FIDANISHTJA

Prona shoqërore u zhvat, privatizimi kriminal të hetohet

/ 8 minuta lexim
FIDANISHTJA

Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore, sipas ekspertëve të ndryshëm, është shoqëruar me jotransparencë të thellë, ndërsa dyshohet se ka qenë tepër korruptiv.

Megjithatë, ende nuk dihet se a do të hetohet i tërë procesi i privatizimit kriminal që ka ndodhur pas lufte në Kosovë, ku janë të implikuar edhe njerëz të politikës me pozita të larta: siç janë kryeministrat, ministrat, Kryesia e Kuvendit dhe deputetët e partive në pushtet, drejtorët e agjencive shtetërore dhe shumë të tjerë, duke filluar nga shefat e AKP-së, bordet e drejtorëve etj.

Sipas deputetëve dhe ekspertëve të ekonomisë,edhe procesi i privatizimit klientelist dhe tepër kriminal e ka fundosur ekonominë e Kosovës. Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga tabori i opozitës, Besa Gaxherri (LDK),tha për “Kosova Sot”, se nga mandati i kaluar, kur LDK-ja e udhëhiqte Qeverinë, grupi i tyre parlamentar e patën ngritur këtë çështje, që të hetohen të gjitha rastet e pronave të privatizuar, ngase e kanë ditur që edhe ka pasur raste kur janë keqprivatizuar dhe ato që ishin privatizuar nuk mund të shfrytëzoheshin, andaj edhe AKP-ja e pati marrë një aksion për lirimin e tyre. “Dhe, është më se e vërtetë se me rastin e privatizimit të tyre ka pasur shumë manipulime dhe për këtë Kosova ka nevojë që ta bëjë një hetim të thellë të këtij procesi të privatizimit”, potencoi ajo.

Keqpërdoruesit të ballafaqohen me ligjin

Gaxherri thotë se, fatkeqësisht, që organet e drejtësisë te ne nuk janë në nivel të detyrës. “Por, e mira është se këto lëndë nuk do të parashkruhen dhe se së shpejti këto gjëra do të vijnë në rend të ditës për hetime. Dhe, pa marrë parasysh të gjitha këto keqpërdorime që janë bërë dhe që në masë të madhe e kanë dëmtuar ekonominë tonë, keqpërdoruesit duhet që të japin llogari dhe përgjegjësi”, vlerësoi ajo. “Privatizimi e ka fundosur ekonominë tonë, ndonëse Kosova po ecën në saje të sektorit privat, ngase Kosova në këtë aspekt e ka pasur një përvojë që para luftës me ndërmarrësit privatë, ngase ata kanë ecur para dhe mund të themi se në njëfarë mënyrë ekonomia e Kosovës nuk është e fundosur, por prona shoqërore dhe shtetërore është vjedhur, është plaçkitur dhe është shkatërruar dhe këtë e kanë pronësuar një grup i vogël i njerëzve, andaj për këtë qëllim ata edhe duhet që të japin llogari”, u shpreh Gaxherri. “Ne e kemi thënë se edhe ato prona shoqërore që janë sjellë buzë falimentimit, kjo po bëhet qëllimshëm për t’i blerë vetë ose janë falimentuar me qëllim për t’i blerë vetë ose që duke i shitur me çmime qesharake. Dhe, normal që këto gjëra janë të pafalura dhe konsideroj se në Kosovë duhet që të bëhet Vetting-u nëpër të cilin duhet që të kalojnë çdo politikan, prokuror e gjyqtar, dhe vetëm pasi ta kalojnë Vetting-un duhet që të fillojmë me këto çështje të hetimit të procesit të privatizimit”, tha më tej ajo. Ndërsa deputeti tjetër i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Enver Hoti (Nisma),tha për “Kosova Sot”, se partia e tij mendon se të gjitha privatizimet me “spin-off special” duhet rishikuar dhe të verifikohen investimet e premtuara dhe përdorimi i destinacionit të tyre. “Pra, duhet verifikuar se a janë respektuar procedurat e privatizimi. Nuk ka asgjë të keqe edhe sikur të hetohej i tërë procesi i privatizimit, që nga fillimi, dhe të hulumtohen të gjitha ato raste ku ka dyshime që të zbardhen në tërësi. Në fakt, privatizimi nuk e realizoi qëllimin e tij as në zhvillim të vendin, as të zbutjes së papunësisë dhe gjendjes së rëndë sociale dhe në asnjë segment nuk rezultoi të jetë pozitiv për Kosovën dhe e themi lirshëm se ka pasur një mundësi keqpërdorimi dhe është koha e fundit që të hetohen këto raste dhe të zbardhet e vërteta dhe Kosova të marrë fuqi nga ai proces”, vlerësoi Hoti.

Mbi gjysmë miliardi të inkasuara

FIDANISHTJA

Analisti i ekonomisë, Lulzim Beqiri tha për ” Kosova Sot”, se procesi i privatizimit nuk solli ndonjë të mirë. “Kjo duket më qartë kur kemi parasysh që një numër i madh i ndërmarrjeve nuk janë aktivizuar, sipërfaqe të tëra të privatizuara kanë mbetur djerrinë, janë shuar shumë vende të punës, pra nuk ka pasur gjenerim të punësimit dhe ndërmarrje të shumta nuk ekzistojnë fare. Privatizimi dhe metoda që Kosova ka aplikuar nuk ka qenë adekuate dhe se do të duhej që blerësit e rinj të kushtë- zohen që t’i aktivizojnë këto ndërmarrje dhe nëse kishte qenë nevoja t’u jepen falas blerësve, por duke i kushtëzuar me numrin e të punë- suarve dhe riaktivizimin e tyre”, u shpreh ai. Sipas Beqirit, procesi i privatizimit në Kosovë ka filluar në vitin 2003 dhe deri më tani janë shitur 1290 asete të ndryshme të ndërmarrjeve shoqërore me një vlerë prej mbi 660 milionë euro. “Por, edhe pas 13 vjetësh, të pashitura kanë mbetur edhe 1865 asete. Prej tyre, 1685 prona janë brenda territorit të Kosovës, kurse 180 prej tyre janë jashtë vendit. Pra, procesi i privatizimit, siç është aplikuar në Kosovë, ka një përfundim dështim total”, vlerësoi ai.

Të rivlerësohen kontratat e dëmshme

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për ‘Kosova Sot”, tha se me këtë privatizim që iu ka bërë ndërmarrjeve publike, kjo elitë politike e ka sjellë në një pikëpyetje ekonominë e tregut. “Të gjitha ish-ndërmarrjet kanë qenë më funksionale para privatizimit, si për nga vëllimi i punëve, numri i punë- torëve dhe produktiviteti në prodhim dhe bashkëpunimi tregtar”, u shpreh ai. “Pothuajse të gjitha ish- ndërmarrjet edhe ato me “Spin-off special” iu është ndërruar natyra e prodhimit, është zvogëluar numri i punëtorëve në kundërshtim me kushtet e kontratës, pra e gjithë ajo fuqi ekonomike iu është ndryshuar destinimi, një pjesë janë mbyllur apo janë falimentuar”, ka thënë Kadriaj. “Për këtë privatizim kriminal natyrisht që do duhej të jepte llogari vija zinxhirore, po ashtu edhe të rivlerësohen kontratat, që nëse nuk janë përmbushur kushtet e kontratës të merren masa ndëshkuese konform ligjeve në fuqi. Por, sa do të ndodhë një gjë e tillë në realitet ka pak shpresa, sepse e gjithë elita politike janë të zhytur në këto afera dhe këto për të ruajtur vetveten i heshtin këto afera”, vlerësoi ai. Ndërsa ekonomisti Dardan Grapci tha për “Kosova Sot”, se ka ardhur koha që njerëzit e implikuar në privatizimin kriminal të hetohen, duke filluar që nga njerëzit e politikës në pozita të larta e deri tek biznesmenët që kanë bërë emër. “Privatizimi në Kosovë, që kur ka filluar në vitin 2002, menjëherë ka qenë një shenjë se Kosova dhe pushtetarët, të cilët e pranuan mënyrat e tilla të privatizimit do të shkatërrohen ekonomikisht”, u shpreh ai. Sipas Grapcit, duhet sa më shpejt të fillojnë hetimet kundër atyre pushtetarëve dhe ish-kryetarëve të komunave të cilët drejtpërdrejt apo tërthorazi e kanë ndihmuar për mbrapsht procesin e privatizimin për interesa të tyre personale.

Të përmbyllet likuidimi i NSH-ve

Ndërsa, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj tha për “Kosova Sot”, se procesi i privatizimit në vendin tonë që nga pas lufta është përcjellë me korrupsion dhe elemente të tjera negative dhe jo vetëm që nuk ka sjellë asgjë të dobishme për ekonominë e vendit, por ky privatizim e ka komplikuar dhe e ka ngadalësuar procesin e tranzicionit ekonomik në vendin tonë. “Me privatizim jo vetëm që janë hapur vende pune ashtu siç deklaronin,por me këtë mënyrë të privatizimit vetëm se janë humbur vendet e punës dhe asetet shumëvjeçare të punëtorëve tanë kanë kaluar në duar të matrapazëve që i kanë privatizuar për shuma simbolike.Me privatizimin e kemi ngulfatur ekonominë e Kosovës dhe në vend të hapjes së ndërmarrjeve që prodhojnë kemi hapur supermarkete duke shitur prodhimet e vendeve të rajonit,sepse ne nuk prodhojmë asgjë dhe nuk kemi as çka të shesim”, vlerësoi ai. “Qeveria ‘Haradinaj’ jo vetëm që duhet shumë urgjentisht të përmbyllë procesin e privatizimit, duke i eliminuar disa parregullsi,por duhet të përfundojë edhe procesin e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore si parakusht për kthimin e mjeteve të grumbulluara në fondin e privatizimit dhe aktivizimin e tyre në funksion të zhvillimit të vendit dhe hapjes së vendeve të reja të punës”, ka thënë më tej Neziraj. Sipas tij, kishte për të qenë shumë me interes për vendin sikur të bëhet rishikimi i tërë- sishëm i privatizimit që nga koha e UNMIK-ut e deri më tash.

(Kosova Sot)