Ndahet nga jeta ish futbollisti e sportisti Zija Neziri
Gjilan – Në moshën 82 vjeçare ka ndërruar jetë, ish futbollisti e sportisti i gjithanshëm Gjilanas, Zija Neziri.
Zija Neziri i takonte gjeneratës së artë të futbollit shqiptar, në komunën e Gjilanit. Aga Xi siç e quanin shumë qytetar dhe bashkë futbollist, ishte ndër gjeneratën e parë të futbollistëve shqiptar, që po merreshin me lojën e futbollit, të cilët po ndërtonin, një gurëthemel të futbollit, për gjeneratat e ardhshme.
Zija Neziri i dashuruar në futboll, e në shumë sfera tjera sportive, karrierën e filloi në moshën 18 vjeçare në C.Zvezdë të Gjilanit, Neziri ishte një sulmues i spikatur në alon e majtë, e karakterizonte shpejtësia dhe zgjuarsia për gol që posedonte.
Neziri njiherit ishte edhe trajner, për një kohë në klubin e C. Zvezdës në kategorinë e Juniorëve. I dashuruar në sportin në përgjithësi, Aga Xi kontribut të madh kishte dhënë edhe në lojën e hendbollit, i cili ishte në stafin e klubit të Bozhurit, në kohën e artë të hendbollit Gjilanas, por njëherit për pak kohë ishte edhe trajner në Basketboll.
Përpos ne jetën sportive Zija Neziri ishte mjaft aktiv edhe në jetën shoqërore, ishte nëpunës i Bankës Popullore të asaj kohe, ishte Këshilltar Komunal në Gjilan, drejtor i Shtëpisë së Kulturës, dhe i Kinemasë së qytetit në Gjilan.
Zija Neziri ishte një personalitet mjaft i nderuar, si në jetën sportive, njashtu dhe atë shoqërore.
Neziri së bashku me shokët e tij të asaj kohe, dha një kontribut të jashtëzakonshëm, për çështjen shqiptare që rinia shqiptare të edukohet në mënyrën sportive e shoqërore.
Ish sportisti e futbollisti Zija Neziri në praninë e shumë qytetarëve është varrosur, në varrezat e qytetit në Gjilan./rajonipress/


