Delawie: Këtë vit epilogu i dialogut
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të ketë epilog këtë vit. Diplomati amerikan të enjten ka thënë se dialogu me Serbinë ka sjellë përfitime të mëdha për Kosovën dhe si i tillë nuk ka alternativë pos dialogut mes dy shteteve, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Ai këto komente i bëri në konferencën e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) dhe nga Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG), e cila është fillimi i një dialogu të brendshëm lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, ku po diskutohet për marrëveshjen finale mes dy shteteve.
“Dialogu ka sjellë përfitime në Kosovë, siç është integrimi i drejtësisë në veri, integrimi i Policisë.
Kemi një lloj lodhjeje nga dialogu viteve të fundit… Nuk ka alternativë përveç dialogut. SHBA-ja mbështet aspiratat e Kosovës dhe të Serbisë për t’iu bashkuar BE-së. Këtë vit duhet të bëhet përparim në dialog. Sa i përket finales së madhe, ky studim është kontribut i çmueshëm”, ka thënë ai.


