Administrata duhet t`i thjeshtësojë procedurat burokratike, mungon etika tek zyrtarët
Gjilan – Duke i bërë një vështrim administratës tonë publike Jakup Vrapçani thotë se ajo nuk është në nivel të kënaqshëm sepse vërehen një mori faktesh, dhe se i duhet angazhim shtesë për të rritur nivelin e duhur. Ka shumë faktorë, si mosha, njohuritë në përdorimin e teknologjisë informative, jo rrallë mungesa e etikës, zyrtarë jo profesional etj shprehet Jakup Vrapçani.
Jakup Vrapçani njohës i kësaj fushe thotë se administrata publike dhe sistemi i saj operues prezanton mënyrën e organizmit të pushtetit shtetëror. Sistemi i ri i jetës çdoherë e më tepër po na imponon që të kemi sa më shumë punë me administratën. Andaj, kjo paraqet një fenomen aktual të kohës.
“Të gjitha organet e administratës publike të një vendi përbëjnë një sistem të veçantë organesh të pushtetit shtetëror. Termi ‘administratë publike’ në disa raste i referohet nocionit ‘burokraci’. Administrata publike veprimtarinë e saj e zhvillon në harmoni të plotë me kushtetutën dhe ligjet e shtetit dhe me marrëveshjet ndërkombëtare si anëtar grupi aty ku bën pjesë ai shtet. Pasi që dallojmë tri lloje të pushtetit: tradicional, karizmatik dhe pushtetin racional, ky i fundit llogaritet të jetë më i vlerësuari në botën perëndimore, si forma më e zhvilluar dhe racionale e pushtetit si sundim i ligjit; jo-personal pra, sundim me anë dhe në bazë të ligjit” thotë ai.
Shtrohet pyetja: A është në nivel të kënaqshëm sistemi i administratës në vendin tonë? Padyshim se jo. Vërehen një mori faktesh, dhe se i duhet angazhim shtesë për të rritur nivelin e duhur. Ka shumë faktorë, si mosha, njohuritë në përdorimin e teknologjisë informative, jo rrallë mungesa e etikës, zyrtarë jo profesional etj.
“Prandaj, përmes gjetjes së ideve të reja, mënyrës së komunikimit etj., të bëhet një reformim i administratës, të synohet në plan-programet e zhvilluara mbi administratën, në shtimin e profesionalizmit, kontrollin e shoqërisë, përditësimin e informacioneve etj. Në këtë vijë, me arritjen e këtyre synimeve apo thënë ndryshe me revitalizimin e administratës, do të arrihej deri në atë shkallë që koha e tashme të marrë kuptimin e plotë të fjalës se është kohë e të arriturave administrative, madje të synohet deri te thjeshtësimi i më tejshëm i procedurave burokratike” mendon Vrapçani.
Sipas tij çdoherë e më tepër, në këtë kuptim, shteti duhet të jetë më aktiv nëse dëshiron të arrijë deri te një administratë moderne, efikase, e përgjegjshme, modeste, transparente – e hapur ndaj qytetarëve dhe që shoqëritë e reja tani po mundohen të arrijnë çdoherë e me tepër në përmirësimin e kushteve të punës së administratës në favor të shërbimeve për qytetarët, edhe pse disa prej tyre tashmë kanë arritur shkallë të lartë të zhvillimit të administratës.
“Mendoj se ky zhvillim i hovshëm i viteve të fundit i administratës në shumë vende është arritur fal përvojës dhe angazhimit të pandalshëm të shtetit me mjete dhe metoda nga më të ndryshmet, duke angazhuar grupe ekspertësh për të marrë ide të reja në kombinim me të vjetrën për reformimin e administratës përmes analizave, seminareve, trajnimeve profesionale dhe të etikës, duke i eliminuar veset negative nga administrata, për të cilat janë ndarë fonde dhe shuma të konsiderueshme, vetëm e vetëm për t’ia arritur qëllimit dhe objektivave. Janë përdorur dhe zbatuar planifikime strategjike dhe profesionale në rritjen e efikasitetit të punës në zyre. Shpresojmë që si shoqëri e si shtet i ri të arrihet në përvetësimin e praktikave edhe më të mira dhe më efikase, dhe të plotësohet edhe një kriter më shumë, thjesht pas tërë kësaj kohe, ka nevojë për reformim gjeneral e edhe të administratës, si përfaqësuese e shtetit gjegjësisht pushtetit te qytetari”.
Porosia e Vrapçanit është e thjeshtë. “Mos të harrojmë një fakt se në demokraci, pushteti fitohet apo arrihet përmes votës së qytetarit. Andaj, pushtetarët duhet të jenë më të vëmendshëm karshi të drejtave dhe shërbimeve për qytetarët, ngase vota determinon gjithçka. Administrata publike duhet të jetë e paanshme dhe për të gjithë njësoj në sistemin e kryerjes së punëve. Sa të lumtur do të ishim sikur të kishim një administratë të këtij niveli, në mënyrë që qytetari ta ndiej veten rehat, se nuk i behet e padrejtë asnjëherë, askund dhe nga askush” përfundon ai. /rajonipress/


