Ramadan Mehmeti: Drita e amshuar e artit vjen nga vendlindja
Bisedoi: Ajete Zogaj – “Gjilanin e kam pjesë të jetës. Në të i gjej gjurmët e fëmijërisë, gjej mallin e pashuar për çdo gjë të mirë që lidhet me botën time ndjenjore dhe shpirtërore, mendore dhe imagjinatave”- thotë ndër të tjera shkrimtari Ramadan Mehmeti.
I nderuar Ramadan Mehmeti, duke lexuar letërsinë tuaj, shpalosim më se 40 vepra letrare. Çka ju motivoj të kultivoni artin e fjalës?
Arti i fjalës e ka domethënien e vet simbolike që flet përmes gjuhës së figurave.
Poeti e shpalos botën e vet për ta gjetur kuptimin më të bukur që ka për jetën, për dashurinë, për fatin, për të ardhmen. Secili poet përpiqet ta gjejë shprehjen e vet të konsoliduar e cila e tregon natyrën dhe temperamentin e tij krijues.
Bota që na rrethon dhe në të cilën jetojmë është e mbushur me gjëra të dashura dhe të padashura, të çmuara dhe të paçmuara, të pranueshme dhe të papranueshme etj., prej nga mundohemi ta kuptojmë ekzistencën tonë dhe mënyrën se si të jetojmë të lumtur dhe pa brenga.
Poetët e shohin jetën të lumtur, por edhe çastet e dëshpërimit të saj. Vargjet e poetit gjithmonë synojnë të zgjojnë ndjenja dhe emocione që mbahen mend dhe të jenë me ndikim.
Mua më motivon nënqielli nën të cilin marr frymë dhe shkruaj. Aty e shpreh botën time krijuese, herë në vetminë time dhe herë në vetminë e të tjerëve dëshiroj ta shoh botën ndryshe, sipas frymëzimit tim.
Në një pjesë të madhe të krijimtarisë suaj vend të rëndësishëm zë Gjilani. Pse?
Dihet se letërsia është pjesë e jetës dhe duke qenë e tillë pashmangshëm, ajo është letërnjoftimi mbi ekzistencën e popullit dhe mjedisit nga vjen krijuesi. Brenda gjithë krijimtarisë sime letrare përmes veprave për fëmijë dhe për të rritur kam reflektuar lidhjen e fortë me Gjilanin, njerëzit dhe historinë e tyre.
Kam krijuar vepra që simbolikisht shprehin qëndresën shpirtin dhe botën e madhe atdhetare të gjilanasve për çështjet e mëdha kombëtare, për kulturën e traditën, të cilën mendoj se në vepra e kam ngre në kult. Kam shkruar për tragjedinë e vitit 1944, pra për gjenocidin që serbët kryen mbi shqiptarët.
Për mizoritë e serbëve në vargjet “Kali i Rexhës” nuk flet goja, por flet shpirti dhe zemra.
Gjilanin e kam pjesë të jetës. Në të i gjej gjurmët e fëmijërisë, gjej mallin e pashuar për çdo gjë të mirë që lidhet me botën time ndjenjore dhe shpirtërore, mendore dhe imagjinative. Thuhet se drita e amshuar e artit vjen nga vendlindja. Unë dhe Gjilani jemi një binom dhe, duke i kënduar me shpirtin e preokupimet e mia Gjilanit e njerëzve të tij, krijimtaria ime sikur bëhet më e natyrshme, më e fuqishme. Lidhja e fortë me Gjilanin më ka bërë që në krijimtarinë letrare atë ta bëj mit të paharruar. Them kështu ngase në veprat e mia Gjilani dhe historia e tij shihen e trajtohen me ndjenjën e mallit, me sytë e dhimbjes, me përjetim të mallit e zjarrit shpirtëror dhe këto ndrydhje shpirtërore mendoj se e plotësojnë njëra tjetrën.
Gjilani gjithmonë ma ka dhuruar frymëzimin për krijime me vlera të çmueshme letrare. Gjilani më bën krijues të papushtueshëm, dhe në gjithë veprat, Gjilanin dhe historinë e tij i bëj të fuqishme duke sjellë në qendër të vëmendjes dashurinë dhe dhembjen që ushqej për popullin e zemrën e çdo njeriu që frymon brenda Gjilanit. Pra, në veprat e mia jam kujdesur pashmangshëm që Gjilani të zë vend qendror. Gjilani, do të thosha, në veprat e mia është kënduar me ndjenjat m fisnike dhe kam bërë përpjekje që me peshën e pamatshme të fjalës t’i lartësoj virtytet dhe tiparet e njerëzve të tij. Pra, përmes krijimtarisë sime kam bërë përpjekje që Gjilanit t’i fali mitin e qytetit të dritës e të lavdisë.
Nëse gjithë veprimtaria e Agollit ka Itakën e vet Menkulasin, krijimtari ime letrare ka Gjilanin; ka kujtimet si thesar të shpirtit për idealet atdhetare të Mulla Idriz Gjilanit, të kreshnikut të Bjeshkëve të Karadakut, Idriz Seferit, për idetë dhe vlerat e shumta “zezonës” dhe nostalgjinë antike të Musa Ramadanit; për vlerat artistike, filozofinë dhe botën e veçantë krijuese e meditative të Beqir Musliut, për vargjet e Mirko Gashit “Ilan, ilan, na quanin asokohe në Gjilan” dhe në përgjithësi nga Gjilani kam marrë dhe vazhdoj të marr frymëzimin mbi atdhedashurinë, pastërtinë shpirtërore, shpirtin e madh të kohës, mbi heroizmin e qëndresën e popullit kundër stuhive të pushtuesve të shumtë.
Në fund, me modestinë më të madhe, them se në krijimtarinë time letrare Gjilani është pjesë e jetës dhe ëndrrave të mia sepse pikërisht duke bashkëjetuar me Gjilanin kam krijuar vargje spontane për emrin e nënës, për zemrat e të rinjve e të rejave, për bujqit e punëtorët, për bashkëmërgimtarët, për poetët zemërndritur si Ali Huruglica, Rexhep Elmazi, Muharrem Shahiqi, Halil Zejnullahu, etj.
Natyrisht, lidhjet e krijimtarisë sime me Gjilanin kanë rrënjët e thella dhe këto lidhje i kam bërë pjesë përbërëse të veprave të mia. Është e vërtetë se Gjilani shquhet për tradita të ndritshme kulturore e kombëtare dhe në fushën e krijimtarisë letrare dhe të kulturës në përgjithësi.
Këtë lidhje dhe këtë dashuri me Gjilanin dhe për Gjilanin asnjëherë nuk e kam bërë pa frymëzim dhe në mënyrë të fragmentarizuar, por e kam bërë me përjetim dhe përkushtim, sepse për këtë gjithmonë kam pasur parasysh thënien e bukur të Montenjit se: “Nuk mund t’i bashkojë pjesët ai që s’e ka përfytyrimin e tërësisë në kokë”. Ndjenjën shpirtërore dhe mendore e kam shkrirë në historinë dhe traditën e Gjilanit me një punë sistematike të organizuar e të planifikuar duke pasur parasysh të vërtetën se: “Artet i kapin më parë se fushat e tjera të aktivitetit intelektual ato dridhje e fshehta që e pushtojnë njeriun, botën e tij shpirtërore, rrjedhat akoma të padukura ideore, kahjet akoma të pazëshme të jetës dhe i artikulojnë kur më shpejtë e kur më ngadalë”.
Jeni autor që me sukses keni lëruar gjini të shumta letrare: poezi për të rritur, poezi për fëmijë, tregime, dramë, e prozë poetike. Ku e ndieni vetën më të realizuar?
Secila vepër e autorit që e shkruan është e rëndësishme. Rëndësinë e veprës më së miri e përcakton lexuesi. Pra, lexuesi është vlerësuesi më i mirë i veprës së autorit. Është e vërtetë se kam shkruar në disa lloje dhe në disa zhanre, që kur kam filluar krijimtarinë time e deri më tani. Jam munduar ta arrij qëllimin që kam synuar me artin tim poetik. Poezia, tregimet, drama, proza poetike etj., e kanë vlerën e vet nëse janë realizuar ashtu siç ka dashur autori.
Unë e ndiej veten më së miri pikërisht aty ku më së miri është realizuar frymëzimi im krijues, pra është realizuar misioni im. Megjithatë, do të dalloja dy veprat poetike të karakterit përkushtim për poetët e letërsisë shqipe: veprën poetike për Beqir Musliun dhe veprën poetike për Mirko Gashin. Këto dy vepra jo vetëm që janë poezi përkushtimi, por mendoj se vlerësuar më së miri, madje kanë pasur edhe disa ribotime të suksesshme.
Edhe për vepra të mia të tjera kam emocione kur flas për to, sepse të gjitha i konsideroj pronë timen shpirtërore.Krijimtaria është rrugë ku udhëton njeriu me mendjen dhe shpirtin e vet.
Një pjesë e madhe e krijimtarisë suaj i kushtohet fëmijëve. Si krijohet libri dhe në ç’kohë?
Libri im me poezi për fëmijë, psh: “Kur pikëllohen zogjtë” i cili është botuar në vitin 2007 përmban në vete poezi me tematikë të ndryshme. Në këtë libër jam përpjekur të trajtoj tema të historisë sonë kombëtare, lirisë por edhe tema që lidhen me kujtimet e fëmijërisë për dhembjen, pikëllimin, mungesën e më të dashurve, sic është elegjia për vëllanë apo edhe të portretizoj personazhe të ndryshme, që lidhen me botën e fëmijëve sic është p.sh. Blendi.
Libri im me poezi “Kur pikëllohen zogjtë” është shkruar pas luftës dhe natyrisht këtu kam trajtuar ato tema të cilat kanë për qëllim të ndriçojnë kujtesën tonë dhe pikërisht atë dritën që ka të bëjë për lirinë.
Për shembull në këto vargje të mia them:
Nëse për ardhmërinë mendoni
Kurr mos u nisni në mërgim të zi
Sepse pikëllohen zogjt e atdheut
Për dritë e liri
Pra, në librin tim “Kur pikëllohen zogjtë” unë kam bërë përpjekje që të trajtoj pikërisht këto dy tema: temën e fëmijërisë, që lidhet me fëmijërinë time në vendlindje dhe temën e mërgimit që lidhet me shumë fate të fëmijëve tanë që jetojnë jashtë atdheut.
Pse pikërisht ky titull?
Në poezinë time për fëmijë dhe të rritur zogjtë i kam poetizuar në forma dhe mënyra të ndryshme, duke synuar që mendimet dhe figurat, ku paraqitet bota ime shpirtërore, ndër të tjera shumë lidhen edhe me çastet apo momentet që kanë të bëjnë me zogjtë: si lëvizin ata në shpirtin tim, si bëhen të bukur, kur janë të shqetësuar, kur janë të pikëlluar, kur fluturojnë në hapësira të lira, kur dëgjohet cicërima e tyre etj. Pra, titulli i librit tim “Kur pikëllohen zogjtë” është shumë domethënës për të futur në poezinë time pikëllimin e tyre që të duket se është pikëllim imi apo i poetit, i cili e ka ndjenjën e vet të veçantë.
Çasti poetik, cili është ai?
Çasti poetik pra është pikëllimi i zogjve. Një moment që më është shtresuar në shpirtin tim. Mirëpo, këtë pikëllim jam munduar që ta paraqes sa më bindshëm, sa më të bukur, më të afërt për lexuesit e vegjël.
Megjithatë, unë kam shkruar edhe për gëzimin e zogjve, për lumturinë e tyre kur ata na ofrojnë ngrohtësinë apo kënaqësinë për t’i dashur edhe më tepër për të shkruar vargjet më të bukura për fluturimin apo cicërimën e tyre. Pra, zogjtë janë një nga burimet e frymëzimit tim. Zogjtë ma kujtojnë vendlindjen, fëmijërinë, botën e lojërave, të gjitha ato momente, që lidhen me frymëzimet e mia të para.
Ç’është poezia, vargu?
Çdo poet me vargjet e veta, me figura të ndryshme stilistike, me metafora dhe simbole përpiqet të ndërtoj botën e vet poetike.
Kjo botë ka fshehtësinë e saj të cilën poeti ia ofron lexuesit. Secili lexues e kupton poezinë në mënyrë të veçantë dhe poetët ëndërrojnë të jenë secili i veçantë.
Poezinë unë e ndjej shpirtërisht sepse përmes saj përpiqem të paraqes jo vetëm botën time shpirtërore por edhe një lloj realiteti, i cili po ashtu e ka botën e vet.
Unë poezinë dhe vargun tim e kuptoj ashtu siç e shkruaj.
Çdo ndjenjë dhe mendim imi, përmes poezisë, bartet tek lexuesit.
Fëmijët duhet të arsimohen, shkollohen që t’i kuptojnë ndjenjat dhe mendimet e poetëve.Poetët, secili në mënyrën e vet, e ofrojnë lexuesin drejt asaj bote që ata duhet t’i bëjë të lumtur për të kuptuar të ardhmen e tyre.
Poezia, pra, e ndërton një botë, ajo është bota e dashurisë për njëri-tjetrin.
A jeni të kënaqur me atë që e keni krijuar?
Secili poet, kushtimisht, duhet të jetë i kënaqur me atë që ka shkruar. Megjithatë, secili mundohet që të arrijë sa më shumë, duke pasur qëllim për t’u ngjitur në maje të krijimtarisë letrare.
Unë, për vete, kur botoj librin tim të ri, çdoherë ndjej një kënaqësi të veçantë.
Atëherë jam më i lumtur, atëherë jam më i gëzuar.
Jeni editor i Sh.B. “Rozafa” e cila tani e sa vite vazhdon me sukses veprimtarinë e saj botuese. Sa ia keni arritur që t’i plotësoni pritjet e lexuesve?
Shtëpia botuese Rozafa është formuar në vitin 1998, mirëpo aktivitetin e vet kryesor e ka zhvilluar që nga viti 1999 dhe deri më tani ka botuar më se 500 tituj të zhanreve dhe të llojeve të ndryshëm nga fusha e poezisë, prozës, kritikës, dramës, përkthimit, publicistikës etj. Në këtë shtëpi botuese kanë botuar autorë të rinj dhe autorë të njohur të letërsisë shqipe në Kosovë si p.sh. Akademik Mark Krasniqi, Rifat Kukaj, Zekeria Cana, Isak Shema, Milazim Krasniqi, Mehmet Kraja, Ali Podrimja, Sheremet Krasniqi, Emin Kabashi, Ibrahim Berisha, Liman Matoshi, Ymer Elshani, Faik Shkodra, Prend Buzhala, Nysret Krasniqi, Syle Ukshini , Ragip Sylaj, Ibrahim Kadriu, Ibrahim Ibishi, e shumë emra të tjerë. Po ashtu janë botuar dhe përkthyer edhe antologji si p.sh.“Një gur i çarë”, sprovë antologjike për Kosovën të përgatitur nga Ali Podrimja dhe e njëjta është përkthyer edhe në gjuhën gjermane “A SPLIT STONE”, pastaj “Eni vjen prej Camerie”. Gjithashtu janë botuar edhe antologji të ndryshme dhe sidomos duhet veçuar librat për Nënë Terezën “Mësomë të dua” shqip, anglisht dhe në gjuhën gjermane, etj. Mirëpo këtu, në shtëpinë botuese, janë botuar edhe autorë të ndryshëm , p.sh. polakë, norvegjezë, gjermanë etj. Libri “Shqipëria” të Christine von Kohl; “Ballkani” VVolfgang Libal dhe Christine von Kohl; Johann G. von Hahn “Nëpër viset e Drinit dhe të Vardarit”.Megjithatë, synojmë që në vazhdimësi të kemi edhe vepra të tjera me interes, për të cilat jemi në gjendje gatishmërie që t’I botojmë pa hezitim.
Në cilat panaire të librit deri më tash keni marrë pjesë dhe si janë pritur botimet e “Rozafës” nga të interesuarit?
Shtëpia Botuese “Rozafa”, që nga themelimi i saj e deri më tash ka marrë pjesë në shumë panaire në Kosovë dhe jashtë vendit.Duhet veçuar sidomos panairet që janë mbajtur në Frankfurt dhe botimet e kësaj shtëpie botuese janë pritur mjaft mirë nga të interesuarit.Pjesëmarrja nëpër panaire ka më shumë rolin e kontaktit ndërmjet botuesve dhe shkrimtarëve dhe natyrisht këto kontakte kanë treguar rezultate në shumë fushë të bashkëpunimit të ndërsjellë. Por, kujtoj se lypset të kemi edhe numër më të madh panairesh, ku do të shtonim numrin e lexuesve, përkatësisht blerësve të librit. Në këtë mënyrë do ta kryenim ne misionin tonë si shtëpi botuese.
Cilat veprimtari tjera zhvillon “Rozafa” (lidhur me promovime, takime letrare, pasurimi i bibliotekave nëpër Kosovë me botime tuaja) e të të tjerëve?
Shtëpia botuese “Rozafa” ka organizuar shumë promovime, takime letrare si dhe ka kontribuar duke dhuruar mjaft libra në disa biblioteka shkollore dhe publike të Kosovës. Ka organizuar mjaft takime me shkrimtarë dhe gjithashtu ka pasur edhe disa projekte me interes në disa nga shkollat e Kosovës, sidomos në rajonin e Gjakovës, Drenicës, Pejës, ku ka pasur shumë dëme nga lufta.
Keni botuar edhe libra nga autorë të jashtëm, kryesisht nga Norvegjia. Na i shkëputni disa momente bashkëpunimi. Çfarë formash të bashkëpunimit sugjeroni në këtë plan me botën e jashtme? Po autorë nga Kosova, sa prezantohen jashtë?
ShB “Rozafa” bashkëpunon me institucione të shumta edhe jashtë vendit. Duhet përmendur bashkëpunimin me Norvegjinë, ku janë realizuar disa projekte të librave të ilustruar për fëmijë, norvegjisht – shqip, ku ka pasur një konkurs publik dhe janë botuar tetë vepra të autorëve kosovarë dhe të gjitha librat e botuar në “Rozafë” janë shpërndarë falas nëpër shumë shkolla fillore të Kosovës. Gjithashtu viteve të fundit kemi zhvilluar disa projekte shumë të suksesshme me botimin e librave: “Politika dhe demokracia”, autorë Kval – Mellbye – Tranoy, “Spektri”, autorë Leiv Mjeldheim, Solvi Lillejord, Erik Solvberg, autorë norvegjezë, si dhe kohëve të fundit nga fusha e filozofisë politike është botuar libri “Filozofia politike” e autorëve Raino Malnes / Knut Midgaard, profesor në shkencat politike në Oslo dhe z. Knut Midgaard me përkthim të z. Ermir Pulahës, sipas projektit “Populli ndihmon popullin”, në udhëheqje të z. Astrid Megard Sollid, të cilët erdhën tek ne në Kosovë dhe mbajtën disa ligjërata si në Fakultetin Juridik, Fakultetin Filozofik dhe në Fakultetin Mbretëror “Iliria” në Prishtinë. Këta libra jo vetëm që janë botuar në “Rozafa”, por njëherit është bërë përurimi I tyre, ku kanë marrë pjesë autorët e te, por është organizuar edhe qasje me recensione nga njerëzit autoritative, ekspertë të tyre profesionale. Këta libra janë pritur shumë mirë nga lexuesit e shtresave të ndryshme në Kosovë. Bashkëpunime të tilla janë me interes për lexuesit e të gjitha niveleve të shkollimit në Kosovë, meqë ne iu ofrojmë libra me interes të madh si për nxënësit, studentët dhe njerëzit e shkencës.
Vlen të theksohet se disa nga autorët tanë, që kanë botuar në SHB “Rozafa” janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera si: anglisht, gjermanisht, rumunisht, polonisht dhe maqedonisht. Gjithashtu, në të ardhmen, presim që të kemi edhe një bashkëpunim më të begatë në këtë drejtim.
Çfarë është bashkëpunimi në mes botuesve nga Kosova e Shqipëria, si dhe me botues të tjerë shqiptarë, si në Maqedoni, Mal të Zi, diasporë etj?
Ekzistojnë forma të ndryshme bashkëpunimi. Panairet janë një nga format që mund të kontribuojnë në bashkëpunim më të frytshëm ndërmjet botuesve shqiptarë, pa marrë parasysh se ku veprojnë, mirëpo duhet të ketë më shumë kontakte dhe forma të tjera bashkëpunimi, qoftë edhe në fushën e botimit apo në projekte të përbashkëta me interes reciprok. Një formë e bashkëpunimit, me siguri, do të sjellte rezultate shumë më të mëdha. Kjo do të arrihej po qe se do të jetësohej një këshill botues i përbashkët në të gjitha viset shqiptare.
Sa e ndihmojnë institucionet qeveritare e qendrore e komunale botimin e librit? Çka sugjeroni se duhet të bëhet në këtë plan?
Ka pak fonde për botimet e veprave, prandaj duhet kërkuar edhe forma të sponsorimit, pos nga institucionet qeveritare edhe nga donatorë të ndryshëm, të cilët e duan dhe e ndihmojnë librin. Në këtë drejtim sigurisht që duhet të punohet më shumë dhe të ketë përkrahje më të madhe për shkrimtarët dhe botuesit në mënyrë që të krijohen kushte sa më të mira për afirmimin e librit. Vetëm në këtë mënyrë do të bënim punë me vend dhe me mend, sepse duke e ndihmuar botimin e librit, faktikisht e ndihmojmë popullin, i cili mbase lypset jo vetëm të edukohet por edhe të arsimohet në shkallë më të lartë. Kështu do të krijohet e kultivohet tradita për kujdesin, rëndësinë dhe vlerën e librit, për të cilin duhet të dimë se sitë ndihmohet nga të gjithë ne.
Shtëpia botuese “Rozafa” shpesh sponsorizohet nga Ministria e Kulturës, Rinis dhe Sporteve, zhanre të ndryshme, të cilët janë financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Kosovë. Format e sponsorimit mund të kenë efekt jo vetëm tek shkrimtarët dhe botuesit por edhe tek lexuesit. Një praktikë e tillë është e mirëseardhur nga të gjithë dashamirët e librit në Kosovë dhe më gjerë.
Libri botohet për t’u lexuar. Është leximi në krizë? Si të tejkalohet kjo gjendje?
Ndoshta duhet krijuar ndonjë mundësi më e mirë që të dihet se sa lexohet libri në Kosovë. Këto mundësi mund të jenë më objektive nëse dihen shifrat e sakta se sa lexohet libri në Kosovë, kush lexon më shumë e kush më pak. Mund të bëhen anketa dhe të dihet se cili libër lexohet më shumë, por besoj se çdo libër i mirë e ka edhe lexuesin e vet. Këtë po e dëshmojnë më së miri titujt e veprave të botuara nga shtëpia jonë botuese, ku paraqiten kërkesa të shumta nga vetë autorët dhe vetë lexuesit të mirëfilltë, të cilët vazhdimisht interesohen që t’i kenë librat tanë në bibliotekat e tyre personale. Me këtë mund të themi se libri lexohet, kuptohet nga një shtresë e caktuar njerëzish, të cilët dinë se cka të lexojnë. Megjithatë, brengos fakti se në shkolla posaçërisht në shkolla fillore dhe të mesme lexohet më pak. Kjo jep të kuptohet nga vetë suksesi apo mossuksesi i nxënësve, për të cilin ankohen arsimtarët e tyre, por në të vërtetë arsimtarët tanë do të duhej që t’i angazhojnë nxënësit se sit ë nxënë mësime nga librat me vlera të mirëfillta. Pra, libri gjithsesi vendin e tij nuk e ka vetëm në librari për t’u ekspozuar, por ai lypset domosdo të jetë në bibliotekat e shkollave tona, ku nxënësit dhe studentët t’i kenë në dispozicion të përhershëm. Në këtë drejtim SHB “Rozafa” qyshse ka filluar të botojë libra të tillë sa e sa biblioteka shkollore po e kryejnë funksionin e tyre. Pa marrë parasysh të arriturat teknologjike, tek ne dhe kudo tjetër në botë, libri është burim i pazëvendësueshëm, prandaj atë assesi nuk mund t’a zëvendësojë radioja, televizioni, filmi dhe as interneti. Pra, libri ishte, është dhe do të mbetet përherë burim I dijes që nuk mund të zëvendësohet me asgjë.
Për fund, bibliotekës së Gjilanit ia keni dhuruar bibliotekën e juaj personale, pse?
Të gjithë krijuesit letrarë kudo në botë, ëndërrojnë që librat e tyre t’i kenë në bibliotekë. Sot e ndiej veten të gëzuar e të lumtur shumëfish.
Biblioteka e Gjilanit, për mua është simbol jo vetëm i diturisë dhe i leximit, po edhe i kujtesës sonë kulturore, historike dhe letrare. Prandaj, biblioteka ime modeste e ndiej që ka dalur nga një përdorim personal i leximit dhe i jepet dhuratë leximit publik.
Shkrimtari ka dëshirë që emri i tij të jetë i shumëzuar, i strehuar dhe i ruajtur nëpër krijime dhe nëpër libra, e vendi më i shenjtë i këtij përjetësimi të librit është biblioteka.
Një bibliotekë e krijuar është një jetë e tërë e shkrimtarit. Dhe më duket sikur shkrimtari i kësaj ane, i ka borxh Gjilanit që ta dhurojë plotësisht jetën e tij, ta dhurojë vetveten, nëpërmes një biblioteke edhe në këtë mënyrë. E konsideroj këtë dhurim si betejë timen modeste për triumfin e librit, leximit, dijes dhe krijimit.
Kujtesa e literaturës është memorie e shpirtit dhe e shfletimit të një universi të tërë. Ky univers e ka vendin e saj në leximin e saj publik.
Jam i vetëdijshëm që kundruall epokës së zhvilluar digjitale, si dhe përballë miliona organizimeve informative, i takon edhe bibliotekës që “të angazhohet” si një “firmë informative”.
Epoka digjitale duket që po e rrezikon librin fizik. Por jo: biblioteka e tillë ende është qendër leximi e informimi, studimi e mësimi.
Sado që bota po transformohet nëpërmes digjitalizimit, te biblioteka klasike gjenerata jonë e lëmë trashëgim shpirtin tonë.
Dhe këtë trashëgim le ta kenë pronë të tyre brezat që vijnë.
Uroj që Biblioteka e Gjilanit ta pasurojë fondin e saj dhe ta bëjë gjithnjë e më të pasur historinë e kësaj ane, si histori të dijes e të trashëgimisë kulturore, diturore./rajonipress/

