me çmime çdo ditë e më të shtrenjta, përkundër cilësisë së dobët të derivateve.”Tani është koha që të dëshmojë pavarësinë e vet drejtësia në vend, duke investiguar kompanitë në cilësi të derivateve, duke hulumtuar aferat për standardizim të çmimeve dhe aferat për shpëlarje ta parave po ashtu duke hulumtuar se kush qëndron pas tyre”, vlerësoi ai. Ndërsa, analisti Ragip Guraziu, për “Kosova Sot”, tha se edhe kryeministri Ramush Haradinaj është në hall, ngase nuk po mund t’i ndalojë veprimet e kontrabandës së vrazhdë në Kosovë. “Edhe pse mori një mesazh, kryeministri Haradinaj nga foltorja e Kuvendit, nga Xhavit Haliti, kishte qenë mirë, por kush i tha dhe kujt i tha kjo nuk do koment, ngase një fjalë popullore thotë:”Hajni hajnin nuk e kap'”, ka thënë ai. Guraziu pyet se si është e mundur që Prokuroria e Kosovës nuk ka hapur as edhe një rast të vetëm dhe të zbardhë atë që të gjithë e dinë se cilat figura të larta politike dhe shtetërore, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, qëndrojnë fshehtas prapa kompanive të mëdha të naftës në Kosovë.”Kjo heshtje e organeve të drejtësisë na tregon se në Kosovë shumica e kompanive të mëdha të naftës i kanë bashkë- aksionarë, gjegjësisht shefa, politikanët e nivelit të lartë, të cilët edhe 19 vjet pas luftës po vazhdojnë të udhëheqin këto kompani nën hije dhe të fitojnë për çdo vit nga disa dhjetëra miliona euro, duke e kontrolluar dhe mbajtur të zaptuar e të sunduar tregun e superkontrolluar , por me kontrabandë dhe pa të, si t’ua do zemra e xhepi dhe kontot e mbushura bankare në vend dhe sidomos jashtë vendit, në parajsa fiskale”, theksoi Guraziu.
(Kosova Sot)


