Volejbollistet e Dritës fituese të Superkupës
Gjilan – Volejbollistet e Dritës në praninë e 2000 shikuesve në Palestrën Sportive “Bashkim Selishta-Petriti”, në mënyrë brilante kanë mposhtur mysafiret nga Ferizaj, Kastriotin me rezultat 3-0.
Volejbollistet e Kastriotit nuk arritën të bëjnë befasinë siç ndodhi në ndeshjen për Kupën e Kosovës, kur nga duart ja mori Dritës fitoren, kësaj radhe vajzat e trajnerit Lorik Ilazi ishin shumë të kujdesshme dhe asgjë nuk lanë të rastit.
Duhet theksuar se tifozët “Intelektualët”, edhe njëherë dëshmuan se ky grup i tifozëve është më i zëshmi në tifoz skenën e Kosovës, duke i përkrahur vajzat e Dritës dhanë kontribut të madh në fitoren e tyre.
Vashat e Dritës setin e parë mysafiret i deklasuan në çdo element të volejbollit, duke e mposhtur me rezultat 25-12.
Në setin e dytë, volejbollistet e Dritës që në fillim të këtij seti ju bën me dije vajzave të Kastriotit se do ti mposhtin ato, në fillim udhëhoqën me rezultat 7-0, gjë që këtë rezultat arritën gjerë në fund ta mbajnë duke e përmbyll me rezultat 25-18.
Në setin e tretë, volejbollistet e Kastriotit u mobilizuan më tepër, në fillim udhëhoqën me rezultat 2-6, gjatë këtij seti 14 herë u barazua rezultati ndërsa Drita arriti në 5 setmatch, ndërsa Kastrioti në dy set-match.
Volejbollistet e Dritës këtë set arritën pas 5 set-match, ta përmbyllin me rezultat 31-29.
Trajneri Lorik Ilazi pas këtij triumfi deklaroi.
“Ne po përmbyllim sezonin me dy kupa, atë të kampionit dhe Superkupën, ky sukses është një arritje e madhe për këto volejbolliste, ndërsa shfrytëzoj rastin t`i falënderoj “Intelektualët” që këto fitore i bëjnë edhe ma madhështore pasiqë na kanë mbështet që nga dita e parë, njashtu falënderoj edhe familjarët e volejbollisteve që kanë besim në punën tonë si edhe qytetarët e Gjilanit”.
Kapitenia e Dritës, Adelajda Prenga ka theksuar.
“Është një ndjenjë e mirë të jesh fituese e Superkupës, ky është një sukses i gjithë skuadrës që çdo individ ka dhënë kontributin për sukseset tona”.
Superkupën e Kosovës dhe medaljet i ndau Kryetari i FVK dhe nën kryetarja Mimoza Shkodra-Bislimi./rajonipress/


