Uji Dea

“Trepça”, “aksham pazari” i radhës i oligarkëve kosovarë

/ 10 minuta lexim
FIDANISHTJA

Ekspertët parashohin ditë jo të mira për gjigantin metalurgjik

Deri tani, për ‘Trepçën’ as Qeveria nuk e ka hedhur asnjë hap përpara. Zyrtarë nga ky kombinat dhe MZHE-ja janë megjithatë shumë më optimistë për të ardhmen e ndërmarrjes, për dallim nga ekspertët e ekonomisë, që kanë mendim të kundërt dhe këtij kombinati i parashohin një të ardhme të zymtë. Analistët kanë frikën se nga pushtetarët po pritet që të gjejnë ndonjë të ashtuquajtur “investitor” nga parajsat fiskale dhe të bëjnë “aksham pazar” duke ua “dhuruar” edhe “Trepçën” pa procedurë tenderike,por duke e përdorur si alibi Ligjin për investime strategjike, i cili lë shumë për të dëshiruar.

Lidhur me aktualitetin në këtë kompani, ka folur ushtruesi i detyrës së menaxherit të kombinatit “Trepça”, Miftar Hyseni, i cili për gazetën “Kosova Sot” tha se kjo verë që po vjen do ta gjejë kombinatin “Trepça” në një situatë më të mirë sesa që është aktualisht.”Në realitet tashmë është formuar Bordi për ‘Trepçën’ dhe me të madhe është duke punuar në hartimin e Statutit të kombinatit ‘Trepça'”, vijoi më tutje ai.

“Me Ligjin e ri për ‘Trepçën’ e mira është se ky kombinat do të jetë unik e nuk do të ketë dy ‘Trepça’, por do ketë vetëm një ekzekutiv me një drejtor të përgjithshëm për të dyja pjesët dhe kjo është shumë pozitive për të ardhmen e këtij kombinati”, tha Miftar Hyseni për “Kosova Sot

“Ka interesa personale të dikujt që ka synim primar ta shkatërrojë kombinatin, që dikur ishte krenaria e kombit. Dhe, e tërë kjo po bëhet për interesa politike edhe interesa ekonomike, të njerëzve që thuajse i kanë falimentuar të gjitha ndërmarrjet publike dhe mision e kanë edhe ‘Trepçën’ ta falimentojnë”, tha Lulzim Beqiri për “Kosova Sot”

Statuti do të dërgohet në Kuvend

Statuti i ndërmarrjes do të dërgohet në Qeverinë e Kosovës kurse Qeveria më pas pritet që ta dërgojë për debat në Kuvendin e Kosovës dhe pritet që të aprovohet ky statut, në mënyrë që të krijohen kushtet për regjistrimin e ndërmarrjes së re të kombinatit “Trepça”.”Kombinati ‘Trepça’ do të jetë si shoqëri aksionare, kurse aksionari kryesor siç dihet do të jetë Qeveria e Kosovës me 80 për qind të aksioneve,kurse 20 për qind e aksionarëve të tjera do të jenë të punëtorët. Andaj këtë e shoh si një progres në krahasim me ngecjet e deritashme që kanë qenë”, tha Hyseni. Ndërsa i pyetur se a ka rrezik që me kombinatin “Trepça” të bëhet ndonjë “aksham pazar”, menaxheri aktual tha se nuk beson se do të ndodhë një gjë e tillë. “Por, çfarë do të sjellë e ardhmja unë nuk mund ta di. Por, tash për tash e kemi një përkrahje të madhe nga kjo qeveri”, theksoi ai.”Ka disa vite që kemi kërkuar që ‘Trepça’ të hiqet nga AKP-ja dhe përfundimi ka qenë ose privatizimi ose falimentimi. Dhe tash e kemi kërkuar këtë ligj dhe e kemi ligjin dhe pronar i ‘Trepçës’ është Qeveria e Kosovës”, vlerësoi Hyseni.”Ajo që shihet nga puna e deritashme e Bordit duket një përkushtim i madh i bërjes së Statutit të kombinatit dhe më pas pritet që të hapet konkursi për menaxhmentin e ri”, shpjegoi më tej ai.

MZHE-ja zotohet për transparencë

Eco Higjiena

Ndërsa në përgjigjen e tyre lidhur me çështjen që po e trajtojmë zyrtarja e Zyrës për Informim në MZHE, Fitore Ajeti, për gazetën “Kosova Sot” tha se që nga fillimi i prillit në “Trepçë” ka zhvillime të reja dhe që japin shpresë për një të ardhmen më të mirë të saj.”Bordi i emëruar ka filluar punët dhe ato janë duke u zhvilluar sipas agjendës së paraparë. Kjo na jep kurajë se shumë shpejt do të përfundojmë punët procedurale e administrative, si një parakusht për afarizëm dhe për zhvillim. Prandaj, është reale të presim që gjatë kësaj vere “Trepça” do tëhyjë në procese të reja zhvillimore, të cilat janë vetëm hapi i parë drejt rrumbullakimit të konceptit për një ndërmarrje të qëndrueshme dhe me interes ekonomik e social”, tregoi ajo. Zyrtarja Ajeti ka dhënë përgjigje edhe në pyetjen se a po pritet që pushtetarët të gjejnë ndonjë të ashtuquajtur “investitor” nga parajsat fiskale dhe të bëjnë “aksham pazar” duke ua “dhuruar” edhe ‘Trepçën’, pa procedurë tenderike,por duke e përdorur si alibi Ligjin për investime strategjike, i cili lë shumë për të dëshiruar.”Të gjitha proceset e ardhshme që kanë të bëjnë me ‘Trepçën’ dhe me investimet do të jenë transparente dhe me qëllim për zhvillimin e saj. MZHE-ja në këtë rrugëtim nuk ka asnjë koncept, e asnjë vizion tjetër pos atij që është me interes për ‘Trepçën’ dhe Republikën e Kosovës”, është shprehur Ajeti.

“Institucionet kosovare janë të informuara rreth problemeve të gjigantit ‘Trepça’, por nuk është askush duke e çarë kokën për këtë punë, ngase politikanët janë të fokusuar vetëm pas interesave klanore e politike”, potencoi eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për “Kosova Sot”

“Nëse nuk ndërmarrin masa Gjykata dhe prokurorët e Kosovës në lidhje me këtë rast, kam frikën që në të ardhmen ‘Trepça’ do jetë nën sundimin e serbëve që jetojnë në veri të Mitrovicës”, tha Dardan Grapci për “Kosova Sot”

“‘Trepçën’ ka kohë që ka pretendime ta privatizojë lideri i AKR-së, që nuk do shumë mend se sot i ka mundësitë ideale, për shkak të shantazhit që mund t’i bëjë kryeministri aktual, por edhe pasi që partia e tij e menaxhon Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Kështu që nuk do të jetë befasi që lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, një ditë do të bëhet edhe pronar i kombinatit ‘Trepça'”, tha Mustafë Kadriaj për “Kosova Sot”

Industria e rëndë, në gjendje të vështirë Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për “Kosova Sot” tha se industria e rëndë si veprimtari ekonomike, në të kaluarën ka qenë ndër gjeneratorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të Kosovës.”Por që nga paslufta kjo industri nuk po arrin të funksionalizohet në tërësi dhe të vihet në shërbim të ekonomisë së vendit”, u shpreh ai.”Ndërmarrjet e mëdha të industrisë së rëndë, si “Trepça”, fabrika e çimentos “Sharr Cem”, “Ferronikeli”, Fabrika e Llamarinës “Llamkos” në Vushtrri, “Fabrika e Tubave”, Industria e Gomës “Ballkani”, janë vetëm disa nga kompanitë, të cilat në të kaluarën kanë pasur një ndikim të madh në bruto produktin vendor të Kosovës”, vijoi më tej Beqiri. “Institucionet kosovare janë të informuara rreth problemeve të gjigandit ‘Trepça’, por nuk është askush duke e çarë kokën për këtë punë, ngase politikanët janë të fokusuar vetëm pas interesave klanore e politike”, potencoi ai. Ndërsa eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për “Kosova Sot” tha se është e pafalshme që një promotor i zhvillimit ekonomik të mbetet në mëshirë të politikës ditore, që përveç apetiteve të tyre që të grumbullojnë pasuri të paligjshme, njëherësh pa asnjë kriter moral dhe profesional që po i shkatërrojnë çdo ditë pasuritë që janë përparësi krahasuese në nivel ndërkombëtar. “Është e pakuptimtë si energjia elektrike sot është problem, duke ditur pasuritë e linjitit që Kosova do të duhej të ishte eksportuese, e jo sot të blejmë energjinë elektrike dhe të kemi reduktime”, u shpreh ai.”Po ashtu edhe pasuritë minerale që Kosova është shumë e pasur, në këtë rast ‘Trepça’, një ish- promotor i zhvillimit ekonomik në ish-Jugosllavi, që edhe kreditë ish-Jugosllavia i ka marrë nga Banka Botërore, duke lënë peng ‘Trepçën’, që edhe sot Kosova paguan borxhet ndaj Bankës Botërore si ishKrahinë e Jugosllavisë. Pra, një gjigant ekonomik sot të përpëlitet dhe të vendnumërojë është e pafalshme. Kjo gjendje e palakmueshme është si rezultat i njerëzve të politikës, ku sot ministri i Zhvillimit Ekonomik është vetëm një administrator që nuk i di detyrat e veta, përveç detyrave që i merr nga shefi i tij, lideri i AKR-së, Pacolli, i cili edhe pozitat si zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme i shfrytëzon për lobim të biznesit të vet dhe rasti më i freskët është Spitali Pediatrik në QKUK, duke shfrytëzuar autoritetin e tij ka arritur të nënshkruajë kontratën me donatorët nga Emiratet e Bashkuara Arabe”, ka thënë Kadriaj.

Ndërmarrja në pikëpyetje

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, thotë për “Kosova Sot” se ‘Trepça’ jo vetëm në këtë vere, por edhe 5 vitet e ardhshme, mbetet pikëpyetje se a do ketë progres.”Trepça nuk mund të ketë progres me këtë qeveri aktuale që e kemi, për shkak se politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar në çështjen e ‘Trepçës’ nuk kanë dëshirë të lejojnë që ‘Trepça’ të funksionojë në favor të qytetarëve të Kosovës 100 për qind”, theksoi ai. “E vetmja zgjidhje për ‘Trepçën’ është nëse largohet politika nga ‘Trepça’, ku ajo si ndërmarrje publike duhet të jetë e pavarur nga politika, e cila edhe e ka sjellë ‘Trepçën’ në këtë situatë që është sot. Me këtë bllokim të ‘Trepçës’, shumëvjeçar, nga Qeveria kuptohet që ata mundohen tani që këtë ndërmarrje ta privatizojnë dhe t’ia shesin dikujt për interesa personale dhe për përfitime të ndonjë politikani, i cili i ka futur hundët shumë thellë në këtë çështje”, potencoi Grapci.”Për ‘Trepçën’ duhet të hapen hetimet nga Gjykata Speciale e Kosovës, për ta gjetur fajtorin ose fajtorët kryesorë për arsyen se përse kjo ndërmarrje publike është duke u bllokuar, edhe pse askush nga qeveritë e kaluara edhe kjo aktualja nuk ka forcë ta sjellë ‘Trepçën’ në funksion 100 për qind, por po e dëgjojnë Beogradin zyrtar dhe shkaku i Listës Serbe kjo ndërmarrje publike po pritet të punojë edhe në favor të Serbisë, e jo vetëm të Kosovës”, ka thënë ai. Sipas tij, për “Trepçën” është një skandal që detyrohen ta paguajnë tatimin 2 herë, një në Serbi dhe një në Kosovë.

(Kosova Sot)