Sovrani do ta rrëzojë oligarkinë në vjeshtë
Goditja e parë u dha më 11 qershor. Zhgënjimi i madh qytetar me këtë klasën politike që mashtroi për 18 vjet rresht dhe tani po rrezikon edhe me shkatërrimin e themeleve të këtij shteti, në kërkim të një kursi të ri politik, i cili mund të jetë edhe anarkik, sipas analistëve, është fakt që u dëshmua edhe në zgjedhjet e 11 qershorit, duke i dhënë ndëshkimin e parë dhe mjaft serioz lidershipit të deritanishëm të tejkonsumuar dhe tejinkriminuar.
Analistët presin që edhe në zgjedhjet e reja lokale të 22 tetorit do të ndodhë edhe ndëshkimi i radhës, akoma edhe më serioz dhe më goditës me votën e gjerë qytetare që do t’i adresohet ndaj kësaj klase politike.
Analisti politik Gani Qarri, vlerëson se Qytetari i Kosovës është aq i zhgënjyer me kastën aktuale politike, e cila pa fije turpi e keqpërdori dhe mashtroi atë pareshtur për 18 vjet me radhë, saqë nuk po gjen formë dhe mënyrë që t’i dënojë sa dhe si duhet dhe në përmasat që ata kaherë e kanë merituar. “Vendosmëria e sovranit u dëshmua më së miri në zgjedhjet e 11 qershorit, kur votuesi i dëshpëruar i dha goditjen e parë të fortë dhe mjaft serioze lidershipit të kriminalizuar, jo vetëm të dyshimtë e të tejkonsumuar, por edhe mafioz e të tejinkriminuar, në të gjitha segmentet. E nëse nisemi nga shembulli i zgjedhjeve të sapombajtura parlamentare, ndëshkimi i radhës nga votuesit e vetëdijesuar, posaçërisht në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, duhet të jetë edhe më i rëndë e vendimtar dhe këtë në të gjitha komunat pa dallim”, tha Qarri për “Kosova Sot”.
Politika përçarëse dhe konfliktuoze
Analisti Faton Mehmeti pohon se partitë shqiptare nuk kanë promovuar demokraci, por më shumë paqëndrueshmëri, konflikte, përçaje, zhgënjim dhe mosbesim dhe kjo është shpërblyer me ndëshkimin qytetar. “Ato janë infektuar rëndë nga oligarkia elitare e egoizmit negativ, luftës për pushtet dhe sidomos nga korrupsioni. Prandaj qytetarët e kanë ndëshkuar këtë establishment politik, pikërisht për shkak të dëshpërimit që morën nga ata që iu besuan. Ka ardhur koha për ndërgjegjësim dhe zgjim nga letargjia dhe apatia të shkaktuara prej opiumit mashtrues, të pabesë, manipulativ, hipokrit dhe korruptiv të politikës të elitës së derisotme të partive politike, të cilat janë armike dhe përjashtuese të intelektualizmit, profesionalizmit, ndershmërisë”, tha Faton Mehmeti për “Kosova Sot”.
Ndërsa sipas analistit Blerim Burjani, Kosova mund të shkoj përpara ndryshimeve të paparashikueshme në të ardhmen si rezultat i një qeverisje personale dhe vullneteve partiake pa përfillë interesin qytetar. “Shtetin e presin ndryshime plotë- sisht të tjera dhe kjo skenë politike me kalimin e kohës komplet do të humbë besimin, duke përfshirë të gjitha këto parti aktuale, të cilat krekosen dhe shtyhen ndërmjet veti kush kënd po e mund, e realisht të gjitha se bashku kanë mundur qytetarin”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot”.
Qytetarët e lodhur nga mashtrimi
Njohësi i rrethanave të deritashme politike, analisti Florim Zeqa, thotë se klasa politike kosovare, e cila për 18 vjet rresht e mbisundoi skenën politike kosovare përmes maskaradave zgjedhore dhe mashtroi qytetarët e vendit në emër të zhvillimit ekonomik, mirëqenies dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve drejt vendeve të BEsë, tani po fillon të ndëshkohet nga qytetari i mashtruar. “Kjo klasë kusarësh politikë, duke e parë fundin e tyre në skenën politike, kanë dalë në kërkim të një kursi të ri politik, i cili shumë lehtë mund të shndërrohet në anarki për vendin, gjë e cila u dëshmua edhe me zgjedhjet e 11 qershorit, në të cilat u ndëshkua seriozisht lidershipi i deritanishëm, sa i konsumuar po aq edhe i tejinkriminuar politik”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot”. Ndëshkimi i klasës aktuale politike kësaj radhe u realizua në dy rrafshe; atë të ndëshkimit me votë dhe të mos daljes fare në zgjedhje. Kur kësaj i shtohet edhe argumenti i mbi 52 mijë votave të pavlefshme, atëherë këtu kemi të bëjmë me shkallën mjaft të lartë të alarmit të pakënaqësisë në mesin e popullatës. Kjo tregon qartë se këta politikanë mashtrues dhe hipokritë i kanë ardhur popullit deri në “maje të hundës”. Kjo klasë e korruptuar politike, përveçse e neveritshme për qytetarët, është shndërruar në sindrom kancerogjen për shtetin e Kosovës, të cilin tashmë e ka sjellë buzë greminës”, potencoi Florim Zeqa.
Goditja e radhës, edhe më e rëndë
Analisti Ragip Guraziu thotë se është e pritshme që në zgjedhjet vijuese ndëshkimi i politikës nga qytetari të jetë edhe më i rëndë, ngase, sipas tij, lidershipi politik kosovar në këto zgjedhjet të 11 qershorit ra si peshku që bie në grepin e peshkatarit.”Një lidership i një shteti që nuk ka mundur t’i dalë zot lapsit nuk mundet t’i dalë zot as qytetarit dhe as pavarësimit të shtetit të cilën e udhëheq. Klasa politike e Kosovës që na udhëhoqi për 18 vjet do të marrë një ‘grusht’ të rëndë edhe në zgjedhjet lokale të këtij viti që do të mbahen më 22 tetor”, është shprehur ai.”18 vjet zhgënjim, 18 vjet mashtrim, duke shkatërruar edhe themelet e këtij shteti, që kjo u dëshmua edhe në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, kjo anarki politike e këtij lidershipi të deritanishëm pritet edhe më 22 tetor në zgjedhjet lokale të këtij viti, do të marrë një ‘grusht’ të rëndë edhe nga të gjithave komunat ku kemi të bëjmë me një klasë politike, kriminale, korruptive etj., që tani i doli edhe ngjyra. Dhe me një popull që ka Kosova, që tani është zgjuar nga ëndrrat e premtimeve boshe dhe një ”grusht’ i rëndë, që meritojnë të godasë mu në vendin e duhur që të mos mund të lëvizin më”, tha Guraziu për “Kosova Sot”.
Ndërsa, sipas analistit Ali Hertica, zhgënjimet e qytetarit thuajse tani e 18 vjet nuk kanë të ndalur, por kulmi arriti në zgjedhjet e 11 qershorit, mbase për t’u finalizuar në zgjedhjet lokale të vjeshtës së hershme.”Kjo ishte një goditje historike që ua dhanë atyre me sy të kuq, por kjo goditje do të jetë edhe më e rëndë më 22 tetor, kur do t’u jepet goditja tjetër, kur do të përdhosen përfundimisht këta skenaristë të politikës dështake që kurrë nuk e vlerë- suan qytetarin, edhe pse ishte e pritshme që një ditë qytetari do të vetëdijesohet për të bërat e tyre”, ka pohuar Hertica për “Kosova Sot”.


