Xhaka: Jemi të bashkuar
Arsenal-i bëri një hap të madh drejt çerekfinaleve të Ligës së Evropës të enjten, duke fituar 2:0 ndaj Milan-it. “Topçinjtë” kanë luftuar këtë sezon të gjejnë veten dhe gjenden në vendin e gjashtë të Ligën Premiere.
Për ta mbyllur kampionatin në katërshen e parë nuk ka gjasa, ndaj Liga e Evropës është rruga më e afërt për të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Ndaj, ka presion mbi ekipin për të luajtur mirë në këtë kompeticion. Golat e Henrikh Mkhitaryan dhe Aaron Ramsey i kanë vënë londinezët favoritë kundër italianëve, edhe pse vinin pas katër humbjeve të njëpasnjëshme.
Granit Xhaka beson se Arsenal-i ka filluar t’u përgjigjet kritikëve, që e kishin vënë në pikëpyetje zemrën e tij. “Shumë njerëz folën për ne nga jashtë, por askush nuk e di se çfarë është brenda ekipit”, tha 25-vjeçari në faqen zyrtare të klubit. “Ndaj Milan-it treguam së bashku unitet dhe shumë karakter. Gjithkush e di se kemi humbur katër ndeshjet e fundit dhe kjo ishte e vështirë për ne. Ishte e rëndësishme që të jemi së bashku dhe t’iu tregojmë njerëzve jashtë që jemi një ekip. Ne kemi treguar një lojë të mirë ndaj kuqezinjve. Në fillim ishte paksa e vështirë për ne, por pas kësaj bëmë lojën tonë dhe shënuam dy herë. Mendoj se 2:0 këtu në Milano është një rezultat i mirë për ndeshjen e kthimit. Tani duam të përfundojmë ndeshjen e dytë dhe të fitojmë sërish në shtëpi”, theksoi mesfushori shqiptar, ndërsa në anën tjetër Arsene Wenger shtoi: “Dëshmuam shpejtësinë tonë të lojës, sidomos gjatë pjesës së parë. Në pjesën e dytë u treguam disi më të kujdesshëm dhe racionalë”, komentoi Wenger për “Sky Sport”.
Bonucci tregon arsyet e dështimit
Pas disfatës 2-0 kundër Arsenal-it, Leonardo Bonucci, kapiteni i Milan-it, ka komentuar ndeshjen në mikrofonin e “Sky Sport”. “Në pjesën e parë sigurisht u shfaq disi frikë dhe ankth në përballjen me një skuadër plot me futbollistë të mëdhenj. Gjithçka është eksperiencë. Është e vështirë të ekuilibrosh ndeshjen, por në futboll gjithçka mund të ndodhë. Ishim disi të shkurtër mes reparteve, luanim duke hasur vështirësi për të gjetur korridoret e pasimit, edhe për meritë të Arsenal-it, që luajti një pjesë të parë duke vrapuar shumë”, komentoi Bonucci. “Por duke shkuar në Londër me shpirtin e treguar në pjesën e dytë, mundet ende që të arrijmë rezultat. Ajo që na mungoi ishte kurajo për të marrë përgjegjësi më shumë, ndërsa në pjesën e parë kishim frikë për të luajtur fatin e ndeshjes. Nevojitet kurajo për të luajtur këto ndeshje. Gjithsesi i duhet dhënë meritë Arsenal-it, që bëri një pjesë të parë fantastike. Nuk ishin këmbët e rënda, por është mendja ajo që luan gjithç- ka”, deklaroi kapiteni kuqezi.
(Kosova Sot)


