Heqje vizash për qytetarët, ndëshkim pushtetarëve të inkriminuar
Në muajin e ardhshëm, mesin e qershorit, Komisioni Evropian pritet të dalë me raport për çështjen e liberalizimit të vizave me Kosovën. Mirëpo, analistët politikë dhe qytetarët mbesin shumë skeptikë që më në fund Kosova do të marrë përgjigjen pozitive dhe të dalë nga izolimi, duke marrë datën për liberalizimin e vizave, në mënyrë që liria e lëvizjes të sigurohet së paku deri në fund të këtij viti.
Ky skepticizëm është i madh, pasi që Bashkimi Evropian po pret nga institucionet vendore dëshmi të fuqishme në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, në mënyrë që të përmbushet edhe kriteri i fundit i mbetur për liberalizim të vizave me Kosovën. Pra, BE-ja kërkon veprime konkrete, dëshmi të prekshme të luftës kundër krimit e korrupsionit, mirëpo deri më tash akoma nuk po shihen veprimet e besueshme, prandaj edhe BE-ja mund të japë një përgjigje të radhës negative, si pasojë e kësaj klase politike, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, ku të gjitha partitë politike, pa asnjë dallim, janë të zhytura në krim të organizuar. Analistët megjithatë theksojnë se tani është koha që BE-ja duhet dhënë liberalizimin e vizave për qytetarët, ndërkaq të dënojë dhe të flasë hapur me emra se kush janë pushtetarët e inkriminuar, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, dhe t`i bëjë thirrje e ultimatum Prokurorisë Speciale të vendit që të kryejë punën në zbatim të ligjit, për çka edhe paguhen nga buxheti i tatimpaguesve kosovarë.
Burjani: Kërkohen aktgjykime të prera për të dënuarit
Profesor Blerim Burjani thotë se tani është fakt i ditur dhe i pamohueshëm që institucionet nuk po e kryejnë punën e tyre, por mbetet një fije shprese që BE-ja këtë herë t’i shpërblejë qytetarët e Kosovës dhe të fillojë të merret më ashpërsisht me njerëzit e politikës.”Do të ishte shumë pozitive që të ndodhë liberalizimi i vizave për shkak të qytetarëve, sidomos për të rinjtë dhe të moshuarit që kanë familjarë në shtetet e shumta perëndimore, është mjaft vështirë të thuhet se Kosova ka përmbushur kushtin e fundit për liberalizim të vizave. Kjo klasë politike e ka marrë në qafë popullin, siç thuhet në gjuhën popullore. Tani delegacioni i BE-së, që ishte në Kosovë, nuk kishte gjetur fakte të mjaftueshme dhe bindëse pas vizitës që u janë bërë shumë institucioneve të shtetit, prandaj duket se jemi larg prej zhvillimeve normale. KE-ja ka bërë një pasqyrë të veçantë dhe të përgjithshme për luftimin e korrupsionit, ka kërkuar shumë dokumente dhe fakte për numrin e personave të dënuar me formë të prerë të aktgjykimit për rastet e shumta, si “Toka”, “Stenta”, “Medikus”, raporte të përgjithshme pastaj për punën apo performancën e organeve të rendit, pastaj gatishmërinë e prokurorisë dhe gjyqtarëve për t’u marrë me rastet, si dhe në fund edhe gatishmërinë e institucioneve për të luftuar krimin nga spektri qeveritar”, është shprehur Burjani për gazetën “Kosova Sot”.
Ai shton se na ka mbetur të shpresojmë se do të hasim në mirëkuptim si popull apo qytetar që të na bëhet liberalizimi i vizave.”Komisioni Evropian, SHBAja e Britania, duhen marrë masa ndaj njerëzve që thuhet se merren me politikë, të cilët janë përfshirë në biznese dhe janë pasuruar pa bazë. Ndaj tyre të vendosen sanksione e jo të sanksionohen qytetarët e Kosovës me mosliberalizim, të cilët nuk janë përgjegjës, por këta njerëz që udhëheqin shtetin. Prandaj, unë mendoj se BE-ja ka gabuar dhe gabohet po të mos i liberalizojë vizat për qytetarët, por le të marrë masa sanksionuese ndaj individëve të politikës që e kanë sjellë shtetin deri këtu”, theksoi analisti Blerim Burjani për “Kosova Sot”.
Analisti politik, Ragip Guraziu, vlerëson se Bashkimi Evropian po pret nga institucionet vendore dëshmi të fuqishme në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe ky kusht është piramida e të gjitha kritereve të parashtruara në këtë pako, por që pikërisht ky nuk po realizohet. “Bashkimi Evropian po pret nga institucionet vendore dëshmi të fuqishme në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, në mënyrë që të përmbushet edhe kriteri i fundit i mbetur për liberalizim të vizave me Kosovën. Sikur që po pritet, muajin e ardhshëm Komisioni Evropian pritet të dalë me raport për çështjen e liberalizimit të vizave me Kosovën. Por shtrohet pyetja çfarë dëshmish mund të presë BE-ja nga kjo klasë politike e inkriminuar dhe korruptuar, si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal, kur të gjitha partitë politike që kanë nga një dorë pushteti qeverisës, pa asnjë dallim, janë të inkriminuara thellë në krim të organizuar dhe nuk i dorëzojnë para drejtësisë hajnat e tyre”, është shprehur Guraziu për gazetën “Kosova Sot”.
KELMENDI: POLITIKANËT, UDHËHEQËSIT E POLICISË, PROKURORËT, GJYQTARËT, FIRMAT PUBLIKE DHE QEVERITË LOKALE, JANË VËNË NË SHËRBIM TË MAFISË EKONOMIKE
Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se në kuadër të punës dhe të nxjerrjes së vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës kanë luajtur rol të madh dy faktorë, që sipas tij njëri është theksuar vazhdimisht, kinse Demarkacioni, ndërsa tjetri, që është edhe vendimtar, nuk po përmendet që është luftimi i krimit dhe korrupsionit.”Dua fillimisht të bëj të qartë se demarkacioni ka qenë dhe ka mbetur si kusht i imponuar nga Thaçi dhe Mustafa. Mbi atë përcaktim të këtij tandemi BE-ja e futi Demarkacionin dhe tash po shihet se thjesht ka qenë një lojë politike e këtyre dhe e ndërkombëtarëve. Në fakt dy janë çështjet kryesore: 1. Nëpërmjet Kosovës BE-ja po tenton ta ndajë Serbinë nga Rusia, gjë që ka bërë që mos të kemi liberalizim dhe as status të kandidatit. Krejt kjo do të vazhdojë, nëse jo për liberalizim të vizave, statusi i kandidatit pa e realizuar BE-ja qëllimin ndaj Serbisë, nëse edhe shkatërrohet Republika, Kosova nuk e fiton statusin e kandidatit, sepse me Kosovën BE-ja po bën presion mbi Serbinë dhe Kosova po humb, kryesisht me pikësynimet e BE-së që edhe tokë të i jepet Serbisë nga ana e Kosovës, vetëm e vetëm që të ndahet nga Rusia shoviniste. 2. Janë krimi dhe korrupsioni nga politikanët, udhëheqësit e policisë, prokurorët, gjyqtarët, firmat publike dhe qeveritë lokale, të cilat janë vënë në shërbim të mafisë ekonomike dhe të oligarkëve në Kosovë. Kjo dukuri mund dhe duhet të luftohet. Lufta është e suksesshme vetëm duke i kapur të korruptuarit dhe kriminelët, të cilët kurrë, e përsëris, kurrë pa e kapur klikën e Hashim Thaçit nuk mund të luftohet. Në nivelin e tillë e kemi kriminalitetin ekonomik dhe politik. Dhe, mu këtë kriminalitet është duke e shfrytëzuar BE-ja, Thaçin, sepse me të në udhëheqje të delegacionit në raporte me shtetin serb Republika e pëson dhe BE-ja i realizon pikësynimet e veta në kënaqjen e epsheve shoviniste serbe mbi tokat shqiptare”, theksoi profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot” .
BADALLAJ:LUFTIMI I KORRUPSIONIT NË KOSOVË ËSHTË NËN ZERO!
Analisti Reshat Badallaj thotë se personalisht mendon që do të jetë shumë vështirë të pritet vendim pozitiv për vizat në muajin qershor, sepse, sipas tij, për të besuar duhet fakte konkrete: “E para, luftimi i korrupsionit në Kosovë është nën zero dhe janë të vetëdijshëm ata se korrupsioni është evident në Kosovë dhe atë deri në fyt, qoftë në nivelin qendror dhe atë lokal. Komisioni Evropian është shumë i vetëdijshëm për këtë punë dhe se e di se korrupsioni është pikërisht që nga majat e shtetit dhe organet e larta të saj qoftë në Qeverinë kuislinge, në Kuvendin kukull dhe në bandat politike. Pra, vështirë se mund të luftohet korrupsioni. Edhe po filloi luftimi i kësaj murtaje të zezë, atëherë do të duhej kështu: Duhet drejtuar burgut që nga Presidenca e deri te i fundit, më i vogli, qoftë edhe deri te portieri që ruan te dera dhe këta të pafytyrë, hajna, banditë, dilenxhinj, nuk e bëjnë ketë. Dhe, se personalisht më duket shumë e vështirë se nuk u besoj fare gënjeshtrave të kryebanditëve dhe banditëve të bandave politike, sepse historia e tyre ka dëshmuar se kanë mashtruar popullin, kanë gënjyer vetëm për interesa të tyre personale e karrieriste që të rrijë rehat dhe të mos trazohet”, theksoi analisti Reshat Badallaj për “Kosova Sot”.
ISLAMI: ATA QË JANË TË INKRIMINUAR VETË NË KORRUPSION NUK KANË SE SI TA LUFTOJNË KORRUPSIONIN
Vendim politik pozitiv për të zhbllokuar qytetarët mund të jetë vendimi për liberalizim edhe sipas profesor Avni Islamit, por jo vendim pozitiv i bazuar në rezultatet e sundimit të ligjit.”Një nga kushtet që duhet t’i plotësojë Kosova për liberalizim të vizave është edhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Uroj që ky kusht të vazhdojë deri sa të duken jo vetëm rezultatet e para, por në ç’rrënjosjen e kësaj dukurie që po e shkatërron vendin tonë. Mendoj se kjo sëmundje i ka përfshirë shumicën e institucioneve të vendit dhe se vështirë është të lirohen për një kohë të shkurtër. Komisioni Evropian mund të vijë e të japë edhe vlerësim pozitiv, por gjenda faktike është se nuk është duke u luftuar sa duhet. Ata që janë të inkriminuar vetë në korrupsion nuk ka se si ta luftojnë korrupsionin”, është shprehur Islami për gazetën “Kosova Sot”. Ai shton se nëse jepet vlerësim pozitiv, atëherë kjo do të jetë vetëm një veprim politik i Komisionit Evropian.
ALIU: A THUA ÇFARË DËSHMISH MUND TË PRESË BE-JA NGA KJO KLASË POLITIKE, KUR DIHET SE TË GJITHË JANË TË INKRIMINUAR NË KRIMIN E ORGANIZUAR?
Analisti Bislim Aliu thotë për gazetën “Kosova Sot” se është fakt që të gjithë qytetarët po e presin me padurim mesin e qershorit për të parë nëse do të plotësohet edhe ky premtim i radhës nga politikanët që po e qeverisin vendin, rreth vizave, apo do të jetë mashtrimi i radhës që do t’u kthehet atyre për t’i ndëshkuar. Sipas Aliut, rreth kësaj teme ekziston një pikëpyetje e madhe dhe as optimistët më të mëdhenj nuk mund të presin vendim pozitiv. “Me padurim po pritet që në muajin e ardhshëm Komisioni Evropian pritet që të dalë me raport për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ndaj, Bashkimi Evropian po kërkon nga institucionet vendore dëshmi të fuqishme në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, në mënyrë që të përmbushet edhe kriteri i fundit që ka mbetur për liberalizimin e vizave për Kosovën. Mirëpo, tash për tash, po shohim vetëm disa inskenime joserioze, nuk po shohim veprime konkrete, prandaj edhe mbetemi duke pyetur veten…a thua çfarë dëshmish mund të presë BE-ja nga kjo klasë politike, kur dihet se të gjitha partitë varg e vijë janë të inkriminuara thellësisht në krimin e organizuar? Çfarë dëshmish mund të presë BE-ja kur nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve, bashkë me pushtetarët e inkriminuar, në të dyja nivelet, e kanë në dorë sistemin e drejtësisë dhe çdo rast i korrupsionit në gjykatë kryesisht po del të përfundojë i pafajshëm, pasi që e tëra është bërë me skenar të krimit të organizuar? Përfundimisht do të duhej që BE-ja ta ndërrojë strategjinë e veprimit me këtë kastë politike të papërgjegjshme, të japë liberalizimin e vizave për qytetarët, ndërkaq të dënojë, por edhe të flasë hapur se kush janë pushtetarët e inkriminuar dhe t’i bëjë thirrje ultimative Prokurorisë Speciale të vendit, në mënyrë që të veprohet pa hezitim, sipas ligjit. Të ndiqen dhe të ndëshkohen të gjithë të inkriminuarit që dihen me emër e mbiemër, sepse për atë paguhen institucionet e drejtësisë nga buxheti i taksapaguesve kosovarë.”, theksoi analisti Bislim Aliu.
Qytetarët, të bindur se do të vazhdojë izolimi
Rreth kësaj pritje, gazeta ka anketuar edhe qytetarë të vendit, por ata nuk presin që në muajin qershor ta kemi sinjalin pozitiv për heqjen e vizave. I riu Valdrin Krasniqi për “Kosova Sot” thotë se pritjet gjithmonë janë me njëfarë shprese të vogël, por realiteti vazhdimisht na ka dëshmuar në fund se pa i plotësuar detyrat nuk ka “shpërblim”.”Realisht pritjet janë gjithmonë pozitive, por duke pasur parasysh vazhdimisht se qysh kanë vazhduar proceset, nuk besoj që do të ketë ndonjë rezultat në favor të qytetarëve. Kërkesat janë të qarta pa u ndaluar korrupsioni dhe për të punuar në mënyrë më korrekte në të ardhmen nga institucionet e Kosovës nuk ka liberalizim”, është shprehur ai. Shton se izolimi i politikës duhet të bëhet jo vetëm për atë pse nuk po punojnë më seriozisht në plotësimin e të gjitha kushteve për vizave, por kjo duhet të ndodhë për secilën kërkesë të qytetarëve. Po aq pesimist është edhe qytetari Ismet Xhoni.”Kjo nuk është çështje që shkon apo ndodh me ndonjë optimizëm, por kjo është gjendje e realitetit tonë, që nuk po jep shenja që nesër ose pasnesër kemi për të pasur liberalizimin e vizave. BE-ja ka kërkuar edhe Demarkacionin kinse, por dihet që kjo nuk është e vërtetë, është çështja e korrupsionit pengesa kryesore dhe pikë. Një vend në të cilin vlon korrupsioni si do ai vend për të shkuar në Evropë, si do të ecë përpara. Tani nuk kemi ndëshkim të politikave, kemi ndëshkim të popullatës, politikanët e kanë liberalizimin kurdoherë, por është popullata që nuk e ka këtë privilegj. Unë mendoj që ata mund t’i dënojë vetëm populli me votë dhe kurrsesi dhe askush ndryshe”, theksoi qytetari Ismet Xhoni për gazetën “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)


