Nëntoka politike, kërcënim për shtetin
Derisa politika kosovare, me papërgjegjësinë e vet po e fut vendin në një situatë krize, analistët shohin rrezik real që kjo politikë e papërgjegjshme të nxjerrë në sipërfaqe edhe nëntokën e rrezikshme, që po përpiqet tani të krijojë imazhin e një Kosove të pasigurt, ku kinse vetëm oligarkët aktualë të pushtetit mund të vendosin paqen në këtë vend.
Pushtetarët mundohen të paraqesin veten shpëtimtarë të paqes
Derisa politika kosovare, me papërgjegjësinë e vet po e fut vendin në një situatë krize, analistët shohin rrezik real që kjo politikë e papërgjegjshme të nxjerrë në sipërfaqe edhe nëntokën e rrezikshme, që po përpiqet tani të krijojë imazhin e një Kosove të pasigurt, ku kinse vetëm oligarkët aktualë të pushtetit mund të vendosin paqen në këtë vend.
Madje ky skenar po shihet edhe si një kushtëzim në prag të Gjykatës Speciale, që do të akuzojë figura të larta politike, prandaj nuk përjashtohet rreziku i përsëritjes së skenarit të marsit 2004, ku vetë nxitësit e trazirave dolën si “shpëtimtarë” të rrejshëm.
Sipas analistit Skënder Mulliqi, krejt pas luftës nëntoka dhe mbitoka politike kanë krijuar situata të palakmueshme politike dhe të sigurisë, në emër të imazhit të rremë se ata janë shpëtimtarët e kombit, se pa ta nuk mund të vendoset paqja në Kosovë dhe fatkeqësisht në këtë synim edhe kanë pasur sukses.”E frikësuan popullin me veprimet tyre kriminale dhe korruptive, të cilat edhe bënë që ata të na paraqiten si të vetmit njerëz që pa ta nuk bënë. U thirren në merita të ndryshme dhe merita të luftës, duke qitur inteligjencën tërësisht nga loja politike, duke përjashtuar këtu lojalët e tyre politike dhe zhvatësit ekonomikë”, është shprehur ai.
Ndërkombëtarët, garanci për paqen
Sipas Mulliqit, meqenëse kemi një situatë politike të re pas zgjedhjeve, ku rezultatet midis partive politike janë të ngushta, mund të na përsëritet ndonjë situatë pas këtyre zgjedhjeve, duke e futur vendin në krizë të re institucionale, me mundësi të eskalimit të situatës.”Ka mundësi të hartimit edhe të ndonjë skenari që situata të marrë kahe shumë negative dhe në skenë të dalin gjoja shpë- timtarët e kësaj gjendjeje. Ky imponim ka ndodhur edhe në të kaluarën, me rastin e ngjarjeve të marsit të vitit 2004, të cilat ngjarje shumë i kushtuan politikisht dhe sidomos ekonomikisht Kosovës’, tha Mulliqi. Sidoqoftë, ai preventivën e një skenari të tillë e sheh vetëm tek bashkësia ndërkombëtare. “Ishte dashur që mos të lejohet më të sundohemi nga oligarkët politiko-financiarë dhe tani zor se bashkësia ndërkombëtare do të lejojë ndonjë eskalim të situatës politike dhe të sigurisë në prag të punës së Gjykatës Speciale, edhe përkundër tendencave nga kushdo që mund të vijnë ato, kur dihet për kërcënimet e vazhdueshme nga politika ruso-serbomadhe në Ballkan. Duket së populli me këto zgjedhje është përcaktuar për ndryshime pozitive, duke mos i votuar ata të cilët janë në çfarëdo forme të implikuar në krim dhe korrupsion. Kosova mjaft ka vuajtur që të përjetojë skenarë të cilët pa dyshim do ta errësonin shumë të ardhmen e saj si shtet”, tha analisti Skënder Mulliqi.
Zvarritja e aktakuzave të Speciales
Sipas prof. Blerim Burjanit, realisht këtë gjë të provokimit e sjelljes mbi ligjin nëntoka kosovare ka filluar ta bëjë që dy vitet e fundit dhe fillon ta bëjë edhe tani, duke treguar superioritet në sundim mbi rendin dhe ligjin dhe duke provuar për t’u siguruar me këtë edhe nga gjykata dhe politika ndërkombëtare, për të treguar se ata mbajnë në dorë këtë temë të sigurisë dhe stabilitetit.”Deri më tash e kanë arritur qëllimin dhe tani edhe kjo gjykatë deri në vitin e ardhshëm s’do të mundë të ngrejë aktakuza. Njëherë nuk ka skenarë të tillë të demonstrimit të gjërave të tilla, por kjo nuk dihet sepse këta kanë një fuqi dhe kontroll të madh shoqëror dhe të pasurive publike, prandaj për momentin nuk dihet, por mund të ketë protesta dhe gjëra tjera në momentin kur të ngrihen aktakuzat”, tha Burjani. Ai po ashtu pohon se situata po mbahet peng përmes ngërçit, e kjo mund vazhdojë më gjatë për të penguar këtë gjykatë dhe të mos ndihet sigurt për të ngrejë aktakuza për shkak të mosfunksionimit të institucioneve të Kosovës.
Klanet i tremben mbetjes në opozitë
Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, pohon se derisa zgjedhjet janë shumë të qarta dhe populli ka kërkuar ndryshime rrënjësore dhe sipas tij janë dënuar qeveritë jonatyrale, qeveria e disa personave e klaneve të milionerëve që mendojnë akoma të mbajnë pushtetin me çdo kusht edhe sot rreziku është real nga ndonjë skenar i padëshirueshëm.”Arsyeja kryesore e këtyre klaneve politike është se frikohen të mbesin në opozitë pasi i frikohen ligjit se do t’i ndjekë penalisht qeveria e ardhshme për korrupsion dhe krime të tjera, deri te tradhtia e vendit”, tha Naim Miftari.
Ai ka pohuar se me Kushtetutë i takon Ramush Haradinajt të provojë ta bëjë një qeveri stabile, por pa u varur nga Lista Serbe, kjo do të jetë me pasoja.”Kjo lëvizje që do të duhej ndaluar me ligj nga shteti i Kosovës, pasi publikisht deklaruan se janë këtu për ta penguar Kosovën të ecë para me urdhrat që i marrin nga Beogradi”, theksoi ai. Për ta ruajtur demokracinë dhe stabilitetin e vendit, Miftari thotë se nëse kryetari i AAK-së nuk arrin ta marrë besimin e deputetëve shqiptarë me shumicë, ai duhet të tërhiqet dhe kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, t’i japë mandat bllokut tjetër politik që i siguron votat. Sidoqoftë, ai hilen dhe rrezikun e provokimit të eskalimit të situatës e sheh pikërisht tek loja e presidentit Thaçi.”Në të ardhmen po ky president do ndiqet penalisht nga ligji për shumë të këqija që i ka sjell vendit tonë që nga paslufta”, theksoi Miftari./kosova sot/


