Fundamenti

Republika po rrudhet

/ 9 minuta lexim
ARKATANA

Mbi dyzet mijë shtetas që nga viti 2009 e këndej kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës

“Migrimi i qytetarëve është një fenomen që po e dëmton Kosovën. Vetëm migrimi ilegal, që na ndodhi në vitet 2015-2016, ka qenë shenjë e një pakënaqësie dhe dëshpërimi që kanë parë qytetarët pas zgjedhjeve qendrore dhe mundësisë reale që të ketë ndryshime në jetët e tyre të përditshme. Këto tregojnë se sa janë qytetarët të kënaqur me realitetin e Kosovës “, theksoi Ariana Qosaj-Mustafa për ” Kosova Sot”

Ndonëse askush nuk e di saktë- sisht se sa qytetarë të Kosovës kanë hequr dorë nga shtetësia e tyre viteve të fundit, shifrat e përafërta tregojnë se janë mbi dyzet mijë shtetas, të cilët që nga viti 2009 e këndej kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës. Në katër vitet e fundit, mesatarisht në vit nga nënshtetësia e Kosovës janë liruar më shumë se pesë mijë qytetarë në vit. Ndërkaq, shifrat flasin se trendi i lirimit nga nënshtetësia ka shënuar ngritje që nga viti 2014, kur edhe atë vit kanë hequr dorë nga nënshtetësia 5.158 persona, kurse më 2016, ky numër ka shënuar rritje në 5.871 persona. Bazuar në vlerësimet e analistëve thuhet se qytetarët të revoltuar dhe të dëshpëruar po heqin dorë nga nënshtetësia kosovare nga kjo klasë politike e inkriminuar e lidhur me nëntokën kriminale. Ndërkaq, analistët presin që të rritet numri i atyre që do të braktisin Kosovën dhe do të braktisin edhe nënshtetësinë e Kosovës, pikërisht se askush nuk sheh perspektive të jetojë me fëmijët e vet në një shtet ku sundon vetëm krimi i organizuar. Me gjithë përpjekjet e gazetës për të mësuar se çka thonë në Ministrinë e Brendshme për këtë dukuri , zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje.

Në kërkim të shpresës

“Sot mund të jeni kirurgu më i mirë në Kosovë, po nuk ke perspektivë shumë të madhe, pagat janë të ulëta, nuk ka beneficione. Në anën tjetër, shtetet e Evropës perëndimore i ofrojnë dhjetëfishin e pagës që e marrin (kirurgët) në Kosovë dhe beneficione të tjera që Kosova fatkeqësisht është jokonkurrente t’i bëjë ballë këtij trendi të shpërnguljes së njerëzve, në veçanti atyre të kualifikuar”, tha Isuf Zejna për “Kosova Sot”

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Isuf Zejna,( “Demokracia Plus”),për gazetën “Kosova Sot” tha se veprimet e qytetarëve të Kosovës, që po lirohen nga nënshtetësia dhe po e marrin nënshtetësinë e një vendi tjetër, nuk janë aspak shpresëdhënëse. “E tëra kjo vjen si rezultat i emigracionit të madh që e kemi në Kosovë, për shkak të mosperspektivës ekonomike, qytetarët tanë kërkojnë vazhdimisht të gjejnë punë dhe të dislokohen nga vendi i tyre i lindjes dhe të kërkojnë mirëqenie në shtetet e Evropës Perëndimore. Një numër i këtyre shteteve, siç është rasti i Gjermanisë, nuk u japin nënshtetësi qytetarëve të Kosovës pa hequr dorë nga nënshtetësia e Kosovës. Si rezultat i kësaj, qytetarët detyrohen të heqin dorë nga nënshtetësia e Kosovës”, theksoi ai.”Fajtor për gjithë këtë është shoqëria në përgjithësi e Kosovës, e cila ka dështuar në krijimin e një ekonomie të zhvilluar, e cila siguron mirëqenie më të mirë për qytetarët. Numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës, e të cilët do të heqin dorë nga nënshtetësia e vendit të tyre, mund të rritet në të ardhmen, për shkak se mundësitë që u ofrojnë shtetet ku ata jetojnë, janë shumë më të mëdha sesa çfarë iu ofron Kosova”, vlerësoi Zejna.

“Në mungesë të një sistemi të sigurimeve shëndetësore, pensioneve të dobëta, që ngjajnë me shumë si ndihmesë sociale apo edhe arsimimit shumë të dobët, qytetarët kanë marrë pak nga shteti mbrapa, edhe pse kanë punuar aktivisht për shtetin”, tha Arjana QosajMustafa për “Kosova Sot”

Edhe përfaqësuesja tjetër e shoqërisë civile, Ariana Qosaj-Mustafa tha për ” Kosova Sot”, se migrimi i qytetarëve është një fenomen që po e dëmton Kosovën. “Vetëm migrimi ilegal, që na ndodhi në vitet 2015-2016, ka qenë shenjë e një pakënaqësie dhe dëshpërimi që kanë parë qytetarët pas zgjedhjeve qendrore dhe mundësisë reale që të ketë ndryshime në jetët e tyre të përditshme”, tha ajo.”Tash këto shënimet e heqjes dorë nga shtetësia e Kosovës që në fakt është shumë shqetësuese janë pasojë e një dekade apo më shumë të ndërtimit të shtetit, mirëpo me prioritetet e tjera fatkeqë- sisht edhe jodomosdoshmërisht të bazuara në kërkesat reale të qytetarëve. Këto tregojnë se sa janë qytetarët të kënaqur me realitetin e Kosovës në këto vitet e fundit”, theksoi ajo.

FIDANISHTJA

Pasojat e zaptimit të shtetit

Analisti politik, Skënder Mulliqi tha për ‘Kosova Sot “, se heqja dorë nga nënshtetësia e Kosovës e qytetarëve, sigurisht se nuk është vendim edhe i lehtë, por paperspektiva për të jetuar në Kosovë ka bërë që shumë të rinj të kërkojnë pasaporta të vendeve të zhvilluara perëndimore , duke hequr dorë kështu nga nënshtetësia. “Duke mos parë përmirësime në politikëbërje dhe zhvillim, kjo shifër sigurisht do të shumëfishohet në të ardhmen. Ata që po heqin dorë nga nënshtetësia, as që mendojnë të kthehen në Kosovë. Kjo është shumë e dëmshme për një vend të vogël dhe me pak banorë, siç është Kosova”, potencoi ai. “Vendi ka mbetur i izoluar, papunësia ka arritur përmasa rekorde, varfëria gjithashtu , nuk kemi ekonomi të vogël e të mesme, as zhvillim të industrisë, kemi stopim të investimeve të jashtme, korrupsioni dhe krimi kanë kapluar çdo segment të jetës”, u shpreh Mulliqi.

“Mjafton t’i hedhim një sy analitik skenës politike,zakonisht në skenë performojnë ato subjekte e liderë, të cilat pranojnë dhe me zell e realizojnë dëmtimin publik për interesa partiake e individuale”, tha Arsim Haziri për “Kosova Sot”

Ndërsa analisti politik, Arsim Haziri tha për ” Kosova Sot”, se Kosova në stadin që është nuk ofron perspektivë të përgjithshme sociale, ngase përmes logjikës së saj zotëruese dhe zaptuese dhe mbi të gjitha klienteliste e ka bërë të pamundshme konsolidimin dhe priorizimin e sferës ekonomike. “Krejt çfarë mund të bëjë politika natyrisht me logjikën asociale e kriminale është organizimi edhe më i fuqishëm i fenomeneve negative, pasi duke zhvilluar e duke shtyrë këso situatash, ata ia arrijnë të zbatojnë pa u dënuar planet e tyre, detyrojnë kategori shoqërore t’i votojnë për të zotëruar akoma pasuritë publike dhe kësisoj ata gjithnjë e më shumë po kontribuojnë në instalimin e një klime të favorshme për politikat e tyre”, ka thënë ai. Sipas Hazirit, kjo klimë negative për shoqërinë relevante për politikën, gjithnjë e më shumë po realizohet në terren, mbase ajo përjashton involvimin qytetar për të vendosur rend dhe rregull si dhe përafron individë, të cilët pranojnë të bëhen pjesë e keqpërdorimeve publike.

Detyrimet ligjore

Analisti Ridvan Emini tha për “Kosova Sot” se shumica e rasteve kanë të bëjnë me bashkime familjare, ku në vende të caktuara, e madje në shumicën e vendeve nuk lejohet mbajtja e dy shtetësive, andaj kjo është një zgjidhje praktike për qytetarët. “Ky trend mund të na përcjell edhe për disa vjet, por natyrisht se me liberalizimin e vizave shumë qytetarë të rinj nuk kanë nevojë të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës, pasi ata mund të lëvizin dhe nuk u imponohet të heqin dorë nga shtetësia”, theksoi ai. Ndërsa, juristi Blerim Burjani, për gazetën,”Kosova Sot”, tha se janë disa arsye të heqjes dorë nga shtetësia. “E para, disa shtete evropiane kanë kushtëzuar marrjen e shtetësisë për shqiptarët e Kosovës dhe se ata duhet të deklarohen cilën shtetësi e duan dhe kjo kuptohet është e padrejtë, por disa shtete evropiane nuk lejojnë persona me dy shtetësi”, u shpreh ai. “Ka të atillë, të cilët emigrojnë në shtetet e BE-së dhe marrin shtetësi, pra janë disa arsye pse po ndodh ky fenomen, sepse qytetarët e Kosovës nuk heqin dorë nga shtetësia vullnetarisht, por vetëm kur ka kushtëzime për shtetësi ku ata jetojnë dhe veprojnë”, ka vijuar më tutje Burjani. Sipas tij, disa shtete lejojnë dy shtetësi, kurse disa nuk duan persona me dy shtetësi. Sidoqoftë, përtej kushteve ligjore, largimi nga Kosova është bërë më i shpeshtë, për shkak të dekurajimit të njerëzve për të jetuar në një shtet me padrejtësi, korrupsion, varfëri e papunësi të thellë.

(Kosova Sot)