Viti i Valon Berishës
Valon Berisha është futbollisti kryesor i Përfaqësueses së Kosovës qyshkur i ishte bashkuar Verdhekaltërve duke hequr dorë nga Përfaqësuesja e Norvegjisë.
Madje, mesfushori kreativ ishte zgjedhur në dy vjetët e fundit futbollisti i vitit në Kosovë, shkruan sot gazeta Zëri.
Krahas Përfaqësueses, Berishës po ia do edhe me ekipin e tij Red Bull Salzburg.
Futbollisti i lindur në Suedi dhe i rritur në Norvegji e ka marrë në dorë skuadrën austriake, të cilën po e udhëheq drejt sukseseve.
Shkëlqen në Europa League
Berisha konsiderohet njëra prej befasive më të mëdha të Europa Leagues këtë edicion.
Prishtinasi e ka vendosur fitoren e Salzburgut ndaj Borussia Dortmundit duke realizuar dy gola në ndeshjen e parë çerekfinale, duke shënuar në minutat 49 e 56, për t’ia siguruar ekipit të tij fitoren 2:1 ndaj gjigantit gjerman.
Këtë edicion Berisha ka realizuar 4 gola në 8 ndeshje me Salzburgun në Europa League.
I dobishëm edhe në Austri
Berisha po tregon formë të jashtëzakonshme edhe në kampionatin austriak.
Këtë sezon ai ka realizuar 3 gola në 23 ndeshje, derisa shquhet më shumë për asistime, duke i dhuruar 7 sosh për shokët.
Madje, pas golit të shënuar pak ditë më parë në derbin austriak Berisha filloi të qante pasi atë ia kushtoi gjyshes, që i kishte vdekur ato ditë.
Deri vitin e kaluar ai kishte realizuar 29 gola në 168 ndeshje me ekipin austriak.
Një statistikë jo e keqe për një lojtar që vetëm viteve të fundit i është afruar portës.
Ai ka aftësi të shkëlqyeshme dhe shquhet edhe në aspektin defanziv dhe në atë ofanziv.
Një lojtar jo më i ri, por që e ka zgjuar interesimin e skuadrave të njohura evropiane.
Momenti i hapit të radhës
Berisha e kishte nisur karrierën në Norvegji, në ekipin e të rinjve të Egersundit, ku kishte debutuar edhe për të mëdhenjtë, ndërsa më pas ka luajtur dy sezone me Vikingun.
Në vitin 2012 i kishte arritur ftesa nga Austria, ku e pëlqente Salzburgu dhe nga ajo kohë luan atje.
Ky mund të jetë sezoni i fundit i Berishës në futbollin austriak pasi flitet se ai gjatë verës mund të transferohet në ndonjë skuadër të Premierligës.
Për të interesim ka shfaqur Newcastle. /Zëri/


